Publikimi i dosjeve të Speciales mund të frikësojë dëshmitarët

Dëshmitarët potencialë të proceseve gjyqësore ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mund të ndjehen të frikësuar pas publikimit të informacioneve se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka në pronësi dosje të Gjykatës Speciale (Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Prokurorisë në Hagë). Kështu vlerësojnë njohësit e fushës së drejtësisë në Kosovë.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të hënën, përmes një konference, pretendoi se ka mbi 4 mijë dosje të Gjykatës Speciale, pasi i ato ishin dorëzuar në mënyrë anonime zyrës së kësaj organizate.

Veteranët thanë se në këto dokumente janë emrat dhe adresat e dëshmitarëve dhe personave të tjerë më të cilët kanë bashkëpunuar hetuesit e Gjykatës Speciale.

Por, gjatë të martës, ndonëse nuk është konfirmuar nga Gjykata Speciale, hetuesit e gjykatës kanë shkuar në zyrën e OVL të UÇK-së në Prishtinë. Përfaqësues të kësaj organizate kanë konfirmuar për media në Kosovë se atyre u është dorëzuar një kopje e këtyre dokumenteve.

Përmbajtja e këtyre dokumentave të pretenduara është e panjohur dhe nuk dihet ende nëse ato janë origjinale.

Radio Evropa e Lirë ka dërguar disa pyetje te zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

Në një përgjigje të shkurtër, Griep, ka thënë se “nuk kemi asnjë koment për të bërë”.

Njëjtë është përgjigjur edhe zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett, duke thënë se “Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk është duke komentuar këtë çështje”.

Frikësimi për ata të përfshirë në procese eventuale gjyqësore
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se bërja publike e dokumenteve të tilla vë në rrezik të gjithë ata persona që mund të jenë të përfshirë në procese eventuale gjyqësore.

“Kjo është një formë e drejtpërdrejtë e frikësimit dhe kërcënimit të të gjithë atyre personave që thjesht mund të jenë në çfarëdo forme subjekte të procedurave pranë Gjykatës Speciale”, thotë Musliu.

Edhe drejtuesi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, thotë se mënyra se si u prezantuan këto dokumente nga zyrtarët e OVL të UÇK-së, lë të kuptohet se qëllimi kryesor është të frikësohen dëshmitarët.

“Theksi u vendos më shumë në dëshmitarë që t’ua bëjnë me dije se e dinë se kush janë ata dhe se i dinë edhe adresat [e tyre]. Po besoj se ishte një mënyrë për t’i frikësuar dëshmitarët por gjithsesi për të komprometuar dhe për t‘ia ulur edhe më shumë imazhin në Kosovë, Dhomave të Specializuara”, thotë Blakaj.

Tendencë për komprometim të Gjykatës Speciale
Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se duhet të ndodhë një hetim për mënyrën sesi këto dokumente kanë arritur te Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Musliu thotë që në rast se konfirmohet se janë dokumente zyrtare të Gjykatës Speciale, atëherë, duhet ndjekur penalisht personat përgjegjës që kanë për qëllim komprometimin e këtij institucioni.

“Është e papranueshme, sidomos për faktin se po ndodh në kohën kur kjo gjykatë është duke zhvilluar procedura, ka aktakuza të ngritura nga prokuroria e të cilat është duke i shqyrtuar dhe kjo përbën një rrezik dhe përbën një tendencë për të komprometuar në tërsi punën e Gjykatës Speciale”, thotë Musliu.

Nga ana tjetër, Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, thotë se Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka manipuluar opinionin në momentin që ka dalë me njoftimin se posedon rreth 4 mijë dosje me të dhënat e dëshmitarëve potencialë që pritet të dëshmojnë në procese gjyqësore kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

“Për fat të keq me vite është duke u përmendur në radhë të parë prej komunitetit ndërkombëtar dhe prej palës serbe se në Kosovë dëshmitarët po frikësohen, po ndikohet në ta, po shantazhohen. Madje kanë shkuar aq larg saqë kanë thënë që edhe po vriten. E tash ky veprim i djeshëm i këtyre veteranëve në njëfarë mënyrë po i konfirmon këto lloj pohimesh”, thotë Blakaj.

Mbrojtja e dëshmitarëve, proces i vështirë
Që nga krijimi i Gjykatës Speciale të Kosovës, ekspertët e kanë parë si sfidë të vështirë mbrojtjen e dëshmitarëve.

Një nga arsyet kryesore pse Gjykata Speciale e Kosovës u vendos në Hagë ishte frika nga kërcënimi i dëshmitareve potencialë “marrë parasysh se bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për faktin se disa nga të dyshuarit, në pjesë të caktuara të shoqërisë kosovare, mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Holandës, të lëshuar qysh në vitin 2016, kur ishte vendosur për këtë gjykatë.

Dhomat e Veçanta apo siç njihet në Kosovë, Gjykata Speciale, është gjykata e katërt me radhë që merret me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Këto krime paraprakisht i kanë hetuar dhe gjykuar, Gjykata e Kombeve të Bashkuara në Kosovë apo UNMIK-u, Tribunali Ndërkombëtar i Hagës si dhe Gjykata e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.

Deri më tani, Gjykata Speciale ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Deri më tani, asnjë aktakuzë nuk është konfirmuar ose hedhur poshtë publikisht. Gjyqtari ka gjashtë muaj për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Nën përgjegjësinë e Gjykatës Speciale është hetimi i krimeve të pretenduara kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit, 2011.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close