Gjithçka që ndodhi dje në zyrat e veteranëve

Një aksion që filloi me bastisje në zyrat e Organizatës së Veteranëve të luftës së UÇK’së, përfundoi me arrestimin e dy prej figurave kryesore të kësaj organizate. Kreu i kësaj organizate, Hysni Gucati, u arrestuar në zyrën e tij nga policë të EULEX’it, derisa nënkryetari i saj, Nasim Haradinaj, u arrestua nga hetues të Speciales në hyrje të Televizionit 7, ku kishte qenë i ftuar për intervistë.

Selia e Organizatës së Veteranëve të UÇK’së në lagjen Qafa mëngjesin e djeshëm u bastsis nga rreth 50 policë ndërkombëtarë, të maskuar e të armatosur. Ata qëndruan për disa orë brenda zyreve të veteranëve, derisa kur dolën morën me vete edhe kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin.

Përmes një njoftimi drejtuar mediave, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka bërë me dije se Gucati, dyshohet për pengim në administrimin e drejtësisë, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Akuzat ndaj tij janë të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sipas njoftimit.

ZPS-ja ka bërë të ditur se të dhënat për datën dhe orën e paraqitjes së Gucatit para gjykatësit të procedurës paraprake do të bëhen të ditura ditët në vijim.

Por, Gucati nuk është i vetmi që u arrestua dje. Nën pranga u vu edhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj.

Haradinaj u arrestua derisa ishte duke ardhur në zyrat e televizionit T7 për intervistë.

Ai nuk ka pranuar që të futet në veturën e hetuesve të Speciales dhe ka pritur derisa kanë ardhur pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

“Nuk shkoj me ta, vetëm me policinë e Kosovës”, tha Haradinaj për Express.

Për arrestimin e tij, ai e ka fajësuar gazetarin Vehbi Kajtazi.

Ndryshe, tri herë gjatë këtij muaji, Organizata e Veteranëve të Luftës ka thënë se ka pranuar – në mënyrë anonime – dosje që lidhen me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë.

Përmbajtja e këtyre dokumenteve nuk është bërë e njohur dhe nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike ose jo.

Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka thënë, këtë javë, se disa aktivitete në të cilat është e përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur“.

Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjykata Speciale ka selinë në Hagë dhe financohet nga Bashkimi Evropian.

Më 24 shtator, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka arrestuar edhe Salih Mustafën – njërin prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close