Plisi simbol i lirisë në Romën antike

Nga Blerim Latifi

Muaj më parë më ra në dorë një libër shumë interesant mbi Romën e Lashtë. Libri ka për autore historianën Mary Beard, e cila gjithë jetën akademike ia ka kushtuar civilizimit romak. Mes shumë e shumë gjërave interesane, aty më ra në sy një detaj që të lë pa fjalë kur e lexon. Ky detaj ka të bëjë me vrasjen e Jul Cezarit në Senatin Romak, nga një grup senatorësh, në marsin e vitit 44 para Erës së Re. Cezari u vra për shkak se synonte ta kthente Romën nga republikë në diktaturë absolutiste të tij. Ata që e vranë thanë se këtë e bënë për të mbrojtur liritë e popullit të Romës. Beard tregon se në momentin pas vrasjes atentatorët vendosën plisat e bardhë mbi kokat e tyre.

Plisi i bardhë, të cilin romakët e quanin pileus, pra me një emër shumë të ngjashëm me emrin shqip, ishte simbol i Libertas, perëndisë romake të lirisë. Fëmijët kur maturoheshin, fitonin të drejtën për të mbajtur plisin në kokë. Skllevërve, kur i jepej liria, në momentin e çlirimit u vendosnin plisin në kokë. Në një vjetorin e vrasjes së Cezarit, atentatorët prodhuan një monedhë në të cilën gdhendën dy thika dhe midis tyre plisin e bardhë, simbolin e libertas. Forma e tij është krejtësisht identike me formën që ka plisi i bardhë i shqiptarëve, i cili ende përdoret në Shqipërinë e Veriut dhe në Kosovë, ndonëse në masë tepër të vogël. Me këtë nuk dua të them se ata që vranë Cezarin ishin ilirë, as se ilirët e morrën plisin nga romakët.

Dua të them se ilirët dhe romakët, meqë jetonin në fqinjësi, ndanin shumë vlera të përbashkëta, mite, perëndi, simbole, rregulla sociale dhe mentalitete, ndërsa plisi i bardhë është dëshmi e fuqishme e vazhdimësisë kulturore iliro-shqiptare. Mos u lodhni duke kërkuar gjurmët e kësaj vazhdimësie në gërmadha të groposura, në varre të humbura e dorëshkrime të fshira nga koha. E keni para syve, në kokat e pleqëve të Kosovës e të Shqipërisë së Veriut.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close