Vlerësohet kontributi profesional dhe shoqëror i prof. Sabit Brokaj

ATSH/Kryeministri Edi Rama përsolli sot mesazhin për ndarjen nga jeta të ish-deputetit dhe ministrit Sabit Brokaj.

“Lamtumirë miku im”, shprehet Rama.

Presidenti Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesor Sabit Brokaj, mjekut dhe intelektualit të shquar, gjithmonë të angazhuar në çështjet kombëtare edhe si deputet e ministër.

“Trishtues lajmi për ndarjen nga jeta të Profesor Sabit Brokaj, mjekut dhe intelektualit të shquar, gjithmonë të angazhuar në çështjet kombëtare edhe si deputet e ministër.

Ngushëllimet më të ndjera familjes Brokaj, të afërmve dhe miqve të tij për këtë humbje të pazëvendësueshme që na lëndoi të gjithëve ne që e njohëm nga afër. I paharruar kujtimi i Profesor Sabitit”, thotë Meta.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka drejtuar sot një mesazh ngushëllimi familjes së Profesorit Sabit Brokaj, pas ndarjes nga jeta të profesorit dhe poitikanit të njohur.

“Me dëshpërim e dhimbje të thellë mora vesh lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Sabitit, bashkëshortit e prindit tuaj të shtrenjtë dhe kolegut e shokut tim të dashur. Sabit Brokaj ishte një ndër personalitetet e mjekësisë shqiptare, me një kontribut të pakrahasueshëm në zhvillimin dhe konsolidimin e shërbimit të kardiologjisë, dhe për të cilin ka fituar mirënjohjen e kolegëve dhe të qytetarëve.

Sabiti do të kujtohet si një ndër politikanët më parimorë, më të urtë dhe më të mençur të Shqipërisë, bashkëthemelues i të majtës shqiptare dhe mbartës e përçues i vlerave më të mira të saj, si edhe i vyrtyteve më të larta të shqiptarëve”, thotë Ruci.

Më tej, në letrën e ngushëllimit, kryetari i Kuvendit vlerëson edhe rolin e tij si politikan në Shqipëri.

“Si deputet për disa legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë, shkëlqeu për përkushtimin e pashoq, arsyetimet e thella, logjikën e pakundërshtueshme, oratorinë dhe elokuencën, por edhe thjeshtësinë mbresëlënëse dhe lidhjet e pandshme me njerëzit. Si dekan i Fakultetit të Mjekësisë, profesor Sabiti kontribuoi për modernizimin e mësimdhënies e të formimit të mjëkëve të rinj shqiptarë me dijet e shprehitë bashkëkohore.Si Ministër i Shëndetësisë, u shqua për drejtimin e mençur përballë sfidave të mëdha që kërkonte mbrojtja e shëndetit të popullit, në rrethana tepër të vështira”, shprehet Ruçi.

“Si Ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë në një ndër periudhat më kritike për vendin, kontriboi në modernizimin e ushtrisë shqiptare dhe rritjen e bashkëpunimit të saj me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, ShBA dhe vendet e BE-së.

Sabiti do të na mungojë gjatë të gjithëve, por boshësinë e krijuar me ikjen e tij të parakohshme, do të mbushin kujtimet e respekti dhe nderimi për këtë bir të shquar të Shqipërisë e të Labërisë, për këtë trim të mendjes e të veprimit, për këtë patriot të madh, për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që u shërbeu familjes, atdheut dhe njerëzve deri në çastet e fundit të jetës” thotë kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në letrën e ngushëllimit drejtuar familjes së profesor Sabit Brokaj.

Edhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të profesor Sabit Brokaj.

Manastirliu thotë se karriera e Brokajt si mjek në fushën e kardiologjisë la gjurmë në mjekësinë shqiptar.

“E hidhëruar për lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Sabit Brokajt. Prof. Brokaj shërbeu si Ministër I Shëndetësisë në një periudhë tranzicioni të vështirë, në vitin 1991, por karriera e tij e gjatë si mjek në fushën e kardiologjisë, la gjurmë në mjekësinë shqiptare. Kontributi profesional dhe shoqëror i prof. Sabitit do të mbetet i vlerësuar ndër breza.
Ngushëllime familjes, kolegëve dhe miqve të shumtë! U prehtë në paqe’’, thotë ministrja në mesazhin e saj të ngushëllimit.

“Shumë i hidhur lajmi për ndarjen nga jeta të Sabitit! Një drejtues trim i familjes sonë socialiste në vitet e vështira të përballjes me diktaturën berishiane, një politikan parimor e një lab i vërtetë me urtësi të rrallë, i përkushtuar gjithmonë në mbrojtje të vlerave kombetare, një profesor i madh dhe mjek i papërtuar”, u shpreh kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Edhe kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ndarë një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të profesor Sabit Brokaj.
“I papritur dhe i trishtë lajmi i ikjes së doktorit të nderuar, Sabit Brokaj, një socialist safi, i urtë e mendjemprehtë. Lamtumirë profesor! Ngushëllime familjes”, thotë Veliaj.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close