Emra ilir hyjnish dhe tiparet e tyre

Heqja e mjekrës është një element qytetërimi dhe u bë modë, sidomos tek romakët. I pari ndër më të mëdhenjtë mbretër të botës së lashtë që paraqitet gjithnjë i rruar dhe pa mjekër, është Aleksandri i Madh i Maqedonisë. Ndonëse Aleksandri i Madh bëri sinkretizimin e miteve të Lindjes dhe të Perëndimit dhe gjoja u mbiquajt si Zeusi Amon, prapë në të gjithë skulpturat, monedhat apo mozaikët që paraqesin Aleksandrin e Madh ai tregohet pa mjekër. Kjo do të thotë që edhe mbretërit ilirë si fjala vjen Agroni apo Genti kanë preferuar modën pa mjekër të paraqitjes së tyre ndryshe nga bashkëkohësit e shteteve greke, që rëndom e paraqesin veten me mjekër në shëmbëlltyrat artistike apo numizmatikë. Portreti ikonografik i Redonit është një kryevepër e vërtetë arti. Mund të thuhet se ky portret ka qenë arketipi ose dhe prototipi i të gjithë shëmbëlltyrave të tjera të Hyut Redon në tempujt a monumentet që i kushtoheshin atij. Ky portret ikonografik tregon një nivel shumë të lartë të artit skulpturor apo miniaturës. Portreti i Redonit hyn kështu në kryeveprat e historisë së artit ilir të gjithë kohërave.
Përsa i përket atributeve të tjera të këtij hyu, mund të them se ai ka qenë jo vetëm Hyu i detrave, por ka pasur edhe atribute të karakterit luftarak apo të kryetarit të panteonit politeist ilir të ngjashëm me ato të Zeusit të parthinëve, fis ilir në Shqipërinë qendrore, pranë Lezhës. Identifikimi i hyut Redon plotësohet edhe nga zbulime të tjera arkeologjike.
Duke qenë hyu kryesor i ilirëve dhe kryesisht i ujërave dhe detrave është provë e autoktonisë shumë të lashtë të ilirëve. Hyjnitë e ujërave janë nga më të kryehershmet në mitologji, se lidhen me elementin kozmogonik të ujit në gjenezën e botës dhe njeriut pra dhe të etnogjenezës së ilirëve dhe shqiptarëve.
Comments are closed.