Test për partinë e Putinit: Zgjedhje rajonale në Rusi

Më 13 shtator në Rusi votohet për disa guvernatorë të rinj dhe parlamente lokale. Zgjedhjet kanë zgjuar vëmendjen edhe për shkak të helmimit të opozitarit të njohur rus, Aleksej Navalni që po trajtohet në Berlin.

Zgjedhjet treditore rajonale në Rusi që filluan të premten, por si ditë kryesore votimi është e diela (13.09) kanë zgjuar kësaj here vëmendje të madhe. Ato shihen si një test për partinë e Putinit, „Rusia e bashkuar” dhe zhvillohen pak javë pas helmimit të një nga liderëve më të njohur të opozitës ruse, Aleksej Navalni. Opozitari dhe kritiku më i ashpër i presidentit Putin po trajtohet në Berlin në spitalin Charite. Helmimi i Navalnit, që u provua nga laboratorë specialë në Gjermani shkaktoi reagime botërore të zemëruara, madje u ngritën edhe zërat për sanksione të reja ndaj Rusisë.

„Votim me mençuri”

Gjatë takimeve me elektoratin për zgjedhjet komunale në Rusi, Navalni kishte bërë më parë thirrje tek përkrahësit që të mos i bojkotojnë zgjedhjet, por të „votojnë me mençuri”, për të zgjedhur kandidarët me shanset më të mira kundër partisë qeverisëse, „Rusia e bashkuar”. Kjo taktikë vitin e kaluar, sidomos në zgjedhjet e Moskës, çoi në atë që partia qeverisëse të humbasë shumë vende në parlamentin lokal. Në zgjedhjet pasuese, autoritetet vepruan juridikisht e me arrestime kundër Navalnit dhe mbështetësve të tij.

Para zgjedhjeve vlerat në sondazhe të partisë qeverisëse, „Rusia e bashkuar” kanë rënë dhe në disa rajone ka pasur në javët e kaluara protesta. Në disa sondazhe partia qeverisëse arrin vetëm 30% mbështetje. Për këtë si përgjegjëse shihet reforma jopopullore e pensioneve, që ka rritur moshën e pensionit, si edhe gjendja e vështirë ekonomike për shkak të krizës së naftës dhe pandemisë së Coronës.

Pakënaqësi në rritje

Arrestimi i ish-guvernatorit, Sergej Furgal në lindjen e thellë të Rusisë para disa javësh, për shkak të një përzierjeje të tij të dyshuar në një rast vrasjeje, shkaktoi protestat më të mëdha që ka parë ky rajon. Mbështetësit e Furgalit kritikuan përzierjen e Moskës dhe lënien mbrapa nga ana e qeverisë të rajoneve të largëta të Rusisë. Edhe protestat në Bjellorusi kundër presidentit Aleksander Lukashenko kanë shkaktuar mitingje solidarizimi në Rusi me opozitën bjelloruse. Protestat e fundit janë sinjale për një rritje të pakënaqësisë në popullsi dhe rritje të potencialit të votës protestuese, sipas vëzhguesve.

Zgjedhjet të dielën zhvillohen në 41 rajone të Rusisë, ku votuesit janë të thirrur të zgjedhin guvernatorët në 20 rajone, parlamentet rajonale dhe këshillat komunalë. Përveç kësaj në zgjedhje pasuese do të votohet edhe për katër vende në parlamentin rus. Në Novosibirsk janë paraqitur edhe 30 kandidatë të pavarur që kanë krijuar një aleancë kundër partisë qeverisëse, „Rusia e bashkuar”. Në të gjithë vendin kanë dalë në garë edhe kandidatë nga katër parti të reja ruse që mbulojnë hapësirat e teknologjisë, mjedisit, biznesit dhe ruajtjes së vlerave konservatore. Sipas vëzhguesve, zhvillime të tilla i nxit vetë Kremlini, sepse synon që të përçajë opozitën dhe të krijojë në zgjedhje imazhin e pluralitetit politik.

la/ag/dw

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close