50 vjetori i vdekjes së Erich Maria Remarkut: “Asgjë e re në frontin e Perëndimit”

“Asgjë e re në frontin e Perëndimit” është romani par-ekselencë kundër luftës. Në 50 vjetorin e vdekjes së Erich Maria Remarkut, një vështrim në librin e tij me famë botërore.

Libri i Remarkut është portreti i një brezi, i cili nga bankat e shkollës vajti me eufori në front dhe humbi në fund jetën nga makineria vrastare e luftës. Shumë burra në fillim të shekullit të 20-të e pritën me të vërtetë me padurim Luftën e Parë Botërore.

Ishte koha e përmbysjeve të mëdha dhe e pasigurive të mëdha. Progresi teknik përcaktonte hapin: fabrika, makina, zbulime të reja shkencore. Shoqëria patriarkale pësoi çarje, gratë u rebeluan kundër roleve dhe modeleve të vjetra dhe kërkonin me zë të lartë më shumë të drejta.

E vjetra mbaroi, e reja erdhi shumë shpejt dhe i befasoi njerëzit duke i mbingarkuar ato, sidomos botën mashkullore. Kështu ata shpresonin se lufta mund të ishte “forca pastruese” për të ndaluar ndryshimin. Ata e brohoritën shpërthimin e luftës në verën e vitit 1914 dhe besonin fort, se për Krishtlindje do të ishin përsëri në shtëpi. Por nuk doli ashtu.

“Ne mësuam, se një pullë e pastruar mirë është më e rëndësishme sesa katër vëllime të Schopenhauerit. Në fillim të çuditur, më pas të hidhëruar dhe më në fund indiferentë, kuptuam se me sa dukej nuk ishte ideali vendimtari, por […] trajnimi i fortë”.

“Asgjë e re në frontin e Perëndimit” nga Erich Maria Remarque

Jeta në llogore

Kasaphana në llogore, nata nën breshërinë e granatave, monotonia midis sulmeve: Të gjitha këto i përjeton rrëfyesi i Remarkut në vetën e parë, një rekrut i ri. Nxënësi delikat kthehet në një qënie gjysmake të shtangur.

“Një rekrut (…) tërheq pas vetes gjurin e copëtuar; një tjetër shkon te pika e fashimit të plagëve, dhe mbi duart që i mban të kryqëzuara shpërthejnë zorrët (…) Tmerri mund të durohet, për sa kohë i nënshtrohesh; por ai merr jetë, kur e mendon”.

Gënjeshtra nga nevoja çoi në suksesin botëror

Remarku i përshkroi shumë qartë ngjarjet e luftës, por atij vetë iu desh të luftonte shumë shkurt në front. Në vitin 1916 ai u rekrutua me detyrim duke qenë nxënës shkolle, por shumë shpejt u plagos dhe u dërgua në një spital fushor. Atje ai dëgjonte historitë e të plagosurve rëndë në front dhe mbante shënime, prej të cilave doli më vonë romani i tij me famë botërore. Por për të stimuluar shitjen e librit Remarque, pohoi se i kishte përjetuar vetë të gjitha. “Asgjë e Re në frontin e Perëndimit” u botua për herë të parë si libër në vitin 1929 dhe u bë brenda natës një nga sukseset më të mëdha në letërsinë gjermane. Kritikët në të gjithë botën e përshëndetën romanin si një “akuzë pacifiste kundër luftës”. Pak kohë më vonë ai u bë madje film nga Hollywoodi.

U dogj dhe u ndalua

Qarqet e djathta në Gjermani shihnin tek libri baltosjen e kujtimit të ushtarëve të tyre. Në vitin 1933 pas marrjes së pushtetit nga nazistët, libri i Remarkut u dogj publikisht dhe u ndalua. Ndërkohë autori i tij kishte emigruar prej kohësh në Zvicër. Remarku derisa vdiq shijoi imazhin e tij si pacifist dhe famën e tij të hershme, por e cila nuk u pasua me vepra të tjera. Vite më vonë ai e pranoi, se kishte qenë gjithmonë një njeri apolitik.

Erich Maria Remarque u lind në Osnabrück në 1898 në një familje, që kishte emigruar nga Franca. Në vitin 1933 ai emigroi në Zvicër. Puna e tij u dënua nga nazistët dhe shkrimet e tij u hodhën në zjarr gjatë djegies së librave. Nga viti 1939 ai jetoi në SHBA, pas luftës jetoi edhe në Shtetet e Bashkuara edhe në Zvicër. Ai ndërroi jetë në Locarno në vitin 1970./dw

 

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close