Ultimate magazine theme for WordPress.

Gjykata Speciale konfirmon aktakuzën ndaj Kadri Veselit

Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën kundër kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Lajmin e konfirmoi vetë Veseli përmes një deklarate për opinion, ku po ashtu njoftoi se ka bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjet këtyre akuzave. Ai tha se do të udhëtojë këtë mëngjes drejt Hagës.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për t’u paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të Tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, ka thënë Veseli.

Ai ka shprehur besim në objekitivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve.

“Kërkoj nga të gjithë në Kosovë që të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë. Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Prandaj, nëse ju kërkohet që t’i ndihmoni Dhomat e Specilizuara, ju lutem pranojeni pa hezitim”, ka thënë Veseli.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njoftoi se ka vendosur që të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë të zgjasë ky proces.

Më 24 prill, Prokuroria e Specializuar në Hagë kishte paraqitur një aktakuzë për shqyrtim në Dhomat e Specializuara të Kosovës kundër Hashim Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si dhe disa personave “të tjerë”, emrat e të cilëve prokuroria nuk ka dashur t’i publikojë.

Në aktakuzë thuhej se ata ngarkohen me “disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe tortura”.

Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë janë penalisht përgjegjës për gati 100 vrasje.

“Viktimat e krimeve në aktakuzë janë qindra njerëz, identiteti i të cilëve është i njohur dhe në mesin e të cilëve ka shqiptarë të Kosovës, serbë, romë dhe njerëz të kombësive të tjera, si dhe kundërshtarë politikë”, ishte thënë në deklaratë.

Pas konfirmimit të aktakuzës, i dyshuari merr statusin e të akuzuarit dhe aktakuza i dorëzohet personalisht të akuzuarit. Paraqitja e parë e të akuzuarit në gjykatë mbahet brenda 7 ditësh, pas dorëzimit të aktakuzës.

Veseli ka qenë njëra ndër figurat kyçe të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Konfirmimi i aktakuzës ndaj Veselit, pason arrestimin e djeshëm (4 nëntor) të ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Arrestimi i Krasniqit, është bërë pas rreth dhjetë orësh të qëndrimit të pjesëtarëve të Prokurorisë së Specializuar të Hagës në shtëpinë e tij në Prishtinë.

Të mërkurën, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë konfirmuar aktakuzën edhe kundër shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

Lajmin e konfirmoi vetë Selimi në një postim në Facebook, ku po ashtu njoftoi se të enjten do të udhëtojë për në Hagë.

“Unë po shkoj me kokën lart dhe kurdo që kthehem, do të kthehem po ashtu me kokën lart, sepse isha, jam dhe do të jem ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të cilën jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja ime. Ideali i asaj ushtrie të lavdishme është mbi mua, mbi këdo, mbi gjithçka”, shkroi Selimi në Facebook.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin e parë në Kosovë në muajin shtator. Më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së për Zonën e Llapit, u arrestua në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Mustafën për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Gjatë seancës së mbajtur më 28 tetor, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close