Fokus

HISTORIA E FISIT MERTUR


NGA DODË PROGNI

MERTURI: Ndër fjalët e para për Merturin po kujtojmë ato të Franc Nopçes,i cili rreth 100 vjet më parë,në njërin nga studimet e tij për fiset e Shqipërisë së Veriut thoshte: “Një nga fiset më të vjetra e më të rëndësishme të Malësisë së Vogël asht Merturi”.50) Ndërsa Edith Durham,duke dashur të nenvizojë një nga vlerat e veçanta të Merturit thoshte: “Në pemën fisnore për Merturin të hulumtuar nga Nopçe që të çojnë deri në vitin 1370,madje deri në vitin 1270,as në kohërat kur krahina ishte përfshirë në perandorinë Serbe,nuk gjejmë emra serbë në këtë pemë fisnore,dhe se është i tëri katolik”.51)Pohimet e këtyre autorve, të shquar për hulumtime e logjikë të shëndosh shkencore,shprehin qartë,sakt dhe bukur të vërtetën historike se,në “lisin fisnor” shumëshekullor të Mërturit,që nga rrënjët,tek trungu dhe degëzat e tij gjithmonë ka rrjedh gjak i pastër shqiptar. Nga studiues të ndryshëm,si dhe në traditën gojore thuhet se,Merturi e ka prjardhjen nga fisi i Berishës. Lidhur me këtë F.Nopçe,në vitin 1908,thotë: “Merturi u shkëput nga Berisha rreth 11 brezni më parë”52)Madje shton se,”Nikajt vazhdojnë t’i quajn merturësist berishaj”. 53) Nga pema gjenealogjike e Merturit,e cila në vitin 1908 paraqet 19-21 breza,mësohet se 6-7 brezat e parë i ka të përbashkët me Berishën,çka do të thotë se degëzimi i Merturit fillon e veçohet rrëth 200 vjet pas Berishës.Përndryshe mundë të thuhët se,historia e fisit Mertur fillon me Berishën.
Trojet e para të Berishës ishin në fshatin Berishë të rrethit të Pukës,i cili edhe sot quhet “Berisha e Vendit”.Në traditën gojore thuhet se,Ati i parë i Berishës ishte Kojel Pogu (Kojel – Pog – Murr – Deti),i cili në fillim u vendos me banim tek shpella e Gralishtit. Ky kishte dy djem:Prendin dhe Gjonin. Nga shumimi i barqeve të tyre u formua fisi i Berishës me degëzimet e tij. Një pjesë e barkut të Gjonit u largua nga Berisha dhe u vendos në Malësinë e Gjakovës dhe Kosovë.54) Pasardhës të këtyre ka dhe sot në Tropojë. Janë të besimit mysliman,por trashegojnë nga paraardhësit mbiemrat “Kojeli” e “Berisha”. Një pjesë tjetër e berishajve lëvizi në drejtim të verilindjes. Kaloi Drinin dhe u vendos në brigjet e tij,përball Dardhës së Pukës,fqinj me Bytyç të Malësisë së Gjakovës,duke formuar një krahinë të quajtur “Berishë e Brigjeve”. Kjo përbëhët nga Rodogoshi,Rushtë-Shëngjergji dhe Visoça. Edhe këta janë të besimit mysliman. Berisha njihet si njëri nga fiset më të vjetra,më të mëdha,po dhe më të përhapura në Shqipërinë e veriut dhe Kosovë. Grupe popullsie qe ruajn edhe sot kujtesën e lidhjeve fisnore me Berishën ka në Aprripë të Keqë,Spaç, Porav,Gropa,Iballe,Dajç,Lohje të Malësisë së Madhe,Grudë,Ujmisht të Lumes,Ungrej e Konej të Fanit (Mirditë),në Rrjodh,Than e Plan (Pult),Postribë etj. Mjaft i përhapur është ky fis në Rrafshin e Dukagjinit,Kosovë etj.55) Degën më të madhe dhe më të njohur të berishajve të shkëputur nga trungu i hershëm e përbëjnë Merturi në Malësinë e Gjakovës,Merturi i Gurit dhe Aprripa e Gurit. Këta së bashku përbëjnë fisin Mertur.
Për lidhjet gjenealogjike të fisit Mertur me Berishën ka mendime disi të ndryshme. Në njërin thuhet se, Berisha e Merturi rrjedhin nga dy vëllezër. Bërisha rrjedh nga Kojel Pogu (Kojel – Pog – Murr Deti).Ndërsa Merturi rrjedh nga Lekë Pogu (Lekë – Pog – Murr – Deti ).56) Sipas tjetrit, Berisha rrjedh nga Kojel Leka (Kojel – Lekë – Pog – Murr – Deti ). Ndërsa Merturi rrjedh nga Lekë Pogu i Prend Kojelit (Lekë – Pog – Prend – Kojel – Lekë – Pog – Murr – Deti ). Pra Ati i parë i Merturit,Lekë Pogu,ishte nip i Atit të parë të Berishës,Kojel Lekë Pogut.57) At Gjon Karma,në një studim për Merturin e Gurit,1940,përveç lidhjeve të Berishës me Merturin e Gurit,duke iu referuar traditës gojore,shpjegon edhe lidhjet e këtij të fundit me Merturin e anës së djathtë të Drinit,kur thotë: “Katundi i Merturit mbahet fis me Merturin e Përtedrines… Thonë se migj (axhë) e nip paskan pasë ardhë motit. Migja ngul në Berishë e nipi në Mertur (të Gurit-D.P.).Prej këtej,-vazhdon ai,- u hapën e dolën në katundet e Merturit të cilat njihen të njejtit fis me Mertur të Gurit e nuk martohen ndërveti. As me Berishë nuk janë martue deri vonë.” 58) Pavarësisht nga ndryshimet që verehen në traditën gojore rreth degëzimit fillestar Berishë – Mertur ,në të dy variantet pohohen lidhjet e gjakut midis tyre, si dhe përcaktojnë se,vendformimi i fiseve Berishë dhe Mertur ishte në anën e majtë të Drinit,në trevat e Dukagjinit mesjetar. Mbi prejardhjen e merturësve nga këto treva dhe lidhjet e tyre farefisnore me Berishë,Aprripë të Gurit dhe Mertur të Gurit hedhin dritë edhe disa të dhëna të studimeve antropologjike të kryera nga F.Nopçe, E.Durham dhe A.Dhima.
Ky i fundit ka ardhur në përfundimin se, “banorët e zonës së Pukës duke përfshirë Berishën e Iballen,paraqiten me shtat mesatar e me tipare tjera të ngjajshme me ata të Merturit. Shala,Shoshi,Toplana dhe Merturi me prejardhje nga Dukagjini (i vjetër) kan një tip antropologjik”.59)Emri “Mertur” është një patronim i lashtë dhe jo emri i Atit të parë të fisit Mertur. E.Durham mendon se ky rrjedh nga një emër i vjetër romak “Merituri”,60) dhe gjendej aty ku është sot Mërturi i Gurit,në anën e majtë të Drinit,rrëzë malit të Çlumit. Këtu u vendos me banim Ati i parë i Merturit,Lekë Pogu. Pasardhësit e tij formuan një bashkësi fisnore e teritoriale,e cila mori emrin e vendit “Mertur” Në defterin osma të regjistrimit të tokave dhe popullsisë të vitit 1529 – 36 ,del i regjistruar për herë të parë fshati Mertur me 32 shtëpi,në Nahijen e Iballes të Sanxhakut të Dukagjinit.61) Gjatë shek XVI – XVII,Merturi,si gjithë Dukagjini, ishte pjesëmarrës i qëndresës së malësive kundër ekspeditave ndëshkuese turke dhe feudalëve vendas. Por,siç thoshte F.Bardhi me 1638, “këto male Sulltani kurrë nuk ka mujtë t’i shtrojë nën tiraninë e vet,megjithse vjet për vjet ka dërgue sanxhakbegët e vezirët e vet me 5,8, e 10 mijë ushtarë për të mujt me ja shtrue furisë së vet.” 62) Një barrë tjetër e rëndë për malësorët e këtyre anëve ishte renta feudale (haraçi),të cilin osmanët e përdornin edhe si mjet presioni për islamizimin e nënshtrimin e popullsisë katolike. Për këtë qellim osmanët e rritnin rentën nga viti në vit. Në vitin 1529 – 36,Merturi me 32 shtëpi kishte 1382 akçe (njesi monetare turke) detyrime. Ndërsa në vitin 1571,kur kishte 19 shtëpi,detyrimi arriti në 2565 akçe.63) Këto detyrime të papërballueshme si dhe ngushtësia ekonomike që vinte nga rritja e popullsisë në një hapësirë shumë të kufizuar toke të punueshme,detyruan shumë merturës të largohen. Një pjesë e mirë e tyre kaluan Drinin për t’u vendosur në teritoret e Pultit të Epërm,midis qafës së Agrit dhe qafës së Kolçit. Shpërngulja e parë e madhe duhet të ketë ndodhur midis viteve 1536 – 1571. Ky është një fakt i dokumëntuar,pasi në bazë të regjistrimit,në vitin 1536 Merturi kisht 32 shtëpi,ndërsa në vitin 1571 mbeti me 19 shtëpi,dhe në vitin 1591 me 16 shtëpi.64) Pra,gjatë 55 vjetëve ishin larguar nga Merturi gjysma e popullsisë.
Pothuaj të njejtën gjë pohon F.Nopçe kur thotë: “Vendosja e merturësve në Shtreziqe (Brisë) ka ndodhur midis viteve 1550 – 1590”.65) Se merturësit e larguar për në anën e djathtë të Drinit u vendosën për hërë të parë në Brisë me banim të përkohëshëm apo të përhershëm, kjo mbetet e pa qartë,pasi fshati Brisë nuk përmendet në dokumenta që nga viti 1628 e deri në vitin 1775.66) Popullsia e shpërngulur nga Merturi i Gurit u vendos kryesisht në fshatra të formuar më parë, në anën e djathtë të Drinit (Krahina e Pultit). Një pjesë më e vogël kaloi malin e Çlumit dhe formoi fshatin Aprripë e Gurit. Ndërsa pjesa tjetër qëndroi në vendin e vet,Mertur të Gurit. Merturësit që u vendosën në anën e djathtë të Drinit, me kalimin e viteve u shumuan dhe u zgjeruan,duke formuar një njësi të re fisnore e teritoriale të vetëqeverisur që trashegoi emrin e fisit që i përkiste,Mertur. Në të dy anët e lumit kishte dy njësi me emrin “Mertur” dhe që i përkisnin të njejtit fis. Për t’i dalluar nga njeri-tjetri Merturi i anës së majtë të Drinit është quajtur Merturi i Gurit. Për shkak të Drinit që e ndante nga dy pjesët tjera të fisit,Merturi,në pikëpamje organizative vetëqeverisëse i kishte çeshtjet e ndara nga Merturi i Gurit dhe Aprripa e Gurit. Merturi formoi bajrakun e vet dhe fitoi autoritetin e fisit,në kuptimin e njësisë së vetëqeverisur. Merturi i Gurit iu bashkua bajrakut të Bugjonit,ndërsa Aprripa e Gurit atij të Thaçit.67) Merturi,si asnjë fis tjetër në malesitë tona,i copëzuar në disa pjesë,larg njera – tjetrës dhe me veshtirësi të mëdha komunikuese e bashkëpunuese për shkak të brierave të forta gjeografike që i ndajnë,ka arritur që të ruaj e të respektojë prej qindra vjetësh lidhjet farefisnore. Merturi, Aprripa e Gurit dhe Merturi i Gurit, nuk kan bërë asnje lidhje martesore midis tyre. Ata edhe sot vazhdojnë të festojnë Zojën e Merturit (Të lemtë e Zojës) më 8 shtator të çdo viti,si festën tradicionale të fisit Mertur. Tani le të ndalemi më hollësisht tek Merturi,në veri të Drinit,që është objekti kryesor i punës sonë. Merturi përbëhet nga fshatrat: Brisë,Salcë,Palç,Bëtoshë,Shëngjergj,Mulaj,Tetaj dhe Rajë. Shtrihet në formë gjysëmharku që fillon në veriprendim me kurrizin malor,maj e Ershellit – qafa e
Agrit,Kunora,Shtreziqe,që e kufizon me Shalën,Shoshin e Toplanën. Vazhdon gjatë brigjeve të Drinit në drejtim të lindjes deri në Rajë,për t’u ngjitur nga Raja në malin e Kores e qafë të Kolçit,ku ndahet me Geghysen e Krasniqe dhe përfundon në Mulaj,kufi me lagjen Kuq të Curraj të Epërm. Ky brez i harkuar fshatrash rrethon pothuaj në të tre anët fisin Nikaj,duke formuar së bashku krahinën e Nikaj – Merturit.Burimet dokumentare tregojnë se shumica e fshatrave të Merturit ishin formuar deri në shek. e XV,përpara ardhjes së merturësve në to. Në defterët kadastralë osmanë të Sanxhakut të Shkodrës të viteve 1485,1582,dhe Rumelisë për vitet 1529 – 36, dalin të rradhitur midis Krasniqes dhe Prashtës (Brashtës) fshatrat: Mllaka (Blaka-Bjakja) me 8 zjarre në vitin 1485,Noranja (Ranja-Raja) me 25 zjarre,Betuçi (Bëtosh) me 13 zjarre, Maleçi(Palç) me 5 zjarre,Salça (Salca) me10 zjarre dhe Brisha (Brisa) me 10 zjarre.68) Banorët që i formuan dhe i banuan këto fshatra, përpara se të vinin merturësit, ishin të kombësisë shqiptare dhe të besimit të krishterë. Pothuaj të gjithë kryefamiljarët e 71 shtëpive të këtyre fshatrave mbanin emra tipik shqiptar.69) Këta banorë kan lënë prapa mjaft toponime e dëshmi matëriale,kryesisht rrënoja kishash e varreza për të cilat banorët e sotëm merturës thonë se nuk u përkasin fisit të tyre. Në Rajë deri në vitet 1960 – 70 janë ruajtur rrënojate 7 kishave. Njëra prej tyre ajo e Ançitit,rreth 500 m në lindje të kalasë së Lekës,që i përkiste shek.XIV – XV,ka patur një këmbonare 5.2 m të lartë që është ruajtur deri në vitin 1980.70) Në bjeshkët e salcës,afër Karronit,njihet toponimi kisha e Shnaprendes,ku janë gjetur fragmente muresh,punuar me gurë të gdhendur e llaç gëlqerje,që i përkisnin shëk. XV – XVI.71)Deri në vitin 1964 janë ruajtur në Brisë muret anësore të kishës së Shenkollit. Një ndërtim ky paraturk dhe mjaft i veçantë i ndërtuar me gurë rrasor. Ka paturnjë derë me qemer të harkuar mbi të cilin dalloheshin vijëzime dhe nje kryq.Kjo sherbente si kapelë e varrezave të fshatit.72) Në Tetaj,janë ruajtur gjurmë muresh të kishës së Shnaprendes dhe varrezat pranë saj,që i përkasin Blakes së hershme. Nga dokumentët dhe tradita gojore del se,pothuaj tëgjithë fshatrat që sot përbëjnë Merturin kan patur vazhdimësi banimi nga formimi e deri në ditët e sotme. Në fillim i përkisnin Pultit,më pas Principatës së Pjetërspanit dhe pas shkatërrimit të saj përsëri njihen si pjesë e Pultit tëEpërm. Këto u përfshinë në fisin e Merturit, kur merturësit e adrdhur ishin bërë banorë të përhershëm dhe zotërueë të tyre.
Dihet se çdo fshat ka historine e vet të formimit dhe të zhvillimit,po,meqenëse do të falasim kryesisht për fisin e Merturit,këto fshatra do të shihen në kuadrin e këtij fisi. Po veçojmë vetëm fshatin “Martish”,që del i regjidtruar në trevën e Pjetërspanëve në vitin 1485 me 7 zjarre73),si dhe katundin “Mortur”që del i shenuar në relacionin e Don Vincentit ,në vitin 1628,afër me Bjake dhe Bëtoshë.74) Për emrin Martish,gjuhtari Kolë Luka gjykon se mund të jetë Morturi që del i shenuar në vitin 1628.75) Ndërsa S. Pulaha thotë se “emri Martish është vështirë të unifikohët me Morturin”.76) Gjykuar nga rradhitja në defter,ku Martish shënohët pranë fshatrave Plan,Pog,Xhan,Kir,themi se nuk ka lidhje midis tyre. Martishi ishte shumë larg trevës ku u formua Merturi në kohë dhe në hapësirë, prandaj nuk mundë të identifikohet me Merturin – fis. Është argumentuar se Merturi me banorë e me emer e ka prejardhjen nga Merturi i Gurit,dhe jo nga pjesa jugore e Pultit ku shtrihej fashati Martish.Prej këtej del se,Morturi (Merturi) që përmendet në dokumentat e vitit 1628 – 1795 pranë Bjakes dhe Bëtoshës ishte një nga ngulimet e banorve mërturës të ardhur nga Merturi i Gurit,në periudhën 1550 – 1590. Ky ishte fshat i përbërë vetëm nga banorë merturës, prandaj i dhen emrin e fisit tyre “Mertur” që dokumentët e shenojnë “Mortur”. Meqenëse merturësit ishin vendosur edhe në fshatrat tjera,Morturi nuk mundë të merret si zanafilla e fisit Mertur,siç ishte rasti i fshatit – fis Nikaj që u bë zanafilla e gjithë fisit Nikaj. Ky nga një fshat – fis ,u rrit dhe u teritorializua në afërsi të vendformimit,duke formuar fshatra tjera që morën emrat e kryeparve të vëllazërive si Gjonpepaj,Peraj etj. Në Nikaj fillimisht uniteti teritorial administrativ përputhej me unitetin fisnor,i cili më pas nuk mbeti plotësisht i tillë. Ndryshe ndodhi me Merturin.
Merturësit u shtrinë jashtë dhe larg krahinës së vendformimit fillestar,kryesisht në fshatra të formuar më parë. Për këtë arësye,në Mertur ka patur shtresëzim e bashkjetesë popullsie më të gjatë,midis merturësve të ardhur dhe vendasve që nuk kishin lidhje gjaku me merturësit. Këtu shumica e fshatrave nuk përbënin unitete të pastra fisnore,prandaj nuk morën emrat e kryeparve të vëllazërive të Merturit,por ruajtën emrat e vjetër që kishin patur. Vetëm Tetajt dhe Mulajt morën emrat e kryeparve. Kjo dukuri e vështirëson pasqyrimin e gjendjes demografike të vëllazërive,por jo shtrirjen teritoriale të tyre. Në traditën gojore thuhet se Lëkë Pogu,Ati i parë i fisit Merturit kishte 5 djem: Bibë Leka (i madhi),Mark Leka,Ndre Leka,Pec Leka dhe Tetë Leka. Prej këtyre u formuan vëllazëritë e mëdha,5 këmbët (degët) e këtij fisi: Biblekaj,Marlekaj,Nderlekaj,Peclekaj dhe Tetlekaj. Në Salcë dhe Brisë u teritorializuan 4 djemtë e Ndre Markut,nipat e Mark Lekë Pogut: Deda,Leka, Vuka dhe Kola. Nga tre të parët që u vendosën në Salcë rrjedhin vëllazëritë Dedndreaj,Lekndereaj dhe Vukaj (Vukndereaj,të cilat bashkë me vëllazëritë Prognaj dhe Steaj përbëjnë fshatin Salcë. Nga Kolë Ndreu dhe Mëhill Preka (Mehill – Prekë – Vatë – Mark – Leka )77) që ishin vendosur në Brisë,rrjedhin vëllazëritë e këtij fshati: Kolndreaj dhe Mëhillaj. E para përbën shumicën e popullsisë së Brisës. Salca është shëmbulli tipik ku u realizua mbishtresëzimi dhe bashkëjetesa më e gjatë e më e mirë midis vëllazërivë të fisit Mertur me vëllazëritë Prognaj e Steaj të cilët nuk ishin të një gjaku me të parat. Thuhet se Prognajt u gjetën në Salcë,të ardhur kohë më parë nga Qyqeshi i Berishës. Ndërsa,për Steajt gojdhëna thotë se,rrjedhin nga një nip bije,ndaj është vëllazëri e mbathur fisit. Por ka më të ngjarë së Steajt të jenë pasardhes të popullsisë së hershme të Salcës. Në vitin 1671 Salca kishte 7 shtëpi me 83 banorë dhithsejt.78) Një pjesë e pasardhësve të Ndre Lekës u teritorializuan në fshatin Palç. Pjesa tjetër qëndruan në Aprripë të Gurit dhe Mertur të Gurit. Kryepari vëllazërivë të Palçit ishte Mel Geci, stërnip i Ndre Lekë Pogut. (Mel – Gec – Ndre – Lekë – Pogu ).
Nga shumimi i barqeve të tre djemve të Mel Gecit: Palit,Gjolit dhe Malës u formuan tri vëllazëritë kryesore të Palçit: Palmelaj, Gjomelaj dhe Malmelaj. Nga 10 shtëpi dhe 83 frymë që kishte Palçi në vitin 1634,79) arriti në 26 shtëpi dhe 150 frymë në vitin 1671.80) Kjo shtesë popullsie çoi në zgjerimin e fshatit në drejtim të lindjes dhe të prendimit,duke formuar respektivisht lagjet Kotec dhe Leri,gjeografikisht disi të shkëputura nga Palçi, por të një fisi me të. Për Kotecin,i cili përmendet për herë të parë në vitin 1671,thuhet se e mori emrin nga nga një palçuar i quajtur Kotel. Në vitin 1671,Salca,Brisa,Palçi dhe Koteci kishin 54 shtëpi gjithsejt dhe 614 frymë që i përkisnin fisit Mertur.81)
Pjesa lindore e Merturit që shtrihet në shpatet e malit Kore e Merturit deri në kohët e vona është thirur Bjake,nga se fshatrat Shëngjergj,Tetaj e Bëtoshë ishin vendosur pranë ose në teritorin e Bjakes së hershme të Pultit të Epërm.
Në traditën gojore thuhet se,pasardhësit e tre djemve të Lekë Pogut: Bibë Leka,Pec Leka dhe Tetë Leka u teritorializuan në fshatrat Bëtoshë,Shëngjergj,Tetaj,Rajë dhe Mulaj. Nga dokumenti i vitit 1628,për të cilin kemi folur më sipër,del se,në këtë zonë,diku midis Bëtoshës dhe Bjakes,ishte formuar fshati Mertur (Mortur-sipas dokumentit). Vendodhjen e tij e përcakton më qartë F.Onufri ,në vitin 1768,i cili kur flet për famullinë e Rajës thotë se,ndër dy fshatra që shkojnë me këtë famulli janë “Merturi dhe Bëtoshi,larg dy a tre orë prej Rajës së Pultit”.82)Këtej del e kuptueshme se Morturi i vitit 1628 vazhdoi të njihej me të njejtin emër edhe në vitin 1768,dhe se ai shtrihej midis Bëtoshës e Tetajt të sotëm. Më sakt,në teritorin e Shëngjergjit të sotëm. Ruajtja e emrit Mertur për një kohë kaq të gjatë tregon se në atë fshat që ish formuar rishtaz nga merturësit qen grumbulluar vetëm merturës,të cilët i kishin dhënë fshatit emrin e fisit të vet. Këta merturës nuk mundë të ishin të tjerë veçse pasardhësit e Bibë,Pec dhe Tetë Lekës. Shumimi i barqeve dhe rritja e popullsisë së këtij fshati,çoi në zgjerimin e hapësirës së banuar prej tyre në drejtim të Bjakes, Bëtoshës,Ançitit dhe Rajës.Në fshatin Mertur që më vonë mori emrin e pajtorit “Shëngjergj”,qëndruan pjesa më e madhe e pasardhësve të Bibë Lekë Pogut,i cili kishte tre djem: Mengj Biba,Pepë Biba dhe Kolë Biba. Prej dy djemëve të Mengjës,Nikë dhe Preç Mengjës rrjedhin vëllazëritë e Shëngjergjit: Nikmengjaj dhe Kolpreçaj. Nga 4 djemtë e Nikë Mengjës:Vatë,Pjetër,Dedë dhe Vukë u formuan 4 vëllazëri tjera më të vogla:
Vatnikaj,Pjetërnikaj,Dednikaj dhe Vukaj (Vuknikaj). Po në Shëngjergj u formua vëllazëria Mulaj,që rrjedh nga Mulë Pep Biba,vëlla më Kolë Pepën. Një pjesë e Mulajt qëndruan në Shëngjrgj,ndërsa pjesa tjetër u çvendos në drejtim të veriprendimit dhe formoi fshatin Mulaj. Në Bëtoshë u vendosën tre nipat e Pec Lekë Pogut: Pjetëri,Marku dhe Buça. Prej këtyre u formuan vëllazëritë kryesore që përbëjnë Bëtoshën: Pjetërgjokajt,Markgjokaj dhe Buçgjokaj. Me këto vëllazëri,në Bëtoshë ka bashkjetuar në harmoni prej qindra vjetësh dhë vëllazëria Ukcamaj që s’ka lidhje gjaku me to. Shumica e pasardhësve të Tetë Lekë Pogut,pasi u larguan nga ish fshati Mertur (Shëngjergji sot) u vendosën me banim në Bjaken e herëshme,ku bashkjetuan gjatë me bjakçorët. Në vitin 1634,fshati Bjake kishte 20 shtëpi e 230 frymë.83) Në vitin 1638,- siç thotë F.Bardhi,”kishte kishën famulltare dhe me prift që i i sherbente dhe Gashit”.84) Pas largimit të bjakçorve,midis viteve 1768 – 1770,85) fshati mori emrin Tetaj,nga Tetë Leka. Vëllazëritë kryesore që rrjedhin prej tij janë: Gjoklaj,Rrucaj dhe Markaj. Ndërsa vëllazëria Qehajaj e këtij fshat e ka perjardhjen nga Kolë Bibë Leka. Qehajaj është emër vendi dhe jo i Atit të parë të kësaj vëllazërie. Raja,një nga fshatrat më të vjetra të Merturit,me kalanë e Lekës dhe kishen e Ançitit,që i përkasin kohës së Pjetërspanëve,në vitin 1485 njihej me emrin Noranja dhe kishte 25 zjarre.86)
Gjatë shek. XVI – XVIII ndahej në dy qendra të banuara: Raja dhe Ançiti,secila fshat më vete. Në vitin 1634 Raja kishte 10 shtëpi,ndërsa Ançiti 20 shtëpi dhe 200 frymë. Me 1671 raja mbeti me 8 shtëpi e 70 frymë,ndërsa Ançiti kishte 12 shtëpi e 120 frymë.87) Tradita gojore thotë se merturësit që populluan Ançitin dhe Rajën kishin ardhur nga Shëngjergji dhe Tetajt,pas vitit 1671,kur ishin shpërngulur prej andej banorët e mëparshëm që i përkisnin fisit Gash.Pranë Raje ka disa toponime që lidhen me Gashin si Prroni i Gashit,Pusterri nen Gash etj.
Të parët që u vendosën me banim në Rajë ishin Ramë Pepa dhe Prekë Pepa,prej të cilëve rrjedhin vëllazëritë: Rampepaj dhe Prekpepaj. Prej këtyre u formuan vëllazërit tjera më të vogla që përbëjnë Rajën e sotme: Ramaj,Pepkolaj,Kukaj,Markokaj,Kurprekaj,Maklekaj etj.Në vitin 1957,fshati Rajë mori zyrtarisht emrin Breglumi.88)Të dhenat dokumentare dhe tradita gojore mbi gjenealogjinë e vëllazërive që përbëjnë Merturin tregojnë se,deri në fundin e shek.XVIII,merturësit ishin bërë popullsi dominuese në të gjithë fshatrat e tij. Pra në Pultin e Epërm, ngjitur me Nikaj,u formua një tjetër njësi e vetëqeverisur në bazë të të drejtës zakonore,fisi e bajraku i Merturit. Megjithë copëzimin gjeografik që paraqet trekëndëshi mërturës Brisë – Rajë – Mulaj,rreth 6-7 orë rrugë këmbësore larg njëri – tjetrit,mërturësit kan ruajtur të fortë kujtesën mbi lidhjet e gjakut midis tyre. Shprehje e bindjes mbi lidhjet e gjakut është mungesa e lidhjeve martesore brenda fisit Mertur. Nga vështrimi i të dhënave dokumentare mbi gjendjen demografike të Merturit del se,nga gjysma e shek. XIX e këtej ky fis ka patur një rritje mjaft të vogël të popullsisë. Në vitin 1867,Merturi kishte 240 shtëpi me 2150 banorë.89) Njëqint vjet më vonë,në vitin1964,kishte 271 shtëpi dhe 2008 banorë. Ndërsa në vitin 1990 kishte 589 ekonomi (shtëpi-familje) dhe 2300 banorë.90) Për 150 vjet vetëm 150 banorë shtesë popullsie!! Lidhur me këtë tregues tepër të veçantë,gjykojmë se kjo gjëndje demografike është pasojë e shpërnguljeve të herëpasherëshme të merturësve,dhe jo mungesë vitaliteti i këtij fisi. Sipërfaqja tepër e kufizuar e tokës së punueshme dhe e bjeshkëve,veçanarisht mungesa e burimeve ujore për vaditjen e tokës bujqësore,në Brisë,Palç,Tetaj,Bëtoshë etj. i detyroi merturësit që të të largohen për të mbijetuar në trevat tjera më pjellore,brenda hapësirës së banuar nga shqiptarët. Degët e “ndërprera” ose pak të zhvilluara të pemës gjenealogjike të fisit,siç është rasti i asaj të Kolë Bibë Lekës,Buç Mengjës,Ukë Preç Mengjës, Kolë Preçit,Kolë Pepë Bibës etj.,tregojnë se pasardhësit e tyre janë larguar nga krahina. Edhe në gjysmën e dytë të shek. XX,një numër jo i vogël familjesh u larguan nga Merturi dhe u vendosën me banim në Cernicë,Bukovë (Llugaj), etj,brenda rrethit të Tropojës. Gjithsesi shumica e banorve të fisit Merturit kan qëndruar në trojet e gjyshërve të vet,që nga shek. XVI e deri në ditët e sotme.
Fisi i Merturit u formua,u rrit , u bë i njohur dhe bashkjetoi në fqinjësi e mirkuptim të admirueshëm me fiset e bajraqet tjera të malësisë,veçanarisht me Nikajt,të cilët ishin fqinjtë,miqtë dhe bashkëluftëtarët më të afërt të Merturit. Të dy fiset sëbashku formuan krahinën e Nikaj – Merturit,të njohur në historinë e Pultit dhe të Malësisë së Gjakovës. Në vitët 1990 – 2000,duke përfituar nga e drejta për lëvizjen e lrë të popullsisë,merturësit si shumë fise të tjera të veriut,u zhvendosën më masivisht se kurrë,në drejtim të Tiranës,Lezhës,Shkodrës,Krujës,Durrësit etj. Në kërkim të një jete më të mirë,shumë merturës u larguan nga Shqipëria,për të punuar e jetuar në vende tjera që nga Europa,Amerika e deri në Australinë e largët
Share:
%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close