SIMBOLIKA E LOTIT NË POEZINË E ALI ASLLANIT

1.

Është interesante të veçohet e të njihet si objekt më vete përdorimi i detajit të LOTIT në poezinë e Ali Asllanit. Janë bërë shumë studime për poezinë e tij, të veçantë e të thellë; janë kapur shumë objekte vëzhgimi, por për imtësinë e detajeve, siç është simboli i lotit, nuk është bërë. Ky detaj, i imtë në dukje, por i thellë në shprehje, është i veçantë për këtë poet. Ai e ka përdorur këtë emër, këtë objekt, këtë dukuri, si simbol të reflektimit e të përcjelljes së përjetimve të tij, të ndjenjës së madhërishme të dashurisë.

Loti është përdorur shpesh nga poetët e kohëve të ndryshme, të traditës e të sotmit, por tek asnjëri prej tyre kaq dendur. Aliu e ka lakuar atë edhe në motivin tjetër të tij- atë patriotik, por jo me këtë ngarkesë e dritëzim si tek motivi erotik.
Pse e ka përdorur kaq shpesh? Sepse ai ka dashur të trasmetojë zjarrin e ndjenjës te lexuesi. Ka dhënë jo vetëm botën e tij, por njëherazi edhe ndjenjat e masës së njerëzve. Të gjitha qëniet njerëzore janë të përshkuara nga kjo përgjërimë… Pra, loti- rruzull, si element mikrobote e trupit të njeriut, si refleks, si trasmetim. Ai është pasojë e një përjetimi të madh të dramave shpirtërore, të gjëndjeve të gëzueshme, por sidomos të dhimbëshme. “Qesha me lot” thuhet për gjendjen e gëzueshme. Ose në rastin kur njeriu pëson ngjarje tronditëse të fatkeqësisë. “Lotët që kam derdhur s’ më janë dhe tharë”- shkruan i madhi Çajup.

Por loti i Aliut është diçka tjetër, jo si këto dy lloje. Ai është loti i përgjërimit ndaj dashurisë. Është kaq i thellë ky përjetim, sa që ai shpesh e më shpesh shoqëron ndjenjat e tij të përvuajtshme ndaj së dashurës, ndaj së bukurës. Dhe kjo në çdo rast është vasha. Për ‘të ai vuan, zbehet nga malli, përndizet përsëri, këndon e rikëndon. Këngën nuk e pret kurrë edhe në ditët e mugëta të moshës. Ky mall do ta përzhitë e ndritë atë gjatë stinëve të shumta të jetës. Është një mall hyjnor, siç e cilëson edhe vetë në shumë vargje. Por ai i përdor funksionalisht lotët. Ata bëhen elementë ndriçues të poezive aq të ndjera.

Ah, ky mall, ky mall i çmendur!-

shkruan në vargun e një vjershe, dhe, ashtu si Lasgushi i madh, e përsërit shpesh edhe këtë emër të valë. Malli është si një fill ylberik që përshkon të gjitha poezitë e këtij motivi. Poeti shpreh ndjenjat intime për vashën konkrete dhe vashat në përgjithësi. Pra, për atë moshë të gjinisë tjetër që është “në lule të jetës…dhe që zhvillon jetën”- siç thotë ai. Është i magjepsur pas saj. I kushton epitete e metafora të panumërta. Ashtu sikurse thirrmorë, sinekdoka e metonimi të ndezura. I drejtohet asaj moshe në njëjës e në shumës (vasha, vashëza).
Por loti i tij nuk është qarje ligështimi. Nuk është zvetënim, përkeqësim. Në poezi ai është lot artistik. Poeti loton pa nxjerrë lot. Këtë efekt të fortë stilistik e përdor me sukses. Loton si njeri, si poet. Ashtu sikurse sivëllezërit e tij të mëdhenj, botërorin Omer Khajam, apo Lasgushin tonë, aq të ndritshëm.

2.
Le të shohim tani disa shembuj që reflektojnë këtë ndjenjë të tij. E fillon me religjionin. Thotë: “trupi i vajzës- gosti qielli”. Pra, nga zoti. Më poshtë:

Flas për ty e flas për zotin,
Si e ka stolisur lotin;
Atë lot që më ka hije
Kur në këmb’ të tua bie…

Loti është dritë-zë-dhënës i shpirtit:

Po për zotin, moj, për zotin,
Në këmbim të dashurisë, perëndia krijoi lotin.

Aq shumë funksione i jep këtij simboliautori, sa që ai duket si personazh nëpër poezi. Trishton e dritëzon bashkë me poetin, lëngon e këndon bashkë me ‘të. Shpreh dhimbjen e largësisë nga vasha që do, shpreh ekstazën e dertin. Thotë për vashën : “Do ta koj me pika loti” ! “Koj” është një fjalëz e hershme në Labëri, por e përdorur në këtë mënyrë, merr një dritë të veçantë. Kohet (ushqehet) fëmija, kur është i vogël. Këtë veprim bën poeti edhe për vashëzën. Këtë zvogëlim e bën për të vënë në dukje shtrenjtësinë e ndjenjës për ‘të. Pra, do ta koj me pika shpirti ! Mrekulli figurative.
Loti është “kryepajë”. Ai reflekton të sotmen, por edhe kujtimet, gjurmët, motin e shkuar… të dashurisë. Dhe religjioni vazhdon:

… Shijon gazin, shijon lotin,
Më jep ras e flas për zotin;
… Lermëni t’ju qaj me lot,
Sepse femra del nga brinja-
Urdhëron i madhi zot!

Kujtohet këtu miti biblik i Evës me Adamin.
Dashuria rrjedh si një lumë i shndritshëm. Kjo pasqyrohet edhe në lot:

Pik’ e lotit që lëshonet urtë e butë për dashuri,
Bën atë që në faltore nuk e bëjnë shtatë qiri;
Nuk e bëjnë shtat’ qiri, shtatëdhjetë e shtatë qiri,
E pra, eja e më eja, përsëri e përsëri!

Hiperbolizimi rrit efektin e ndjeshmërisë ndaj fenomenit shpirtëror, asaj llave vlimi në gji. Vijon nostalgjia për kujtimet:

T’i vaditim me lot syri lulet tona që u thanë…

Lulet janë veprimet, përjetimet, kujtimet. U jep imazhin e saksive apo të lehës me lule… Dhe “qan” për ‘to. “Për kujtimet paska lot e paska dhimbje”- thotë më tej. Bile, futet edhe më thellë në fantazi: “Në bërthamën e një loti/ kërkoj gjurmët e një moti”. Ashtu si Lagushi i madh: “Për kujtimet që më s’ janë”.

Dashuria, dashuria,
Më pat puthur mu në ballë;
Pik’ e lotëve të mia
Vetëtin si gur i rrallë.
(Lasgushi)
Zemra e poetit Ali është e rrethuar nga aureola e dashurisë për jetë. Vajton për vashëzën, për vashat, por me lotët e brendshëm, të padukshëm, të shpirtit. Ky vaj është njëherësh njëherësh këngë shpirti, hov, meditim. Nëpër vargje ndjehet gjëmimi i tyre. Siç thotë populli “heq në shpirt”. Ja edhe një kuadër mrekullor lirik e metaforik i natyrës, i cili e ka të pandarë lotin:

Në vjeshtë dielli nuk të djek,
Pik’ e vesës lot pikon;
Duket fleta që u prek,
Duket flladi që rënkon.

Dukuritë e gjëndjeve njerëzore kalojnë te elementët e natyrës. Ndërsa një figurë e hollë:

Edhe vajza vetë në krye të valles,
Mu si pik’ e lotit majave qepalles.

Si ndriçon një pikë loti në atë majë aq të imtë?? Ashtu si petla e dëborës në halëzën e pishës. Dhe më pas: “Kur më vjen e më këndon mu në majë të një qerpiku”. Ndërsa loti është më i ëmbël edhe se mjalti:

Ku si bleta, zoga bletë, që fsheh mjaltin nëpër hoje,
Kemi fshehur lotët tanë- dy herë mjalt’ i bardhë në hoje!

Vizione të holla, të bukura, të ndritëshme, transparente. Ka nevojë edhe për shpjegim të ndonjë figure. Për shembull: pse mjalti (i lotëve)- i bardhë? Sepse loti është stërpikur (piksur) nga brenga e madhe që i vlon poetit në gji. Një epitet kaq i thjeshtë për një gjendje kaq të ndezur.
E zvogëlon lotin me prapashtesën “ëzë”. Pse duhet kjo, kur vetë loti është një mikrobotë në sytë e njeriut? “Do t’i qaj me lotëzë”- thotë ai. Pra, për të rritur, nga ana tjetër, përkëdhelinë e poetit për këtë bulëz, të shkëlqyer nga lëngata shpirtërore.
Ndërsa një përcaktim tjetër, nga ata të rrallët:

Po u bë ajo që s’ bënej, si pra, zemra të durojë:
Syri lotin ta qëndisë, loti syrin ta harrojë?

Kjo mrekulli figurative do pak shtjellim: Sikur fëmijën, djalin apo vajzën, e nis dhe stolis në jetë babai e nëna, por ata ikin e i harrojnë prindërit që vuajnë! Po ashtu edhe syri lotin. A ka paralelizëm figurativ më të bukur, më prekës? Aliu bën kështu sendërtimin e objekteve të imta. Pse loti e harron syrin? Sepse ai e dërgon lotin për…tek e dashura, por loti s’ ka shkuar atje! Pra, e harroi ? Gjallërim, personifikim, njerëz-im. Zemra e poetit zjen e buçet nga havra për të dashurën.

Oooooo, sa shumë nga vargjet e Aliut duan komente të tilla meditative! Por edhe kaq mjaftojnë sa për të prekur sadopak madhështinë e vargjeve të tij. Duhet një libër tjetër, i hapësirtë, për të shtjelluar Aliun e madh, të hollë e të ndjeshëm. Si u tha më lart, për ‘të loti është Kryepaja, pasuria e tij e madhe. Ai ia jep atë vashës, ta shkelë këmba e saj! Ashtu si tek Naimi i drittë. Dhe kujtimet i vijnë “palë, palë me gaz e lotë”. Por s’ mund t’i thotë të gjithë ylberët e ndjenjës për ‘të, e prandaj derton sërish në religjion:

E ajo e un’ e Zoti,
ne të tre e hiç njeri;
Dhe në pika të çdo loti-
yll’ i fatit rreth flori…

Idajet Jahaj (nga një libri studimor për artin e Ali Asllanit)

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close