Maqedoni e Veriut:Ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovksa, dërgohet në burg

Ish-ministrja e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, Gordana Jankullovska, të hënën në mbrëmje është dërguar në burg për vuajtjen e dënimit prej 4 vjet heqje lirie.

Ajo në vitin 2018 u dënua me burg nga Gjykata Penale e Shkupit për blerjen e diskutueshme të një makine “Mercedes” të blinduar me vlerë 600 mijë euro me urdhër të kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski.

Vuajtjen e dënimit ajo e kishte shtyrë deri në vendimin përfundimtar në Gjykatën e Apelit, e cila ka hedhur poshtë ankesën e saj.

Gordana Jankullovska është zyrtarja e parë e qeverisë së mëparshme që përfundon prapa grilave.

Ajo është vendosur në karantinë në repartin e pritjes për të paktën pesëmbëdhjetë ditët e ardhshme, periudhë gjatë së cilës do të bëhen vlerësimet e sigurisë, përpara se të transferohet në një qeli me të dënuarit e tjerë.

Gordana Jankullovska ka qenë një nga protagonistët kryesor në aferën e përgjimeve lidhur me abuzimet e zyrtarëve të qeverisë së Nikolla Gruevskit, i arratisur në Hungari pasi ishte dënuar me dy vjet heqje lirie për një vepër penale.

Në disa nga bisedat e publikuara në vitet 2013-2014 nga ish-lideri i atëhershëm i opozitës, Zoran Zaev, tani kryeministër, Jankullovska dëgjohej duke drejtuar fyerje të rënda ndaj shqiptarëve, duke i quajtur edhe “indianë”.

Në një nga bisedat e publikuara, ajo kishte pranuar se në burg po qëndronin pa asnjë faj mbi dhjetë banorë shqiptarë të Sopotit në Kumanovë, të akuzuar për shpërthimin e një mine në këtë fshat nga e cila kishin humbur jetën dy pjesëtarë të NATO-s.

Këta banorë më vonë janë liruar nga burgu si të pafajshëm, por për shpërthimin dhe vdekjen e dy pjesëtarëve të NATO-s, ende nuk ka asnjë të dyshuar.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close