Varhelyi: Duhet t’i bindim shtetet për liberalizimin e vizave për Kosovën

Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, tha sot në Prishtinë se duhet bindur shtetet anëtare të BE-së për t’i liberalizuar vizat me Kosovën.

Ai i bëri këto komente në një seancë solemne në Kuvendin e Kosovës. Varhelyi tha se në drejtim të procesit për liberalizimin e vizave, duhet vazhduar përpjekjet për t’i bindur shtetet anëtare që t’u ofrohet liberalizimi qytetarëve të Kosovës.

“Vlerësimi ynë mbetet se i keni përmbushur të gjitha kushtet, por nuk mjafton vetëm vlerësimi ynë, duhet t’i bindim shtetet anëtare”, tha ai gjatë adresimit të tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Parlamenti Evropian, po ashtu, vazhdon të mbështesë liberalizimin e vizave. Pengesa e vetme për liberalizim vizash tash qëndron te vendet anëtare të BE-së të cilat, me shumicë të kualifikuar duhet të vendosin në Këshill.

Më herët, nga disa burime diplomatike është dëgjuar se disa shtete të cilat hezitojnë të mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën – siç është rasti me Francën – kërkojnë një vlerësim të ri për të parë, nëse Kosova vazhdon t’i përmbushë kushtet apo jo. Këto vende kanë disa vërejtje në fushën e sundimit të ligjit dhe disa shqetësime për numrin e azilkërkuesve nga Kosova, i cili, ndonëse është i vogël, megjithatë ekziston, sidomos në Francë.

Ndryshe, Varhelyi theksoi se Bashkimi Evropian tani në fokus të tij ka mbështetjen afatgjate në rrafshin socio-ekonomik, jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Ai tha se përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të punojnë për të arritur një marrëveshje për zhvillimin e tregut rajonal.

“Kjo [marrëveshje] do ta shndërrojë rajonin në një vend atraktiv për investitorët. Do të thotë është në interesin tonë strategjik ta sjellim Ballkanin Perëndimor më afër BE-së. Ekziston një zbrazëtirë e madhe mes vendit tuaj, rajonit dhe BE-së. Aq më shpejt që e mbyllim këtë hapësirë, aq më shpejt fillojmë të krijojmë një ekonomi të qëndrueshme dhe të fuqishme”, tha Varhelyi.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën mikpritëse të saj për komisionarin e Lartë të BE-së, Oliver Varheily, tha mes tjerash se ‘Kosova nuk pranon që dialogu të përfundojë me kufij tjerë, përpos atyre aktualë’.

Ajo theksoi se kosovarët nuk pranojnë një republikë tjetër brenda aktuales.

“Për republikën tonë, roli i BE-së është i patjetërsueshëm, anëtarësimi në BE mbetet një ndër prioritetet themelore të republikës sonë. Njësoj edhe në procesin e dialogut, roli i BE-së është i rëndësisë së veçantë në bashkëpunim me SHBA-në. Qytetarët e Kosovës e kanë bërë të qartë se në dialog nuk pranojnë asnjë ndryshim të kufijve e as defunksionalizim të shtetit tonë “, tha Osmani.

Osmani theksoi se mosliberalizimi i vizave për Kosovën nuk i bën nder BE-së. Ajo shtoi se tash me kushtet e kërkuara janë plotësuar.

“Edhe institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme që rruga drejt BE-së kërkon përkushtim përtej fjalësh, kërkon koordinim e përpikëri në zbatim të obligimeve tona. Prej një dekade institucionet e Kosovës, jo vetëm që kanë bërë përpjekje për t’i përmbushur kriteret e kërkuara për liberalizim vizash, por i kanë plotësuar që të gjitha”, tha Osmani.

Komisionari për Fqinjësi dhe Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka zhvilluar edhe një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Varhelyi po viziton vendet e Ballkanit Perëndimor për të prezantuar planin e investimeve ekonomike për Ballkanin Perëndimor dhe raportet e reja vjetore mbi përparimin në procesin e integrimit evropian.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close