Jozefina Topalli: Basha një vit para zgjedhjeve shton vilat

ATSH/ Ish-kryetarja e Kuvendit dhe nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, deklaroi sot se PD-së i duhet një lider i pakorruptuar, duke iu referuar zgjedhjeve të afërta parlamentare dhe pritshmërive për to në kampin e opozitës.

“Duhet një lider i pakorruptuar dhe që jep besim dhe që është i vërtetë për të sjellë ndryshim në vendin tonë dhe kjo është minimalja që mund të bëjë një njeri që ka zënë vendin e kryetarit të opozitës”, u shpreh ajo.

“Unë nuk njoh një kryetar tjetër opozite gjatë kësaj periudhe që në një vit para zgjedhjeve, të shtojë vilat në mënyrë progresive sa herë ndodh diçka tërmet, ose pandemi dhe pa bërë asnjë transparencë mbi këtë gjë. Këtë nuk e kuptoj, as imagjinoj dhe nuk ndodh as në Shqipëri, por as në asnjë vend të Ballkanit, por besoj se nuk ndodh as në Afrikë”, u shpreh Topalli në një intervistë televizive.

Sipas saj, Basha minimalisht duhet të bënte transparencë përpara shqiptarëve.

“Prandaj përballë një qeverie që është e zhytur në skandale dhe një opozite që është plotësisht e pabesueshme ka dy opsione. Opsioni i parë është që të bëjë një hap mbrapa nëse do që Edi Rama të largohet, t’i lëshojë vendin dikujt tjetër që është aty brenda PD-së, sepse të gjithë besojmë se me një drejtim të ri të pakorruptuar, Edi Rama do ishte larguar prej kohësh dhe jo të prisnim 2021. Duke pasur një fushë politike pa një opozitë reale jo vetëm merr mandatin e tretë, por mund të shkojë edhe përtej”,  nënvizoi Topalli.

Përsa i përket koalicionit me LSI-në, Topalli tha se “pa një pushtet moral as votat nuk vijnë meqenëse gjërat i llogarisin vetëm me votat. PD nuk ka pasur nevojë për asnjë forcë politike kur ajo kishte pushtet moral brenda vetes, kur i qëndronte vlerave dhe të vërtetave. Nëse i ikën të gjithë këtyre, njëherë shkon me Ramën, njëherë me LSI, njëherë shkon me të dy bashkë dhe bën sikur i lufton dhe pastaj ndan përsëri pazare”.

E pyetur nëse ka listë “Topalli”, ish-kryeparlamentarja tha se “nuk ka listë ‘Topalli’. Duhet të ketë një lëvizje për ndryshim duke pasur në epiqendër të ardhmen”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close