Enver Hoxhaj ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës ka emëruar Enver Hoxhajn ushtrues të detyrës së kryetarit të partisë, pas tërheqjes nga të gjitha aktivitetet publike në Kosovë të Kadri Veselit me rastin e arrestimit nga Gjykata Speciale.

Përmes një konference të jashtëzakonshme për medie, Hoxhaj kërkoi unitet dhe tha se nuk duhet të lejohet të ketë krizë institucionale dhe vakum kushtetues.

Ndërkohë tha se ende nuk kanë qëndrim për postin e presidentit, e sipas tij kjo çështje është e koalicionit qeverisës.

“Çështja e temës së presidentit ka kohë edhe hapësirë. Kjo është çështje më shumë e koalicionit qeverisës”, tha ai.

Ai situatën aktuale në Kosovë e cilësoi si të rëndë. “Kosova është në një situatë të rëndë dhe proces të vështirë të shtetndërtimit. Unë jam i bindur se ish krerët e UÇK-së do të dalin faqebardhë sepse lufta e UÇK-së ka qenë e pastër”, tha ai.

Ai komentoi edhe vizitat e u.d të presidentes Vjosa Osmani, ku tha se nuk merren me sjelljet dhe veprimet e saj.