Vazhdojnë luftimet në Nagorno Karabak

Për të katërtën ditë me radhë po vazhdojnë përleshjet në rajonin e Nagorno Karabakut, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ndërprerje të luftimeve vdekjeprurëse ndërmjet forcave të Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Të dyja palët konfirmuan më 30 shtator se kanë kryer disa sulme përgjatë “Linjës së Kontaktit” që ndanë të dyja palët.

“Luftimet intensive po vazhdojnë”, tha në një deklaratë për media më 30 shtator Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit, duke shtuar se operacionet ushtarake janë duke u kryer “përgjatë vijës së frontit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Armenisë, Shushan Stepanyan tha përmes një postimi në Facebook se “përleshjet me artileri po vazhdojnë përgjatë vijës së frontit në Nagorno Karabak”.

Luftimet ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, që nisën gjatë fundjavës në rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, janë më të këqijat që prej vitit 1994, kur palët ishin pajtuar për një armëpushim.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara më 29 shtator dënoi ashpër përdorimin e forcës dhe Sekretari i Përgjithshëm, Antonio Guterres bëri thirrje për ndërprerje të menjëhershme të luftimeve, ulje të tensioneve dhe tha se palët duhet t’i rikthehen “negociatave kuptimplota”.

Megjithatë, si Azerbajxhani ashtu edhe Armenia kanë refuzuar sugjerimet për bisedime të paqes, duke akuzuar njëri-tjetrin për pengim të procesit.

“Kryeministri armen publikisht deklaron se Karabaku është pjesë e Armenisë. Në këtë rast, për çfarë lloj negociatash mund të flasim?”, tha për televizionin rus, Rossia1, presidenti i Azerbajxhanit, Ilkham Aliyev.

Si kundërpërgjigje, kryeministri Nikol Pashinian tha se Azerbajxhani “duhet menjëherë të ndërpresë agresionin ndaj Nagorno Karabakut dhe Armenisë”, duke e cilësuar këtë gjë si “kërcënim ekzistencial për kombin tonë”.

Azerbajxhani dhe Armenia po luftojnë për rajonin e Nagorno Karabakut që prej rënies së Bashkimit Sovjetik. Këto shtete kanë zhvilluar një luftë, e cila përfundoi më 1994 me një marrëveshje për armëpushim. Në këtë luftë vlerësohet se janë vrarë 30,000 persona.

Që atëherë, rajoni i Nagorno Karabakut ka qenë nën kontrollin e forcave etnike armene. Më 1991 ky rajon ka shpallur pavarësinë, e cila është njohur vetëm nga Armenia.

Ndër vite, në Nagorno Karabak ka pasur përleshje sporadike dhe komuniteti ndërkombëtar ka ndërmjetësuar bisedime. Në këto bisedime ka pasur edhe përfshirje të Grupit të Minskut i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), i kryesuar nga Franca, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara. Por, ky grup ka dështuar që të arrijë një marrëveshje për konfliktin në Nagorno Karabak.

Ende nuk është e qartë se çfarë nxiti nisjen e luftimeve më 27 shtator, por të dyja palët kanë përdorur helikopterë, dronë, tanke dhe artileri dhe kanë akuzuar njëra-tjetrën se kanë kryer sulme brenda territorit të shteteve të tyre, që gjenden në afërsi të rajonit të Nagorno Karabakut.

Luftimet në Nagorno Karabak janë më të ashprat që prej vitit 2016 dhe rritjet e tensioneve në këtë rajon kanë rritur edhe shqetësimet për stabilitetin në Kaukazin Jugor – një vend përmes së cilës transportohen derivatet e naftës dhe gazi në tregjet botërore. Luftimet po ashtu paraqesin kërcënim për përfshirjen e mundshme të fuqive rajonale, Rusisë dhe Turqisë.

Luftëtarët separatistë në Nagorno Karabak kanë thënë se 84 luftëtarë janë vrarë në katër ditët e fundit, ndërkaq Azerbajxhani ka raportuar për vrasjen e 12 civilëve, por nuk ka prezantuar të dhëna për ushtarët e vrarë.

Në një deklaratë të lëshuar më 30 shtator, organizata Human Rights Watch u bëri thirrje të gjitha palëve të përfshira në luftimet në Nagorno Karabak “që të respektojnë ndalesën që të mos sulmojnë civilët apo të kryejnë sulme që mund të dëmtojnë civilët”.

“Të gjitha palët duhet të kenë parasysh që sulmet që kanë për cak civilët janë shkelje e rëndë e Ligjit humanitar ndërkombëtar dhe përbëjnë krime lufte… edhe nëse ato sulme kryhen në shenjë hakmarrjeje ndaj kundërshtarit”, tha Hugh Williamson, drejtor për Evropë dhe Azi Qendrore i HRW.

Më 29 shtator, Armenia tha se një prej aeroplanëve të saj ushtarakë u rrëzua nga një aeroplan nga Turqia, ku mbet i vrarë piloti. Si Azerbajxhani, po ashtu edhe Turqia mohuan këtë akuzë.

Në një intervistë dhënë për BBC-në, kryeministri armen, Pashinian, akuzoi Turqinë se “po bëhet pjesëmarrëse në armiqësi”, duke shtuar se instruktorët dhe oficerët turq janë drejtpërdrejtë të përfshirë në luftime – një pretendim ky që ende nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Presidencës turke, Fahrettin Altun tha se Turqia “është e përkushtuar që ta ndihmojë Azerbajxhanin që të marrë kontrollin e territoreve të okupuara dhe që të mbrojë të drejtat dhe interesat e veta, sipas ligjit ndërkombëtar”.

Ndërkaq, Rusia dhe vendet Perëndimore u kanë bërë thirrje palëve që të vetëpërmbahen. Moska zyrtare u ka bërë thirrje të gjitha shteteve, veçanërisht Turqisë, që “të bëjë gjithçka që të bindë palët për një armëpushim dhe që Armenia dhe Azerbajxhani t’i kthehen tavolinës së bisedimeve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje diplomatike për konfliktin”.

Pashinian ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin më 29 shtator dhe tha se aktualisht ai nuk po e shqyrton mundësinë që të kërkojë ndihmë, në bazë të një traktati për sigurinë i kohës post-sovjetike, por, Armenia, tha ai, ka të drejtë që ta bëjë një gjë të tillë, nëse e konsideron të nevojshme.

Rusia është në mesin e furnizueseve më të mëdha të armëve për Azerbajxhanin dhe Armeninë. Moska ka po ashtu një bazë ushtarake në Armeni.

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close