Friday, November 27, 2020
Fokus

Macron: Franca lufton separatizmin islamik, jo Islamin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka thënë se vendi i tij po lufton “separatizmin islamik, kurrë Islamin”.

“Franca po lufton kundër … urrejtjes dhe vdekjes që kërcënon fëmijët e saj – kurrë kundër Islamit. Ne kundërshtojmë mashtrimin, fanatizmin, ekstremizmin e dhunshëm. Jo fenë”, ka thënë Macron.

Macron i bëri komentet duke iu përgjigjur një artikulli të Financial Times, për të cilin ai pretendoi se e citoi gabimisht. Artikulli është hequr nga faqja e internetit e gazetës.

Në një letër për redaktorin e gazetës, e cila është botuar të mërkurën, Macron tha se gazeta britanike e kishte akuzuar atë për “stigmatizimin e myslimanëve francezë për qëllime elektorale dhe për nxitjen e një klime frike dhe dyshimi ndaj tyre”.

“Unë nuk do të lejoj askënd të pretendojë se Franca, ose qeveria e saj, po nxit racizëm kundër myslimanëve”, tha ai.

Në një artikull i shkruar nga një korrespondent i Financial Times, botuar të martën, pretendohej se deklarata e Macronit ndaj “separatizmit islamik” rrezikonte të nxisë një “mjedis armiqësor” për myslimanët francezë.

Artikulli më vonë u hoq nga faqja e internetit e gazetës, dhe u zëvendësua me një njoftim që thoshte se ai kishte “gabime faktike”, raporton AFP.

Muajin e kaluar, në Francë, një mësues i historisë u vra në mënyrë mizore, pasi ai e kishte ilustruar një ligjeratë për shprehjen e lirë, me karikaturën e profetit Muhamed.

Një 18-vjeçar me origjinë nga Çeçenia, i lindur në Moskë, është përgjegjës për vrasjen.

Sulmuesi ia kishte prerë kokën mësuesit. Pas sulmit, ai është qëlluar për vdekje nga policia.

Prokurori kundër-terrorizmit, Jean-Francois Ricard dha këtë njoftim, një ditë pas incidentit, të cilin, presidenti i Francës, Emmanuel Macron e quajti “sulm terrorist islamik“.

Islami ndalon përshkrimet e Muhamedit.

Presidenti i Francës Macron është zotuar se Franca nuk do të heqë dorë nga “vlerat” dhe gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të të gjitha feve të mos “dorëzohen në frymën e përçarjes”.

Javën e kaluar, një burrë tjetër vrau tre persona në një kishë të Nicës, në atë që presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi si “një sulm terrorist, islamik”.

Pas protestave dhe bojkotit të mallrave franceze në të gjithë botën, Macron i tha rrjetit Al-Jazeera gjatë fundjavës se ai e kuptonte që karikaturat mund të ishin tronditëse për disa./rel

Similar Posts

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close