Gjykatat ende pa udhëzues për funksionim gjatë pandemisë

Nga muaji mars i këtij viti, kur u bënë publike rastet e para pozitive me Covid-19 në Kosovë, puna në institucione publike ka vazhduar me staf të përgjysmuar, për shkak të rrezikut nga infektimi.

Puna normalisht nisi nga qershori, kur qeveria e Albin Kurtit mori vendim për lehtësim të masave, pas rënies së numrit të rasteve të të infektuarve. Megjithatë, ashpërsimi i masave u rikthye sërish nga Qeveria Hoti pas rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus.

Kjo bëri që përsëri institucionet publike të punojnë me staf të reduktuar, përfshirë këtu edhe të gjitha gjykatat e Kosovës.

E tashmë veç është marrë vendimi që më 14 shtator të rifillojë mësimi nëpër shkolla në Kosovë, pas përgatitjes së udhëzimit nga Ministria e Arsimit, ku përfshihen të gjitha instruksionet se si të zhvillohet mësimi dhe të mos përhapet Covid-19.

Portali arbresh.info ka kontaktuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të parë se a kanë hartuar edhe këta ndonjë udhëzues që personeli të dalë nëpër zyre, e puna të rifillojë nëpër gjykata.

E për muajin shtator, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), po shqyrton mundësinë e vazhdimit të punës së gjykatave, pa rrezikuar përhapjen e Covid-19.

Kreu i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Skënder Çoçaj i ka thënë arbresh.info se janë duke diskutuar për të gjetur një mënyrë dhe modalitet se si të funksionoj puna e gjykatave nga shtatori e tutje.

Ai thotë se nuk është ende e sigurt që puna nëpër gjykata të nis me staf të plotë, pasi sipas tij rreziku nga përhapja e infektimit ekziston ende.

Megjithatë, sipas kreut të KGJK-së secili vendim që do të merret, do të jetë konform rekomandimit të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh) dhe Institutit të Kosovës për Shëndetësi Publike të Kosovës. (IKShPK).

“Jemi duke diskutuar si me gjet mënyrën, modalitetin si me funksionu, pas po kemi probleme edhe ne, rreziku i madh, në anën tjetër shkollat herë po hapen herë s’po hapen”, u shpreh Çoçaj.

Në anën tjetër Ministria e Shëndetësisë (MSh) për arbresh.info ka thënë se ka kërkuar nga ministritë dhe institucionet e tjera që të hartojnë udhëzues përkatës për sektorin e tyre.

Gjithashtu MSh thotë se edhe udhëzuesit e lëshuar nga kjo ministri japin shumë udhëzime, e nëse ndokush nuk mund ta bëjë vetë këtë, atëherë MSh dhe IKShPK me ekspertët e shëndetit publik do ta ndihmojnë.

“Shumë prej udhëzimeve veç janë në Manualin për parandalimin e përhapjes dhe luftimin e COVID 19. Si shembull, Ministria e Arsimit këtyre ditëve ka përgatitur udhëzuesit për shkollat duke zbatuar këshillat e IKShPK-se. Njëjtë duhet te veprojnë te gjithë resorët dhe MSh dhe IKSHPK i mbështesin”, thuhet në përgjigjen nga Ministria e Shëndetësisë

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close