Kalon një milion numri global i viktimave nga COVID-19

Numri i përgjithshëm i viktimave nga koronavirusi ka kaluar një milion, derisa vendet në të gjithë botën përballen me shkallë në rritje të infektimit dhe shqetësime për një valë të dytë.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, shifra kapërceu një milion pasi numri i viktimave në Indi u rrit mbi 95,500.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha se ky është një “një moment i pikëllueshëm historik”.

“Viktimat janë baballarë dhe nëna, gra dhe burra, vëllezër dhe motra, miq dhe kolegë. Dhimbja është shumëfishuar nga egërsia e kësaj sëmundjeje”, tha Guterres përmes një video-mesazhi.

Ky zhvillim vjen gati dhjetë muaj pasi lajmet për koronavirusin kanë filluar të dalin nga Vuhani i Kinës.

Virusi, që atëherë, është përhapur në 188 vende të botës, duke infektuar mbi 32 milionë njerëz.

Izolimi dhe masat e tjera për ta frenuar atë i kanë futur shumë ekonomi në recesion.

Përpjekjet për të zhvilluar një vaksinë efektive vazhdojnë, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se numri i të vdekurve mund të arrijë në dy milionë, përpara se vaksina të jetë gjerësisht e disponueshme.

Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të viktimave në botë: rreth 205,000; pas tyre vjen Brazili me mbi 141,700 dhe India me mbi 95,500.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në këto tri vende është regjistruar gati gjysma e totalit të viktimave.

SHBA-ja ka regjistruar mbi shtatë milionë raste pozitive, apo më shumë se një të pestën e totalit. Pas një vale të dytë të rasteve në korrik, numrat kanë rënë në gusht, por duket se janë sërish në rritje.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur pandemi sëmundjen që e shkakton koronavirusi, COVID-19, më 11 mars.

Në të gjithë botën janë rreth 240 vaksina potenciale në zhvillim e sipër. Prej tyre, 40 janë në prova klinike dhe nëntë në fazën përfundimtare të testimit në mijëra njerëz.

Zhvillimi i vaksinave normalisht zgjat me vite, por për shkak të urgjencës globale, shkencëtarët thuhet se po punojnë me shpejtësi marramendëse.

Një vaksinë që po zhvillohet nga Universiteti i Oksfordit – tashmë në një fazë të përparuar të testimit – ka treguar se mund të shkaktojë përgjigje imunitare ndaj koronavirusit.

Në Kinë, një vaksinë e mundshme ka treguar se prodhon antitrupa mbrojtës dhe po vihet në dispozicion të ushtrisë kineze. Megjithatë, janë ngritur shqetësime në lidhje me shpejtësinë, me të cilën po prodhohet vaksina.

Në Rusi, ndërkaq, shkencëtarët kanë thënë se testet e hershme të vaksinës së quajtur Sputnik-V kanë treguar po ashtu shenja të reagimit imunitar.

Rusia e ka licencuar vaksinën për përdorim lokal në muajin gusht, duke u bërë vendi i parë që e bën një gjë të tillë. Ekspertët, megjithatë, kanë thënë se provat e hershme kanë qenë shumë të vogla, për të dëshmuar efektivitetin dhe sigurinë e vaksinës.

Në SHBA, presidenti Donald Trump ka thënë se amerikanët do të duhej ta kenë vaksinën në tetor, edhe pse Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka thënë se vaksina nuk ka gjasa të jetë e disponueshme gjerësisht para mesit të vitit 2021.

OBSH-ja po ashtu ka thënë se nuk pret të shohë vaksinim të gjerë kundër COVID-19 deri në mes të vitit të ardhshëm.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close