MEDITIMI NË VARGJE

Meditimi është përdorur shpesh në ligjërimin popullor, në komunkimin për transmetimin e përvojave njerëzore të jetës apo dukurive historike. Zakonisht ky meditim shprehet në dy vargje, në trajtë poetike, me rimë e ritëm, si elemente vjershe. Ai ka qenë përherë një nga format më të pëlqyera filozofike të vlerësimit të dukurive pikante të jetës. Ngjante me fjalët e urta, por ishin më të thelluara, më zhbiruese, në të menduarit rreth problemeve apo fenomeneve të jetës sociale.
Pra, dyvargëshet ishin (dhe janë) aforizma mendore, të shprehura në trajtë letrare. Veçori e tyre është evidentimi i një dukurie të jetës, në vargun e parë, dhe qëndrimi emocional i autorit , në të dytin. Distiku (apo dyvargëshi) jep kështu një tablo tronditëse të dramave të jetës, por edhe thelbe të përgjithëshme përjetuese, të cilat lidhen me fatin njerëzor.
Dikur, nga mesi i shek. të 19-të, kur luftohej kundër invazioneve të huaja, turke e greke, në Jugun shqiptar, vështirësitë e sakrificat e luftëtarëve tanë për mbrojtjen e vendit ishin të panumërta. Armiqtë vinin përherë me numër forcash e mjetesh më të shumta luftarake, ndërsa tanët ishin përherë më të paktë. Por bashkimi i tyre, qëndresa heroike, ideali për liri, i bënte ata të pathyeshëm. Këtë evidention edhe dyvargëshi meditativ i asaj kohe, i evidentuar në këngët popullore:

Hajmedet, o Musa palla,
Tej së zezës është e bardha…-

Domethënë se, pavarësisht vështirësive, fitorja do të ishte e sigurtë. Kontrasti artistik është një mjet i fuqishëm i meditimit.
Një tjetër dyvargësh, po nga ajo kohë. Djemtë e rinj organizoheshin në çeta, si ajo e Bilbilenjve. Ata ishin bërë tmerri i koshadheve turke. Por kë kishin mbështetës për jetë e për kokë këta djem? Kishin shokët e tyre, të cilët i ndihmonin, u gjendeshin në vështirësi, rrezikonin edhe veten e tyre për ta. Prandaj, kur ndonjë nga këta djem vritej në luftime me armikun, shokët e qanin me ligje. Ja ç’ thotë dy-vargëshi për kapedanin e Bilbilenjve:

– O Bilbil, ç’i bëre lotë?
– I kam derdhurë për shokë!…

Shoku ishte gjithçka në ato kushte, na ato luftra, në ato vështirësi. Ishte diçka si buka, ajri, dielli…
Në luftën heroike të vitit 1920, midis vargjeve të shumtë, thuhet edhe ky dy-vargësh:

… Kam përpara një kala,
Do më hajë, a do ta ha!…

Meditohet për palët ndërluftuese, përsëri me disproporcion forcash, por me besimin spartan se lufta popullore do triumfojë. Kalaja ishte në fakt ajo e Kaninës, por luftëtari popullor simbolizon me ‘të kalanë tjetër, të blinduar, atë të armikut.
Dyvargëshe meditative nuk kanë thurur vetëm krijuesit popullorë të çastit. Kanë krijuar edhe poetë e rapsodë të kohëve të ndryshme. Sidomos në sferën e jetës, duke nënvizuar thelbe të mëdha në këtë fushë të ekzistencës. Poeti i madh, Ali Asllani, në motivet e tij patriotike, shkruan diku një distik shumë prekës, me vlerë të përgjithëshme:

Ç’ do të thotë patriot?
Një tufë ah e një tufë lot…

Por distikët e jetës e të halleve të saj janë edhe më të shpeshtë e me ngarkesë të madhe emocionale.

Miserdhtë, o halle, miserdhtë,
Qetë shtatë, u bëtë tetë!-

-përdoret si fjalë e urtë diku në Jug.
Ndërsa një rapsod i sotëm i Vlorës, shkruan në librin e tij me vjersha një dyvargësh të thellë:

Kur të vdes, dua dy varre,
Një për vete, një për halle!

Sa dramë ndryn brenda ky dyvargësh! Hallet nuk po zgjidhen sa është gjallë autori, prandaj ai do edhe një varr për ‘to. Kjo filozofi është evidente edhe për të gjithë njerëzit, prandaj ai merr vlerë filozofike.
Ja edhe një tjetër për jetën. E ka lëçitur rapsodi i njohur i fshatit Brataj të Vlorës, M. Hasani, gjysmë shekulli më parë:

Një shekull jetë kam parë,
Sikur kam ngjitur një shkallë!

Nënvizon kështu etjen e pashuar për jetë…

/Nga Idajet Jahaj

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close