Ultimate magazine theme for WordPress.

Shuarja e Task-Forcës antikorrupsion ngre shqetësime të mëdha

Qeveria e Kosovës tha se ishte jo ligjor funksionimi i Task-Forcës antikorrupsion brenda policisë. Ky vendim u kritikua ashpër nga shoqëria civile, por edhe nga ambasadori gjerman në Kosovë.

Një vendim i javës që shkoi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës Antikorrupsion që funksiononte brenda policisë së Kosovës, po vazhdon të ngjallë reagime, sikundër ka përplasur edhe partnerët e koalicionit qeverisës. Departamenti Special Anti-Korrupsion, apo siç njihet “Task-Forca Anti-Korrupsion”, ishte pjesë e policisë dhe kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Por qeveria e Kosovës e udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, vendosi të shkrijë këtë department duke vlerësuar se “kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar”. Kundër këtij vendimi doli hapur partneri i koalicionit të qeverisë Hoti, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se “shkarkimi i Task-Forcës shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë”.

Askush i paprekshëm

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo Task-Forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, tha Haradinaj, duke vlerësuar se “vendimi për shuarjen e Task Forcës nuk ishte menduar mire”.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i atypëratyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura”, shkroi Haradinaj në profilin e tij social. Por, kryeministri Avdullah Hoti vazhdon të mos tërhiqet nga vendimi i tij, duke thënë se “qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, shkroi Hoti në Facebook, duke thënë se puna e zyrtarëve vazhdon.

“Puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale. Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush. Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”, shkroi Hoti.

Por, ky vendim i qeverisë Hoti u kritikua edhe nga prania ndërkombëtare në Kosovë. Ambasadori gjerman Joern Rohde, shkroi të Twitter se “ky vendim ngre shqetësime të mëdha”.

Shqetësimet e mëdha

“Fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës Anti-Korrupsion, ngre shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”, shkroi në Twitter ambasadori gjerman Joern Rohde.

Edhe organizata të shoqërisë civile që monitorojnë sistemin e drejtësisë kritikuan vendimin e kryeministrit Hoti për shkrirjen e Tast-Forcës Antikorrupsion. Instituti i Kosovës për Drejtësi, (IKD) përmes hulumtuesit të saj, Yll Zeka, shkroi se “Reagimet e ndërkombëtarëve nuk janë duke u marrë seriozisht nga Qeveria e Kosovës. Kjo do të ndikojë edhe në liberalizimin e vizave dhe në çdo përafrim të Kosovës në institucionet e BE-së”. Edhe një hulumtues tjetër në këtë institut (IKD), Betim Musliu, është i bindur se siç thotë “tash do të pushojnë hetimet për rastet të cilat trajtoheshin nga Task-Forca”.

“Ky vendim është marrë pasi partitë nuk kanë mundur t’i bindin hetuesit që të mos hetohen zyrtarët e tyre.” Sipas Musliut, vendimi për t’u hakmarrë në këtë formë ndaj Task-Forcës është se kërkesa nuk ka pasur efekt tek hetuesit e kësaj Task-Force, pra që ata të mos i hetojnë zyrtarët e lartë të LDK-së, AAK-së e partive tjera, dhe prandaj është shndërruar në kërcënim.

“Do të duhej që Task-Forca në Policinë e Kosovës si mekanizëm të mos cenohej dhe policia në kuadër të institucionit të vet ta adaptojë, të mos e prek celulën e saj dhe në kuadër të organogramit të adaptojë në kuadër të programit të vet”, thekson Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Task-Forca antikorrupsion që funksiononte në kuadër të Policisë së Kosovës, ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX. Ky department kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë, që ishte dhe vazhdon të jetë kriter i papërmbushur plotësisht në kuadër të kritereve për liberalizimin e vizave me Kosovën./dw

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close