Javë përfundimtare për rastin “Veteranët”

Gjykata Themelore në Prishtinë këtë javë pritet të marrë një vendim për rastin e njohur në opinion si ‘Veteranët’.

Në një përgjigje me shkrim, zyrtarët e Gjykatës Themelore në Prishtinë, thanë se në rastin ku “të akuzuar janë A.Ç etj, seancat e radhës do të mbahen nga data 12 tetor, 2020 deri me datë 15 tetor, 2020 dhe nëse krijohen kushtet ligjore do të përfundohet i gjithë procesi gjyqësor brenda ditëve të cekura më lartë”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 14 shtator të vitit 2018, kishte ngritur aktakuzë, të cilën e kishte dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, në drejtim të veprës penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Në këtë rast, po akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata po akuzohen për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme.

Prokuroria e Shtetit ka thënë se numri i përfituesve të jashtëligjshëm nga kjo kategori, mund të jetë deri në 19 mijë persona.

Lidhur me këto raste, në vitin 2018, prokurori, Elez Blakaj pati dhënë dorëheqje. Ai është thënë se ka pranuar kërcënime sa ka qenë duke hetuar disa raste të dyshuara për manipulime me listat e veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje dhe procesin e deritanishëm gjyqësor, anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk kanë dashur të flasin duke thënë shkurt se “nuk janë në dijeni se deri ku ka shkuar procesi”.

“Proces gjyqësor jokorrekt”

Muhamet Bilalli, invalid i luftës së UÇK-së, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se ky proces ka prapavijë politike.

“Është duke u bërë një proces gjyqësor jokorrekt. Këta kanë qenë komision qeveritar, kurse për veteranët kanë qenë përgjegjës bartësit e zonave apo të brigadave. Mund të ketë edhe ndikim politike në këtë rast”, tha Bilalli.

Në mesin e të akuzuarve që ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, është edhe Xhavit Jashari që udhëheq Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha për Radion Evropa e Lirë, se për pretendimet në akuzën për të nuk kanë asnjë fakt.

“Verifikimin [e veteranëve] e kanë bërë komandantët e zonave me zinxhirin komandues, është kompetencë e tyre. Unë nuk kam mundur të them se ka në lista njerëz të cilët nuk kanë qenë pjesë e luftës dhe nuk mund të jap një vlerësim të tillë sepse nuk kam mundur t’i njoh”, tha Jashari.

Ai tha se të gjithë komandantën e UÇK-së, që janë pjesë e procesit gjyqësor, kanë deklaruar se nuk kanë qenë përgjegjës për futjen në listë të personave që pretendohet se mund të mos kenë qenë pjesë e UÇK-së.

Aktakuza “nuk ka pasur prioritetin e duhur”

Nga ana tjetër, Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, që ka monitoruar procesin e seancave, thotë se shqyrtimi kësaj aktakuze nga sistemi i drejtësisë, nuk ka pasur prioritetin e duhur.

“Nuk është përcjellë me prioritetin e kërkuar, nisur nga fakti se kemi të bëjmë me një lëndë të korrupsionit dhe faktin se një rast i tillë ka një interes të madh për publikun dhe veçanërisht për buxhetin e Republikës së Kosovës”, tha Shala.

Sa i përket procesit gjyqësor, Instituti i Kosovës për Drejtësi, kishte gjetur se trupi gjykues në këtë rast, në mënyrë të kundërligjshme kishte censuruar për mediat deklaratat e dëshmitarëve, e cila praktikë nuk është e bazuar në ligj dhe në standardet për administrimin e mirë të drejtësisë.

Shala thekson se përballë këtij rasti, sa i përket procesit të veteranëve, janë edhe një numër i konsiderueshëm i procedurave gjyqësore që janë duke u zbatuar ndaj “veteranëve mashtrues”, përfitues të pensioneve.

“Në raport me këto raste, IKD kishte gjetur se praktika e trajtimit të këtyre rasteve dëmtonte buxhetin e Republikës së Kosovës, për faktin se në aktgjykimet përfundimtare, nuk kërkohej kompensimi i dëmit. Pas reagimit të IKD-së, kjo praktikë ishte ndryshuar dhe nga monitorimi i këtyre rasteve, IKD-ja ka gjetur se tani secili rast i ‘veteranëve mashtrues’, përfitues i pensionit të veteranit në mënyrë të kundërligjshme, në të cilin i pandehuri shpallet fajtor, gjykata obligon të pandehurin që të kompensojë edhe dëmin që i ka shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës, përmes pranimit të kundërligjshëm të pensionit të veteranit mashtrues”, tha Shala.

Ndryshe, në janar të këtij viti, përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, patën thënë për Radion Evropa e Lirë, se rreth 2 mijë persona, kryesisht ata që kanë falsifikuar dokumentet për ta fituar statusin e veteranit të luftës, janë larguar nga lista e përfituesve të pensionit.

Por, këto të dhëna nuk janë konfirmuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e cila nuk ka informacione se dikush është larguar nga lista e pensionit të veteranit të luftës.

Prokuroria: Buxheti i Republikës së Kosovës i dëmtuar prej mbi 68 milionë eurosh

Nga të dhënat që ka siguruar Radio Evropa e Lirë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në dhjetor të viti 2019 në skemën e përfituesve të veteranëve të luftës kanë qenë 38,101 veteranë, kurse në janar të këtij viti në pagesë ishin 38,156 përfitues të kësaj skeme.

Kurse, në shtator të këtij viti, paga ose pensione kanë marrë 38,156 persona ose 6.3 milionë euro.

Prokuroria Speciale e Kosovës, nga provat e siguruara atëherë, ka vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumën prej mbi 68 milionë eurosh.

Hetimet për këtë rast nga prokuroritë, janë zhvilluar edhe në komuna të ndryshme të Kosovës./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close