Ultimate magazine theme for WordPress.

Tre vëllezërit Frashëri në ballë të rilindjes kombëtare, që shkëlqejnë edhe sot më shumë se kurrë

Frashërin e ngritën në piedestal rilindasit e shquar, vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, që shkrinë jetën dhe pasurinë për Shqipërinë, për tu treguar shqiptarëve se sa i bukur është atdheu i tyre dhe si duhet luftuar për të, se sa trima, të mënçur e punëtorë, sa fisnikë janë shqiptarët, sa e bukur dhe e ëmbël është gjuha e jonë, shqipja.
Abdyl Frashëri (29.8.1839-23.10.1892), vëllai më i madh, ishte ideologu dhe luftëtari i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri (25.5.1846-20.10.1900), poeti që aq bukur i këndoj shqip Shqipërisë dhe Skënderbeut, si edhe dijetari Sami Frashëri (1.6.1850-18.6.1904), që tregoi se ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet Shqipëria, qëndruan në ballin e Rilindjes Kombëtare.
Abdyli, Naimi dhe Samiu ishin tre vëllezërit që luftuan për tërësinë e Atdheut, për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, që luftuan e punuan për të bërë dhe shkrojtur historinë e saj, për gjuhën shqipe dhe për ndriçimin e mendjes së shqiptarëve, për t’i treguar botës se kush ishin shqiptarët dhe atdheun e tyre. Mehmeti, vëllai i vogël i tyre, ishte bashkëluftëtar me ta dhe vazhdoi veprën e tyre.
Vëllëzërit Frashëri, u lindën dhe u rritën në Frashëri. Ata ishin fëmijët e Halid Frashërit (1797-1859) dhe e Emine Mirahori (1814-1861), që i thërrisnin edhe Dakollarë.
Ata ishin gjashtë vëllezë dhe dy motra: Abdyli (23 tetor 1839-1892), Nafizeja (1841-1894), Sherifi (1843-1874), Naimi (25 maj 1846-20 tetor 1900), Shanishaja (1848-1871), Samiu (1 qershor 1850-18 qershor 1904), Tahsimi (1853-1876) dhe Mehmeti (1856-1918).
Nuk ka nxënës në Shqipëri që të mos e dijë se vëllai i madh, Heroi i Popullit, luftëtari Abdyl Frashëri ishte ideologu i Rilindjes Kombëtare dhe udhëheqësi kryesor i Lidhjes Shqiptarëve të Prizrenit. Nuk ka shqiptar që nuk di përmëndësh vjershat e bilbilit të gjuhës shqipe, Naimit të Madh, për Shqipërinë e Skënderbeun dhe nuk frymëzohet nga ato. Për ideologun, dijetarin e madh, statistin, shkrimtarin dhe publicistin Sami Frashëri, kushdo në Shqipëri mund të përmëndë veprën monument “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet” (Bukuresht 1899), themelimin dhe kryesimin e “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip” (Stamboll 1879), revistat e para në gjuhën shqipe “Drita” dhe “Dituria” (Stamboll 1884-1885), “Dheshkronjë dhe Alfabetare e gluhësë shqip”, si edhe “Abetare e gjuhës shqip” (Kostaninopojë 1879, Bukuresht 1886).
Bustet e tyre ndodhen në shumë qytete të Shqipërisë. Emrat e tyre i mbajnë shumë shkolla në Shqipëri. Tre rrugë në Tirana mbajnë emrin Abdyl, Sami dhe Naim Frashëri. Për ta kanë shkrojtur penat më të forta të vendit. Veprën e tyre e gjen në Internet. Për ta Enver Hoxha ka shkrojtur “Çështjen e Shqipërisë ata e kishin si pikën kryesore dhe fener ndriçues në gjithë veprimtarinë e vet. Në veprat e tyre letrare, historike e filozofike, ata kanë dhënë orientimin e luftës që duhet të bënte populli shqiptar për liri dhe pavarësi në ato etapa të koklavitura, këtë ata e kishin parë nga të katër anët dhe në përgjithësi e kanë pasur të qartë se si duhet ta fitonte Shqipëra pavarësinë e vet, taktikën dhe politikën që ajo duhet të ndiqte për këtë qëllim në atë kohë…”.
Abdyl Frashëri, siç ka shkrojtur Teki Selenica (1928), ishte ndër të parët ndërmjet “… një grusht njerëzish që kishin ndjerë trumpetën e gjamës së topave të kohës së rilindjes kombëtare të popujve të Ballkanit, duke parë rrezikun e Atdheut të tyre, më 1878 në Prizren bënë një mbledhje të madhe”. I parë, midis të parëve Ymer Efendi nga Prizreni, Iliaz Pashë Dibra, Ali Pashë Gucia, Sheh Mustafa Tetova, myderiz Sulejman Vokshi nga Gjakova, ishte Abdyl bej Toska (siç e thirri Luma) ai që mbajti fjalën e hapjes së mbledhjes më 10 qershor 1878 dhe kryetari efektiv i Lidhjes. Ai ishte nismëtar i një sërë mbledhjesh në zbatim të vendimeve të Lidhjes së Prizrenit për të organizuar degët e Lidhjes në të gjithë Shqipërinë e Jugut, midis të cilave kryesorja ishte ajo në teqenë ë Frashërit në mesin e muajit korrik 1878.
Karakteristikë e veprimtarisë atdhetare të Abdyl Frashërit është ngritja në nivel gjithënjë e më të lartë dhe më intensive e luftës së tij për çështjen shqiptare. Ai qëndroi besnik luftës së tij. Edhe kur u shpërnda Lidhja e Prizrenit, Abdyl Frashëri, së toku me myderiz Sulejman Vokshin, Ymer Efendi Prizreni, si edhe me krerët e malësorëve, u përpoqën të organizonin forca të reja për luftën kundër Portës.
Abdyl Frashëri më 25 shtator 1888, i drejtoi një memorandum kryeministrit të Italisë Francesko Kripsit, ku midis të tjerave i shkroi “…Populli shqiptar është i vetmi komb që ka zhvilluar prej kohësh një rezistencë energjike kundër pushtuesve turq. Kjo rezistencë heroike ka vazhduar deri në ditët tona. Nëse shqiptarët, për hir të karakterit të tyre krenar e luftarak, nuk e kanë lënë veten të nënshtrohen aq ultësisht sa fqinjët e tyre, janë ata që e kanë ndjerë më tepër peshën e zgjedhës së huaj dhe janë ata që kanë vuajtur më shumë si pasojë e kryengritjeve të pandërprera që kanë qenë të detyruar të zhvillonin për të fituar pavarësinë e tyre… Si rrjedhim, Shqipëria meriton pavarësinë më tëpër se asnjë kombësi tjetër e Ballkanit dhe ne shpresojmë se ajo do ta tregojë veten më të denjë për të gëzuar respektin e Evropës dhe më të aftë për të qeverisur vetveten”.
Më 27 nëntor 1878, mbedhja e Këshillit të përgjithshëm të Lidhjes, miratoi një memorandum që i drejtohej Portës së Lartë në Stamboll, që ajo të zbatonte 5 kërkesa (Buda A. etj. 1965):
1. Krahinat e Shqipërisë të ishin në një vilajet me qendër një qytet në mesin e Shqipërisë,
2. Nëpunësit të dinin shqip,
3. Arsimi të përhapej në gjithë krahinat dhe të mësohej gjuha shqip,
4. Të krijohej një këshill i përgjithshëm,
5. Një pjesë e të ardhurave të përdorej për punët botore në vend.
Delecioni nën udhëheqjen e Abdyl Frashërit u nis në fund të janarit 1879 për në Stamboll, që t’i paraqiste sulltanit kërkesën për autonominë. Abdyl Frashëri ndënji në ballë të luftës deri sa u arrestua kur po kthehesh nga Prizreni dhe kapërcente Lumin Shkumbin. Në Frashër, populli i thuri e i këndoi këngë patriotizmit të Baba Alushit dhe Abdyl Frashërit:
Kush e desh Shqipërinë kush
Shënjti baba Alush Ai vdiq po na thërret Përpiqi për mëmëdhet! Alush babai në shëntëri Abdyl beu me dituri Abdyl beu nga Frashëri Ç’u përpoq o i varfëri Qindra herë vajti fërnjgji Prishi punë e tij
E prishi punën e tij
Prishi tri barë flori
S’di kush na vllazëria Na doli i pa besë Abdyl benë na e zynë
Dervish pashësë ja shpunë
Pa me sy e pa bodrumë E i hodhi për na shumë Hametit i tha një fjalë Unë e mbolla këtë farë Ka të tjerë shqipëtarë Që kërkojnë këtë farë Ata kurrë se harojnë Abecen do ta këndojnë.
Naimi i Madh me aq dashuri këndoi në poemën e tij “Bagëti e Bujqësi”:
“Ti, Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin Shqipëtar
Zemrënë ti ma gatove plot dëshirë dhe me zjarr”
Patriotizmi, zgjimi kombëtar dhe bashkimi i popullit shqiptar gjeti thirrjen e Naimit në poemën “Skënderbeu”, ku u dha shqiptarëve eposin e tyre kombëtar, nëpërmjet historisë dhe të heroit legjendar të tyre. Dhe u mësoi shqiptarëve:
“hapni sytë dhe punoni, të gjithë për Shqipërinë, tjetërë gjë mos kërkoni ajo sjell mirësinë”
dhe nga Fjalëtë e të Urtët :
“Njeriu po s’deshi kombin e tija
E mëmëdhënë,
Nuk ka pjesë nga njerëzia
S’do as vethenë”
e më poshtë na mësoi:
“Kurrë armiqësi të mos kesh Gjithënjë njerzit t’i ndjesh, Njeriu, është e vërtetë,
Kur vdes, e hyn në dhet, Edhe në qoftë mbret,
Me vethe gjë s’po merr. Po, puna, që punon Dh’emëri, që fiton.
Mbi dhe për jetë rron
Gjithënjë i ep nder.
dhe ai hodhi kushtrimin:
dhe në Fjalëtë e të Urtët:
Liria duhet fituar me çdo kusht dhe me çdo sacrifice
“Njeriu po s’deshi kombin e tija
E mëmëdhënë,
Nuk ka pjesë nga njerëzia
S’do as vethenë”
Naimi ishte flamurtar i rilindjes shqiptare, është ç’ka është Gëte për gjermanët, Shekspiri për anglezët dhe Viktor Hygo për francezët, ai u futi shqiptarëve shpirtin e zgjimit, u frymëzoi atyre idealin kombëtar dhe dashurinë për atdheun, ka shkrojtur Syrja bej Vlora (AQSh, Fondi 56, dosja 8, 1909). Në vitin
1882, Naimi shkroi në vargje shqip poemën epike “Qerbelaja”, për tu dhënë shqiptarëve eposin fetar të bektashizmit:
405 Zot i madh, për Qerbelanë!
Për Hysejn’ e për Hasanë, Për ata të dymbëdhjetë,
që hoqn’ aqë keq në jetë!
410 Për gashërinë time, Shqipërinë mos e lërë, të prishet e të bjerë,
po të jetë gjall për jetë, gjithë ç’i duhet, ta ketë,
415 të rronj’ e të mbretëronjë, të jetë lulëz’ e zonjë!
Fali ti vetëz’ uratë Që të jetë jetëgjatë! Shqiptari trim me fletë,
420 si ka qënë le të jetë,
të ketë gjith’ urtësinë, e ta dojë Shqipërinë,
të vdesë për Mëmëdhenë, si Myftari për Hysenë,
425 Të ngjanjë me Ibrahimë,
edhe me Eba Myslimnë, të jetë trim e i mirë,
po të mos jet’ egërsirë, të jet i qytetëruar,
430 i ditur e i mësuar,
t’i apë nder Shqipërisë, U bëftë e Perëndisë!
Prandaj, i pikëlluar, poeti i madh i Lunxherisë, Andon Zako Çajupi, shkroi kur vdiq Naimi:
“Vdiq Naimi! Vdiq Naimi! Moj e mjera Shqipëri Mëndeje-larti, zemër-trimi Vjershëtori si ai!
Që nga shekulli i robërisë së rëndë na la amanet dhe na porositi Samiu i Madh:
Jemi shqiptarë dhe jo turq e kaurë,
Fetë i përçajnë kombet,
Shqiptarët të gjithë duhet të duan njëri tetri, të kenë vëllazërinë në mest,
Shqipëria është një dhe e pandarë,
Duhet të jemi të bashkuar. Bashkimi duhet të futet në gjakun e sejcilit,
S’ka në jetë më i lik njeri se tradhëtari i kombit dhe i mëmëdheut,
M’i dashur se kombi, m’i dhëmshur se mëmëdheu, m’i ëmbël se gjuha e tij s’ka gjë tjetër për njeriun
Një njeri sa do të mira të ketë për veten e tij s’mund të jetë faqebardhë, do të ketë kombin dhe mëmëdheun e vet fatzi,
Të hiqet Turqia dhe të vijë një sundues tjetër, është sikur një shtazë të ndërojë samarin dhe jo lirinë.
Samiu shkroi në fundin e librit “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhët”: “Shqiptar është çdo njeri i pjellë prej shqipëtarësh e që flet shqip, po shqiptar i vërtetë ësht’ ay që ka mendjen e zëmrënë shqiptar. Këta shqipëtarët e vërtetë janë me të vërtetë fjesht shqiptarë. Duanë gjuhën e kombin’ e tyre dhe përpiqenë për mbrodhësit e mëmëdheut. Kur të bëhenë gjithë shqipëtarët a më të shumtët’ e tyre kështu shqipëtarë të vërtetë, Shqipëria atëhere është e bërë e e shpëtuarë nga çdo rrezik. Prandaj çdo shqiptar duhet të parë në të jetë vetë a të bëhetë shqipëtar i vërtetë e pastaj të përpiqetë të bënjë edhe të tjerë shokë, që ca nga ca e njëri pas tjatërit të bëhenë të gjithë shqipëtarë të vërtetë…….O burrani, o shqipëtarë! Se në dashqim’ e në u përpjekçimë, do të jemi një nga më të mirët’ e nga më të ndrituarët e kombeve t’Evropës…”. Është lapidar thënia e tij: “Bashkimi bën të mundëshme gjërat e pamundëshme, përçarja bën të pamundëshme edhe gjërat e mundëshme”. Një frashërlli më tregoi se Samiu shkruante mbi një jastëk që e mbante mbi gjunjët. Pasi mbaronte dorëshkrimin e hidhte në të pastër ulur në tavolinë. Ai ka shkrojtur mbi 60 vepra. Veç atyre për Shqipërinë e shqiptarët, shquhet vepra madhore Encciklopedia “Kamus ul alâm” (Fjalori universal i historisë dhe Gjeografisë” në
6 vëllime me 4830 faqe, të botuar gjatë periudhës 1889-1898, fjalori normativ i gjuhës turke “Kamus-i tőrki” me 45 mijë fjalë dhe 1575 faqe, fjalori turqisht- frëngjisht me 50 mijë fjalë dhe anglisht-turqisht me 35 mijë fjalë.
Veprën e tyre e vazhdoi edhe vëllai më i vogël Mehmeti. Edhe ai ka qënë luftëtar i çështjes kombëtare. dhe shtëpia e tij në stamboll ka qenë qëndër e mbledhjeve të atdhetarëve dhe luftëtarëve. Mehmet Frashëri kryesoi Komitetin “Bashkimi Shqiptar”, që së bashku me Haxhi Zeka, Ibrahim Temoja, Dervish Hima e Jorgji Meksi, Pandeli Evangjeli, Dhimitër Ilo Unezi etj, punoi për thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm. Komiteti, më 9 gusht 1899, shpalli manifestin “Kërkimet e shqiptarëve”, në të cilin u bëhej thirrje gjithë shqiptarëve, që nën drejtimin e komiteteve të Lidhjes të mblidhnin në Prizren Kuvendin e Përgjithshëm të saj, i cili do të kërkonte nga Porta e lartë dhe nga Fuqitë e Mëdha autonominë e Shqipërisë. Në Bukuresht u publikua në formë broshure në gjuhën turke, në emër të Komitetit thirrja “Të zgjohemi!” (“Ujanallëm!”). Mehmeti ka qënë drejtor i gazetës “Besa” 1908, e cila botohej me tre faqe shqip dhe një turqisht e frëngjisht. gazetar dhe publicist, që së bashku me Sami Frashëri, Jani Vreto, Pandeli Sotiri, Petro Poga, Dervish Hima, Hil Mosi, Kasim Frashëri, etj. i dhanë zhvillim, gazetarisë shqip, në kuadër të aktiviteteve që janë zhvilluar në Stamboll. Me 1913 kthehet në Shqipëri. Esadistët e internojnë në Shkodër. Vdiq në Kamëz më 1918.
Prandaj, për ti nderuar ata, për t’u përulur me respekt para veprës së tyre, në këtë libër e gjeta të udhës të përsëris vetëm disa nga shkrimet e tyre për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe, që edhe mua frashërlliun m’i mësoi gjyshi, babai, nëna dhe mësuesja e parë, që edhe unë dhe gruaja e ime Marika u a mësuam fëmijëve dhe nipërve tanë, dhe ashtu si të gjithëve ne, ato shkrime na kanë frymëzuar në vite dhe do të na jenë fener për gjithënjë në rrugën e jetës sonë.
Eshtrat e AbdYl Frashërit, Naim Frashërit prehen në tokën Mëmë Shqipëri që aq fort e deshën dhe luftuan për të, në kodrat e bukura të Parkut Kombetar të Tiranës, eshtrat e Sami Frashërit janë në Stamboll, se Qeveria Turqisë nuk i ktheu dhe varri i tij është simbolik.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close