Ultimate magazine theme for WordPress.

Tefta Tashko Koço përkujtohet në 110-vjetorin e lindjes

ATSH-Bledi Naska/ Sot është 110-vjetori i lindjes së artistes së madhe shqiptare Tefta Tashko Koço.
Ajo mbetet një prej sopranove më të talentuara dhe më të dashura për publikun shqiptar. Tefta Tashko Koço lindi më 2 nëntor 1910. Pasi familja e saj kishte emigruar në Egjipt, në vitin 1921 rikthehen në Korçë. Në Korçë kemi aktivizimet e para të Teftës si këngëtare dhe data 26 qershor 1926 mbahet koncerti i saj i parë në publik. Në shtator të vitit 1927, Tefta me gjithë familjen vendosen në Montpellier, Francë, ku ajo filloi edhe studimet muzikore, për t’i vazhduar ato me sukses në Konservatorin Superior të Parisit.
Gjatë karrierës së saj të shkurtër ngriti një talent të jashtëzakonshem të ekzekutimit si në muzikën lirike qytetare, ashtu edhe në repertorin e pasur të muzikës klasike operistike. Krahas arieve lirike të autorëve të shquar botërorë si Mozart, Shubert, Verdi, Donixeti Belini, Puçini, në turnetë e saj, së bashku me pianisten Lola Gjoka, nëpër Shqipëri u kënduan edhe këngët popullore shqiptare si pjesë e kulturës muzikore popullore shqiptare. Falë angazhimit të madh artistik të Tefta Tashko Koços, ne sot nga zëri i saj kemi trashëgimi rreth 90 këngë, 36 prej të cilave i regjistroi në Paris dhe Milano në pllaka gramafoni. Ajo përveç vlerave të saj artistike, arriti që me zërin e saj brilant, të na linte këtë pasuri të jashtëzakonshme.
Ajo është një nga figurat më të rëndësishme të interpretimit vokal në Shqipëri, që me interpretimin e saj të bukur dhe autentik Tefta jetoi në periudhën kur kënga lirike qytetare huazoi nga arti vokal i kultivuar lehtësinë e nevojshme për të prodhuar linja melodike e frazime elegante, proces ky që krijoi gjininë në fjalë në vitet 1930 dhe që do të vazhdonte edhe më vonë.
“Kroi i fshatit tonë”, me muzikë të Kristo Konos dhe poezi të Lasgush Poradecit, apo “Kur më vjen burri nga stan”, “Zare trëndafile”, “Unë o ty moj të kam dasht , “Kenke nur i bukurisë” janë disa prej krijimeve popullore nga të cilat Tefta me zërin e saj të rrallë simbolizoi një epokë, një shoqëri, një periudhë historike shqiptare, për të mbetur në përjetësi, ikona e muzikës shqiptare.
Tefta Tashko Koço me interpretimet e saj plot art e me teknikë të re e pasuroi repertorin e këngës qytetare dhe muzikës tradicionale. Gjatë karrierës së saj edhe pse të shkurtër, ajo u vlerësua edhe me titullin “Artiste e Popullit”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close