Ultimate magazine theme for WordPress.

Lul Raka: Valën e dytë të Covid-19 e kemi kaluar në gusht

Rritja e rasteve të koronavirusit në Kosovë nuk duhet të përbëjë shqetësim, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka dalur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore, thotë mikrobiologu Lul Raka.

Nga 12 deri më 23 tetor, në Kosovë janë regjistruar 1,412 raste të reja me COVID-19, kurse 12 persona kanë vdekur.

Kosova është duke u përballur me pandeminë tash e 8 muaj, kurse masat parandaluese si bartja e maskës, higjiena e duarve e mbajtja e distancës ende janë në fuqi.

Kosova pikun e pandemisë e ka arritur në muajt korrik e gusht, derisa më pas numri i të infektuarve ka shkuar duke shënuar rënie.

Në dy javët e fundit në vend është vërejtur një rritje e lehtë e numrit të të infektuarve me koronavirus, e që e shkakton sëmundjen e COVID-19.

Megjithëkëtë, mikrobiologu Lul Raka tha se kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim as për autoritetet e as për popullatën, meqë rritja e lehtë e të infektuarve ka ardhur si rezultat i rritjes së testimeve në baza ditore.

Ai thotë se përqindja e të infektuarve, karshi të testuarve sillet rreth 12 për qind.

‘’Ka një rritje të lehtë të numrit të të infektuarve, por që është stabile. Nëse krahasohet me dy javët e fundit, në javën e parafundit kanë qenë 3,600 teste të kryera, javën e fundit është rritur ky numër në 6,300 dhe dje kemi pasur mbi 1,200 teste”.

“Pra, rritja e lehtë e të infektuarve nuk duhet të shkaktojë panik, as tek vendimmarrësit e as te populli, por duhet shikuar parametra të rëndësishëm si rritja e të testuarve. Dje (më 22 tetor) kanë qenë 12 për qind të infektuar nga numri i përgjithshëm i të testuarve, dy javët e kaluara kanë qenë rreth 10 për qind dhe nuk ka rritje substanciale. Por, kjo nuk do të thotë që nuk duhet vazhduar me masat parandaluese’’, tha Raka.

Ndryshe, në Evropë, numri i rasteve të reja ka shkuar deri në 100 mijë çdo ditë. Për Organizatën Botërore të Shëndetësisë situata përbën shqetësim të madh.

Vala e dytë e koronavirusit ka dyfishuar rastet e reja në dhjetë ditët e fundit.

Sipas llogaritjeve të agjencisë Reuters, rajoni ka kaluar 200,000 raste të reja brenda një dite, për herë të parë më 22 tetor.

Numri i përgjithshëm i të infektuarve në kontinent aktualisht qëndron në 5.3 milionë, ndërsa numri i viktimave është afër 205,000.

Maskat i ndihmuan Kosovës

Por, çka ka ndikuar realisht në stabilizimin e gjendjes me infeksionin e koronavirusit në Kosovë? Lul Raka thotë se janë disa faktorë, derisa përmend mbajtjen e maskës si armë kryesore.

‘’Faktorët që kanë ndikuar në stabilitet mendoj se ka shumë, por dy kryesor janë zbatimi i masave nga ana e qytetarëve sidomos nga muaji gusht, në radhë të parë maskat, higjiena e duarve, por edhe fuqizimi i kapaciteteve të inspektimit. Edhe pse në këtë fushë ende ka hapësirë të mjaftueshme për të intervenuar’.

A po e pret Kosovën një valë e re e pandemisë?

‘Kjo valë është valë e re që ndërlidhet me sezonin vjeshtë -dimër, dhe mendoj që valën e dytë e kemi kaluar në muajt korrik e gusht”, thotë ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se përkundër inspektimeve për respektimin e masave për kontroll të pandemisë, vetëdija e qytetarëve po del të jetë në nivel, duke e marrë parasysh frenimin e infeksionit.

Faik Hoti, zëdhënës në këtë ministri, bëri të ditur se testimi i njerëzve me simptoma, si dhe rasteve të kontaktit, mbajtja e distancës, e maskës, do të bëjë që pandemia të jetë nën kontroll. Ai tha se tashmë në stok i kanë më shumë se 100 mijë teste në dispozicion për qytetarët e Kosovës.

‘’Ajo që mbetet fokusi kryesor i institucioneve shëndetësore është të ulim numrin e të vdekurve si dhe ta mbajmë Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe spitalet rajonale me një ngarkesë sa më të ulët të të hospitalizuarve. Kjo arrihet me bartje të drejtë të maskës, ruajtjes së distancës”.

“Përtej institucioneve, secili qytetar të bëhet inspektor i vetvetes në mënyrë që të angazhohemi ta mbajmë nën kontroll pandeminë, kur dihet se në gjithë botën kanë vështirësi serioze’’, tha Hoti.

Qytetarët për normalitetin e ri

Gentiana Krasniqi, 29 vjeçare, qytetare nga Prishtina, tha se maska tashmë është kthyer në normalitet dhe në bazë të asaj se çka vlerësojnë zyrtarë të OBSH-së, maska duhet mbajtur deri në zbulimin e vaksinës në gjithë botën, jo vetëm në Kosovë.

Qindra euro për mjekim nga COVID-19

‘’Mendoj që qytetarët janë lodhur sidomos me vendosjen e maskave, ndonëse masat tjera mendoj që nuk janë duke u respektuar me përpikëri. Por, mendoj se qytetarët janë vetëdijesuar që duhet të bartet maska. Në këtë aspekt lufta me COVID-19 bëhet më e lehtë nëse secili e bën kulturë bartjen e maskës, higjienën e duarve dhe mbajtjen e distancës’’, tha ajo.

Nexhmije Ahemti, 43 vjeçare, qytetare nga Prishtina, tha se ka respektuar me përpikëri masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ndonëse thotë se tashmë po ndjen lodhje nga pandemia, pasi ka kaluar një kohë e gjatë.

‘’Vetë vendosja e maskës është njëfar lodhje, por që kur është në pyetje shëndeti dhe mospërhapja e virusit, patjetër që duhet të respektohet, në mënyrë që t’i përballojmë këto vështirësi në respektim të masave”, tha ajo.

Ndërkaq, Jehona, një tjetër qytetare, thotë se ndonëse u bë kohë e gjatë që kur vazhdimisht e bartë maskën, maska vazhdon të jetë e domosdoshme për faktin që të ruhet shëndeti i secilit.

’U bënë më shumë se 8 muaj që nga fillimi i pandemisë dhe natyrisht është pak e bezdisshme bartja e maskës për një kohë të gjatë, por duke e ditur rrezikun që ka virusi është më mirë të bartet maska sesa të rrezikojmë veten dhe familjet tona’’, tha ajo.

Ndryshe, sipas mikrobiologut Lul Raka, masat parandaluese do të zgjasin deri tek zbulimi i vaksinës për COVID-19. Prej rezultateve dhe hulumtimeve të vaksinave në mbarë botën është thënë që periudha optimale do të jetë fundi i vitit.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close