Shqipëria dhe ​Kosova me platformë të përbashkët digjitale të arsimit

Kosova dhe Shqipëria do të përdorin një platformë të përbashkët digjitale të arsimit para universitar për vijimin e mësimit në kushte pandemie.

Kjo platformë do të jetë online, ku gjenden të gjitha videot e xhiruara nga mësimdhënësit e Kosovës dhe Shqipërisë. E njëjta është paraparë për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e 12-të.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj dhe ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë e Shqipërisë, Besa Shahini, sot prezantuan platformën e përbashkët digjitale të arsimit, e cila do të shërbejë në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Ministrja Shahini tha se përveç videove të xhiruara, kjo platformë mundëson pjesën e mësimit që zhvillohet në klasë në formatin digjital.

Shahini: Ky shkëmbim i metodologjisë së mësimdhënies do të përmirësojë cilësinë e arsimit

“Mësuesit do të kenë mundësinë që të krijojnë edhe klasën virtuale, është pak a shumë formati i ngjashëm me Google class room, tashmë është në gjuhën shqipe. Mësuesi boton mësime, boton pyetje, kuize. Përveç videove që ekzistojnë, ku leksionet e ndryshme janë të xhiruara dhe nxënësi mund t’i ndjekë. Mund të zhvillohet edhe pjesa e mësimit qe zhvillohet në klasë, por në këtë formatin digjital. E mira e kësaj është që ne do të kemi mundësinë nga Shqipëria t’i shohim leksionet e xhiruara në Kosovë, nga mësuesit më të mirë. Ju do të shikoni edhe leksionet e xhiruara në Shqipëri, kurrikula është e përbashkët dhe ky shkëmbim i metodologjisë së mësimdhënies do të qoj në përmirësim të cilësisë së arsimit”, ka thënë Shahini.

Ndër tjera, Shahini tha se kjo platformë mbulon klasën nga 1 deri në 12, dhe se është menduar edhe mësimi për fëmijët me nevoja të veçanta, ku si funksion do të aplikohet me fillimin e mësimit me 14 shtator.

Ajo tha se disa shkolla janë hapur në Shqipëri, por që viti i ri shkollor do të fillojë më 14 shtator.

Shahini: Është me interes të lartë kthimi në bankat e shkollës

“Jemi të vetëdijshëm që hapja e shkollave do ta rritë edhe transmetimin e virusit pak më shumë. Dhe këtë nuk po e themi ne, por e kemi parë edhe nga vendet e tjera që rihapen shkollat. Gjermania, Franca kanë raste që po i mbyllin shkolla individuale, apo klasa individuale. Dhe përderisa është me interes të lartë kombëtar hapja e shkollave dhe kthimi në bankat e shkollës, kjo është e mundshme vetëm nëse ne arrijmë të përgatisim gjithë këtë platformë mbështetëse në kushte shtëpie. Nëse ne duhet të mbyllim një shkollë, apo një klasë kemi menduar që nxënësit duhet të mos mbesin pa mësime, por të vijojë mësimin në kushte shtëpia”, u shpreh ajo.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj tha se marrëveshja është përgatitur në kuadër të bashkëpunimit mes dy ministrive Kosovë-Shqipëri. Sipas tij, vendi është para një sfide për organizimin e mësimit në kushte pandemie.

Likaj: Ministria e Arsimit në Shqipëri i dhuron falas këtë platformë Kosovës

“Bashkëpunimi i sotëm dhe marrëveshja të cilët e kemi përgatitur sot është në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar, të cilin e ka Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje parashihet përdorimi i një platforme të përbashkët për mësimin në distancë, të cilin Ministria e Arsimit të Shqipërisë ia dhuron falas Ministrisë së Arsimit të Kosovës, por njëkohësisht edhe ne platformën tonë do ta vejmë në dispozicion të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë. Gjithashtu biseduam edhe për marrëveshje tjera të konkretizimit të tyre, sidomos sa i përket teksteve mësimore, kurrikulave, dhe fushave të tjera”, tha ai.

Likaj tha se kanë pasur takime me kolegjiumin e DKA-ve dhe kanë vizituar 30 komunat e Kosovës për të parë përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor. Sipas tij, pjesa dërmuese e tyre përmbushin kriteret për fillimin e mësimit.

Likaj: Nesër do të dalim me një vendim përfundimtar

“Një vendim e kemi të përgatitur është gati që të nënshkruhet nga ana ime. Mirëpo, ne po presim. Sot është mbledhja e qeverisë, por po ashtu edhe rekomandimi përfundimtar nga task-forca ndërministrore sa i përket COVID-it. Besojmë që nesër do të dalim me një vendim përfundimtar dhe ne jemi të bindur që pjesa dërmuese e shkollave në Kosovë i përmbushin kushtet që të fillohet viti i ri shkollor më datën 14 në objektet shkollore”, u shpreh ai.

Në rastet kur do të ketë infektime me COVID-19 në shkolla, Likaj njoftoi se është duke u bërë gati platforma për mësim online. Ai ka theksuar se në rast të infektimit të mësimdhënësve, do të punojnë me orë plotësuese.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close