Republikanët sigurojnë votuesit amerikanë për tranzicion paqësor të pushtetit

Republikanët kanë reaguar me vendosmëri ndaj refuzimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u deklaruar rreth transferimit të pushtetit në mënyrë paqësore pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, duke siguruar amerikanët se ligjvënësit do ta pranojnë rezultatin.

Trump ka refuzuar të deklarohet nëse do ta dorëzojë paqësisht pushtetin në rast se humb zgjedhjet, gjatë një konference për media në Shtëpinë e Bardhë.

Teksa është përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, Trump ka thënë se pret që rezultati zgjedhor të caktohet nga Gjykata Supreme.

“Neve na duhet të presim se çfarë do të ndodhë”, ka thënë Trump.

“Do ta shohim”, ka thënë mes tjerash presidenti amerikan, kur është pyetur nëse zgjedhjet do të jenë legjitime nëse vetëm ai është fitues.

Trump po ashtu ka thënë se dëshiron “të sigurohet se zgjedhjet janë të sinqerta, por nuk jam i sigurt se ashtu do të jenë”.

Këto komente të presidentit amerikan më 23 shtator, kanë nxitur reagime nga të dyja partitë.

Shumë senatorë republikanë, bashkë me disa deklarata të Shtëpisë së Bardhë, kanë tentuar të sigurojnë votuesit se do të ketë transferim paqësor të pushtetit, siç përcaktohet me kushtetutën amerikane.

Demokratët, në anën tjetër, kanë kritikuar Trumpin dhe kanë thënë se ai nuk mund të injorojë votën e njerëzve.

“Fituesi i zgjedhjeve të 3 nëntorit do të inaugurohet më 20 janar. Do të ketë transferim të rregullt të pushtetit, sikurse është bërë çdo katër vjet, nga viti 1792”, ka thënë lideri i shumicës në Senatin amerikan, Mitch McConnell.

Senatori tjetër republikan, Lindsey Graham ka thënë për rrjetin Fox, se nëse humbin republikanët, “ne do ta pranojmë rezultatin. Nëse Gjykata Supreme vendos në të mirë (të të nominuarit të demokratëve për president), Joe Biden, unë do ta pranoj rezultatin”.

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë, Kayleigh McEnany, ka tentuar të qartësojë fjalët e Trumpit, duke thënë se ai “do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta”.

Mirëpo ajo ka shtuar se Trump dëshiron të “shmangë votimin masiv përmes postës”.

Trump ka thënë vazhdimisht se votimet përmes postës janë të cenueshme dhe ka sulmuar demokratët që janë duke promovuar këtë lloj votimi për personat që nuk duan të rrezikojnë infektimin me koronavirus, teksa shkojnë në qendrat e votimit të mbushura me njerëz.

Në një intervistë për Fox News Radio më 24 shtator, Trump i ka konsideruar votimet përmes postës “të tmerrshme”.

Ai ka kundërshtuar në veçanti vendimin e disa shteteve që u kanë dërguar të gjithë votuesve fletëvotimet përmes emailit, pavarësisht a i kanë kërkuar ato.

Përkrahësit e votimit përmes postës përmendin studimet që tregojnë se kjo mënyrë e votimit nuk ka qenë problematike përgjatë viteve.

I pyetur për komentet e Trumpit, Biden fillimisht ka pyetur, “Në cilin shtet jemi?”, dhe më pas ka shtuar “Shikoni, ai thotë gjërat më të paarsyeshme. Nuk e di çfarë të them për këtë. Mirëpo nuk më befason kjo gjë”.

Demokratët tjerë kanë akuzuar Trumpin për kërcënim të demokracisë amerikane dhe politizim të mëtejmë të nominimit të kandidatit që mund të zëvendësojë gjykatësen e Gjykatës Supreme, Ruth Bader Ginsburg, që ka vdekur javën e kaluar.

“President Trump, ju nuk jeni diktator dhe Amerika nuk do të lejojë që ju të jeni ashtu”, ka thënë lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Schumer e ka konsideruar presidentin si “kërcënimin më të madh” për demokracinë amerikane, teksa ka mbajtur një fjalim nga dhoma e Senatit.

Udhëheqësja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, u ka bërë thirrje amerikanëve që të dalin në votime dhe i ka rikujtuar Trumpit se SHBA-ja është demokraci.

”Ju nuk jeni në Korenë Veriore, në Turqi apo në Rusi”, ka deklaruar ajo.

Organizata që monitoron demokracinë, Freedom House, po ashtu ka kritikuar deklaratat e Trumpit.

“Përpjekjet e vazhdueshme të presidentit Trump për të vënë në dyshim legjitimitetin e zgjedhjeve amerikane, duhet të jetë çështje për shqetësim nga të gjithë në SHBA, pavarësisht qëndrimeve politike”, ka thënë kjo organizatë.

Më 24 shtator, ndaj Trumpit është treguar pakënaqësi, teksa ai ka bërë homazhe ndaj gjykatëses, Ginsburg, e cila ka vdekur në moshën 87-vjeçare.

Spektatorët kanë bërtitur “votoni kundër tij”, ndërkohë që Trump me maskë, ka qëndruar në heshtje afër arkivolit të Ginsburgut./rel

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close