Friday, November 27, 2020
Aktuale

Ministri Zemaj paralajmëron masa të reja, Ahmeti thotë se Prishtina mund të mbyllet për një javë

Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, zhvilloi të hënën një takim me kryetarët e komunave, me të cilët diskutoi për hapat që duhen ndërmarrë për frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Zemaj tha se lakorja e rasteve të fundit kërkon kujdes të shtuar dhe aktiv.

Të dielën, nga testimi i 1,794 mostrave, pozitive me koronavirus kanë dalë 730.

“Nga java e kaluar, kemi filluar me masa më të rrepta për disa qytete të Kosovës dhe do të vazhdojmë çdo ditë me vendime operacionale për komuna të caktuara, në bazë të kategorizimit, si pasojë e numrit të të infektuarve”, shkroi Zemaj në Facebook.

Në anën tjetër, kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se niveli qendror ka vendosur Prishtinën në zonën e kuqe duke rekomanduar mbyllje njëjavore.

“Si arsyetim ka përdorur numrin aktiv të të infektuarve. Duke marrë parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve, dhe po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve. Por, kjo nuk është marrë parasysh”, ka shkruar Ahemti.

Në fundjavën që shkoi, në Kosovë ka qenë e ndaluar veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, me qëllim frenimin e përhapjes së koronavirusit.

Në këtë periudhë janë mbyllur edhe qendrat tregtare dhe rekreative dhe subjektet që ofrojnë shërbime të gastronomisë në të gjithë territorin e Kosovës.

Në fundjavë, po ashtu, qytetarëve të shtatë komunave të Kosovës – Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Obiliq, Gjakovë, Podujevë dhe Shtime – u janë ndaluar hyrjet dhe daljet, përveç në disa raste të domosdoshme.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës dhe Oda Ekonomike e Kosovës kundërshtuan çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme të biznesve, nëse ato nuk subvencionohen dhe mbështeten me pako strategjike për mbulimin e dëmeve.

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, kërkoi nga institucionet që të mos marrin vendime që i dëmtojnë bizneset.

“Në rast se vendimet e ardhshme për mbyllje nuk do të subvencionohen apo mbështeten me plane konkrete strategjike për mbulimin e dëmeve dhe pako për subvencionim të linjave të pagave të punëtorëve, subvencionim të shpenzimeve të qirasë, ndihmesë në pagesën e interesave të kredive, ndarjen e granteve që stimulojnë qarkullimin në gastronomi, zotohemi se do të kundershtojmë çdo vendim për mbyllje të mëtutjeshme ose shkurtim orari, në çdo formë të mundshme, përfshirë edhe ato radikale: mosmbylljen e lokaleve apo edhe protesta”, thuhet në një komunikatë të gastronomëve të Kosovës.

Kryetari i Odës Ekonomike e Kosovës, Berat Rukiqi, në një postim në rrjetin social Facebook, tha se kjo javë është vendimtare për “mosdërgimin e ekonomisë në kolaps”.

“Për rimëkëmbje as nuk diskutohet. Tani, para rimëkëmbjes duhet të sigurohet mbijetesë”, shkroi Rukiqi.

Raportit i Rregullt Ekonomik i Bankës Botërore, i publikuar më 22 tetor, ka theksuar se pandemia e koronavirusit i kërcënon vendet e punës në Kosovë.

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind në vitin 2020.

Bizneset në Kosovë, për të mbajtur punëtorët në punë dhe për t’i rikuperuar humbjet nga pandemia, janë ndihmuar nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës.

Për këto biznese, nga ky Fond që kap vlerën e mbi 350 milionë eurove, janë ndarë së voni 60 milionë euro, por ato janë vlerësuar si të pamjaftueshme nga vetë bizneset.

Similar Posts

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close