Ultimate magazine theme for WordPress.

Po e shkatërron Corona demokracinë?

Ligje të reja, shumë kufizime: Qeveria vendos në kohën e Coronës për kursin që duhet ndjekur kundër pandemisë duke e anashkaluar parlamentin. Tani në Gjermani po ngrihet zëri kundër demokracisë me dekrete.

Për shumë parlamentarë gjermanë, e mërkura e javës së kaluar shënoi mbushjen e kupës. Kancelarja Merkel dhe 16 kryeministrat e landeve u takuan më 14 tetor në zyrën e kancelares për të diskutuar për masat që duhen marrë në valën e dytë të pandemisë së Coronës. Kritikat kishin të bënin pak me vendimet e marra. Parlamentarët kritikuan, mënyrën se si po shkohet deri tek vendimet: Në një rreth të ngushtë pas dyerve të mbyllura, e edhe njëherë pa pjesëmarrjen parlamentare.

Më i ashpër ishte eksperti i së drejtës dhe parlamentar socialdemokrat, Florian Post me kritikën e tij. “Prej një tre çerek viti qeveria në federatë, lande dhe komuna lëshon dekrete, që i kufizojnë liritë e njerëzve si kurrë më parë në Gjermaninë e pasluftës, kjo pa vendosur për këtë as edhe një herë një parlament i zgjedhur.” E të mendosh që kjo kritikë vjen nga politikani i një partie, pjesë e koalicionit qeverisës, SPD. Kushtetuta nuk njeh asnjë konferencë të kancelares federale dhe kryeministrave të landeve. Ajo “nuk është paraparë si organ ligjvënës”. Post kërkoi që parlamentet e zgjedhur të pyeten më në fund.

Kritika erdhën edhe nga kreu i partisë liberale, FDP, Christian Lindner. “Nuk është e mundur, që parlamenti të informohet vetëm për videomesazhin javor të zonjës Merkel dhe konferencave të shtypit për masat e Coronës. Bundestagu nuk është pjesëmarrës, megjithëse këtu bëhet fjalë për kufizime të mëdha të të drejtave bazë dhe lirive.” Edhe E Majta e Të Gjelbrit i kanë kritikuar vendimet e ekzekutivit. Parlamentarët ndjehen të degraduar nga ekzekutivi, nga federata dhe qeveritë e landeve, të shfuqizuar dhe jo të informuar.

“Parlamentet të jenë pjesë”

Politologu Klaus Stüwe nuk bën fjalë për një “demokraci me rregullore nga lart”. Por në bisedë me Deutsche Wellen eksperti i Universitetit Katolik të Eichstätt-Ingolstadt thotë se “parlamentet duhet të jenë pjesë sa më shumë të jetë e mundur”.  Edhe në krizë e sidomos në krizë janë të pazëvendësueshme kundërshtia dhe kritika e parlamenteve në formën e opozitës, thotë ai. Qëndrimet kritike i ndihmojnë qeveritë të shqyrtojnë masat e tyre dhe “të gjejnë masën e duhur në luftë kundër pandemisë.

Në fillim të pandemisë u tha, se krizat janë ora e ekzekutivit, sepse duhet vepruar shpejt. Por po ashtu vlen: Parlamentet, pra legjislativi, kontrollojnë punën e qeverisë, ato propozojnë ligjet dhe deputetët përfaqësojnë vullnetin e popullit në parlament. Këtë e parashikon edhe neni 20 i kushtetutës gjermane. Kritikët e shohin pikërisht këtë të drejtë të dobësohet në krizën e Coronës.

Presidenti i Bundestagut reagon

Por jo vetëm konferenca e Merkelit me kryeministrat e landeve shkaktoi zemërim mes parlamentarëve. Së fundmi u bë e ditur, se Ministria e Shëndetësisë në një procedurë të përshpejtuar kërkon të zgjasë e forcojë kompetencat e ministrit, Jens Spahn përtej 31 marsit të vitit 2021. Drafti i ri për ligjin e mbrojtjes nga infeksionet do t’i mundësojë Spahn të lëshojë dekrete për sa kohë kjo “kërkohet për mbrojtjen e popullatës nga rrezikimi prej sëmundjeve të rënda të transmentueshme.” Drafti mundëson edhe kufizimin e udhëtimeve kombëtare e ndërkombëtare. Kritika erdhën edhe nga vetë partia e Jens, Spahn, CDU. Deputetja e CDU-së, Jana Schimke shprehet se “autorizime të tilla, dekrete të tilla që qeveria mund t’i lëshojë vetë mund të shikohen me sy shumë shumë kritik.”  Politologu Stuwe shpreh mirëkuptim për zemërimin e parlamentarëve, dhe e këshillon qeverinë për “veprim të mençur” në ekuilibrin e duhur mes qeverisë dhe parlamentit.

Debati ka bërë që të ndryshojë qëndrim edhe Presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble, CDU. Ai do të ftojë parlamentin në të ardhmen më shumë në debat  për masat kundër pandemisë. Për këtë i janë ofruar tani propozime grupeve parlamentare. Aty shkruhet, se “Bundestagu duhet ta bëjë më të qartë rolin e tij si ligjvënës dhe forum publik që të mënjanohet përshtypja, se luftimi i pandemisë është vetëm detyrë e ekzekutivit dhe judikativit.”

Autor Volker Witting/dw

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close