Ultimate magazine theme for WordPress.

Thaçi dhe Krasniqi në paraqitjen e parë në Hagë

Të hënën, në Dhomat e Specializuara në Hagë, të njohura edhe si Gjykata Speciale, do ta kenë paraqitjen e parë ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Krasniqi, i cili ka qenë edhe zëdhënës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të paraqitet në orën 11:00, ndërsa Thaçi, ish-komandant i UÇK-së, do të paraqitet në orën 15:00.

Para Dhomave të Specializuara, më 10 nëntor do të paraqitet edhe ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa, më 11 nëntor, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi, të gjithë ish-eprorë të UÇK-së, janë arrestuar javën e kaluar në Prishtinë, pas konfirmimit të një aktakuze kundër tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Menjëherë pas arrestimit, ata janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Pas konfirmimit të aktakuzës, Thaçi po ashtu ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.

Çka pritet?

Gjatë paraqitjes së parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron se respektohen të drejtat e të akuzuarit, ndër të cilat: e drejta për përfaqësim ligjor dhe që i akuzuari t’i kuptojë akuzat kundër tij.

Të akuzuarit po ashtu i jepet mundësia të deklarohet nëse është fajtor ose i pafajshëm për çdo akuzë, ose këtë mund ta bëjë edhe brenda tridhjetë ditësh nga paraqitja e parë para Dhomave të Specializuara.

Pas shqyrtimit fillestar dhe sapo të jetë zgjidhur çdo parashtresë paraprake, kryetari i Dhomave e formon trupin gjykues që do të jetë përgjegjës për zhvillimin e procedurës së shqyrtimit gjyqësor.

Për çka akuzohen?
Veprat që, sipas aktakuzës, rëndojnë ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit, kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe me krime kundër njerëzimit: burgosje.

Më pastaj përmenden edhe akte tjera çnjerëzore, si: torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë e personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, krimet dyshohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës, por edhe në disa pjesë në veri të Republikës së Shqipërisë, si në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara e kanë konfirmuar aktakuzën më 26 tetor, por ajo është bërë publike më 5 nëntor.

I akuzuari i parë i Gjykatës Speciale ka qenë ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa.

Ai tashmë ka deklaruar se ndjehet i pafajshëm për akuzat për krime lufte, të ngritura nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në paraburgim, si të dyshuar nga Gjykata Speciale ndodhen edhe dy udhëheqës të organizatës së veteranëve të UÇK-së: Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Ata dyshohen për pengim të drejtësisë, frikësim të dëshmitareve dhe vepra të tjera që kanë të bëjnë me bërjen publike të disa dokumenteve sekrete të Gjykatës.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000.

Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close