Friday, November 27, 2020
Aktuale

Guvernatori Mehmeti: Sektori bankar është më stabil se kurrë

Guvernatori i Bankës Qendore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti, në konferencën e mbajtur sot për media, njoftoi se sektori bankar është më stabil se kurrë, likuid , mirë i kapitalizuar, dhe me afarizëm pozitiv.

“Pasojat ekonomike nga pandemia COVID-19 tani më janë evidente në ekonominë e Kosovës, ku si parashikimet e BQK-së, ashtu edhe ato nga institucionet financiare ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore sugjerojnë se ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë rënie ekonomike”, tha ai.

Fjala e plotë:

Të nderuar gazetarë, mirë se keni ardhur në këtë konferencë në BQK.
Jemi të vetëdijshëm për sfidat më të cilat po përballet Kosova por besoj se me dialog, partneritet dhe me unitet ekonomik dhe politik do t’ia dalim që ti minimizojmë efektet negative të pandemisë.
Kjo konferencë ka rëndësi ekonomike, sociale mbi te gjitha psikologjike sa i përket edhe imazhit të Kosovës por mbi të gjitha për të siguruar qytetarët se BQK-ja është më stabile se kurrë.
Dëshiroja të ndaj me ju se BQK-ja po i përcjell me vëmendje ndodhitë e kohëve të fundit në Kosovë prandaj edhe kemi angazhuar aktivitete shtesë për monitorim.
Sektori bankar është më stabil se kurrë, likuid , mire i kapitalizuar, dhe me afarizëm pozitiv.
Për hir të informimit të opinionit ne në vazhdimësi i kushtojmë rëndësi kontrolleve të brendshme, që kanë për qëllim parandalimin e humbjeve dhe raportimin e besueshëm financiar, andaj edhe kemi bërë regjistrimin ad-hoc të gjendjes së parasë së gatshme në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.
Objektivat kryesore të këtij regjistrimi ishin për të verifikuar se të gjitha transaksionet me para të gatshme në bankë janë regjistruar me kohë dhe saktë në regjistrimet e kontabilitetit për qëllime të raportimit financiar.
Duke u bazuar në rezultatet e këtij regjistrimi kemi konstatuar se raportimi i gjendjes së parasë së gatshme në pasqyrat financiare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës është i pasqyruar saktë, drejtë dhe me kohë, dhe në përputhje të plotë me gjendjen fizike të parasë së gatshme.
Kjo dëshmon për sistem efektiv të kontrolleve të brendshme në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës duke zvogëluar mundësinë e mashtrimeve, shpërdorimeve dhe veprimeve të gabuara.
Pasojat ekonomike nga pandemia COVID-19 tani më janë evidente në ekonominë e Kosovës, ku si parashikimet e BQK-së, ashtu edhe ato nga institucionet financiare ndërkombëtare siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore sugjerojnë se ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë rënie ekonomike.
Sipas parashikimeve të BQK-së, ekonomia e Kosovës në vitin 2020 do të shënojë një rënie prej rreth 7.2%. Sidoqoftë, këto parashikime mund të rishikohen përsëri duke i pasur parasysh pasiguritë e shumta që kanë të bëjnë me zhvillimin e pandemisë gjatë muajve në vijim dhe, rrjedhimisht, masat që mund të ndërmerren nga autoritetet përgjegjëse për ta menaxhuar situatën e pandemisë.
Shkaktarët mbrapa rënies ekonomike kryesisht lidhen me masat e ndërmarra për pengimin e shpërndarjes së pandemisë, të cilat ndikuan negativisht edhe në nivelin e konsumit edhe në nivelin e investimeve në vend.
Përveç faktorëve të brendshëm që ndikuan në rënien e konsumit, siç janë kufizimet e zhvillimit të aktivitetit për shumë biznese, humbja e mundshme e vendeve të punës e kështu me radhë, ndikim të rëndësishëm në rënien e konsumit në vend kishte edhe rënia e vizitave të diasporës në Kosovë gjatë kësaj periudhe, të cilët zakonisht paraqesin një burim shumë të rëndësishëm të rritjes së kërkesës së përgjithshme në Kosovë. Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në korrik 2020, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin rreth 300 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 643 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sidoqoftë, mbetet të shihet se si do të zhvillohet gjendja e pandemisë gjatë pjesës së mbetur të vitit për të vlerësuar impaktin për të vitin. Kohët e fundit kemi parë një rritje të konsiderueshme të vizitave nga diaspora pas lehtësimit të masave, mirëpo mbetet të shihet se çka do të ndodhë në muajt në vijim.
Në anën tjetër, kur jemi te lidhja e diasporës me ekonominë tonë, një faktor që ka ndikuar shumë në zbutjen e krizës kanë qenë remitencat, të cilat edhe në këto kohë shumë të vështira për ekonominë botërore, vazhduan rrjedhën e qëndrueshme drejt ekonomisë tonë. Vlera e remitencave të pranuara deri në gusht 2020 ishte 608.6 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 10 përqind.
Rënia e konsumit në Kosovë gjatë këtij viti u reflektua në një vlerë më të vogël të importit të mallrave, i cili deri në korrik 2020 shënoi vlerën 2.03 miliardë euro apo një rënie vjetore prej 9.9 përqind. Në anën tjetër, eksporti i mallrave shënoi vlerën prej 290.1 milionë euro, duke shënuar rritje vjetore prej 15.8 përqind, mbështetur kryesisht në rritjes e eksportit të metaleve bazë. Si rrjedhojë e kësaj, deficiti tregtar (i mallrave) gjatë kësaj periudhë regjistroi vlerën prej 1.74 miliard euro, që paraqet një rënie vjetore prej 13.1 përqind.
Për sa i përket investimeve të huaja direkte, vlera e tyre deri në korrik 2020 arriti në 202.6 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 147.7 milionë euro të regjistruar deri në korrik 2019. Gjatë kësaj periudhe, investimet në patundshmëri, të cilat paraqesin kategorinë kryesore të IHD-ve në Kosovë, zbritën në 100.6 milionë euro, nga 117.6 milionë euro sa ishin një vit më parë. Rënia e tyre mund të shpjegohet me kufizimin e lëvizjes së diasporës drejt Kosovës, por megjithatë kjo kategori mbetet kategoria më e madhe e IHD-ve në Kosovë. Në anën tjetër, rritje shënuan IHD-të në sektorin e shërbimeve financiare, të cilat shënuan vlerën prej 54.5 milionë euro, në krahasim me vlerën prej 14 milionë euro të regjistruar një vit më parë.
Në këto kushte kur të hyrat nga sektori i jashtëm kanë shënuar rënie, ekonomia e Kosovës ka vazhduar të përfitojë nga rritja e vazhdueshme e kreditimit të sektorit bankar të Kosovës. Gjithsej vlera e kredive aktive në sektorin bankar të Kosovës në shtator 2020 ishte 3.2 miliard euro, që paraqet një rritje vjetore prej 7.6%. Vlera e kredive të reja të lëshuara për periudhën janar-gusht 2020 është 912.5 milionë euro, krahasuar me 959 milionë euro apo rënie prej 5 përqind, krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, gjatë muajve korrik-gusht të këtij viti kemi të dhëna premtuese, ku kreditë e reja të lejuara nga sektori bankar janë në vlerë prej 320.7 milionë euro krahasuar me kreditë e reja të lëshuara në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar prej 260 milionë, apo një rritje prej 23 përqind.
Rritjen e kreditimit pa dyshim që e kanë lehtësuar masat rregullatore dhe mbikëqyrëse të BQK-së të cilat kanë pasur për qëllim lehtësimin e barrës së pagesës së borxhit për huamarrësit dhe po ashtu lehtësimin e kërkesave rregullatore për bankat.
Depozitat vazhdojnë të përfaqësojnë burimin kryesor të financimit për sektorin bankar dhe shënuan rritje vjetore prej 8.6 përqind në shtator 2020. Është e rëndësishme të theksohet se depozitat e ekonomive familjare përfaqësojnë 67 përqind të gjithsej depozitave në sektorin bankar, e të cilat kanë shënuar një rritje prej 7 përqind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Ngjashëm me vitet paraprake, norma efektive e interesit në kredi është 6.4 përqind sa ishte edhe në shtator të vitit 2019, derisa norma e interesit në depozita është 1.5 përqind, e njëjtë sikur në shtator të vitit të kaluar.
Gjendja e kënaqshme shfaqet edhe sa i përket treguesve të qëndrueshmërisë së sektorit bankar. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit vazhdon të jetë mbi minimumin e kërkuar rregullativ duke qëndruar në 16.9 përqind në shtator 2020 nga 16.5 përqind sa ishte në shtator 2019. Gjendje e kënaqshme paraqitet edhe në aspektin e likuiditetit, ku raporti i likuiditetit qëndron në 37.7 përqind, që është lartë mbi minimumin e kërkuar rregullativ prej 25 përqind. Norma e kredive jo-performuese mbetet në nivele të ulëta prej 2.7 përqind, përderisa mbulueshmëria e tyre me provizione është 137.8 përqind.
Zhvillime pozitive kemi edhe te sektori i sigurimeve, i cili deri në shtator 2020 pati rënie të lehtë të aktivitetit, megjithatë pati një performancë pozitive financiare, si dhe me përmirësim të pozitës së likuiditetit. Deri në shtator 2020, asetet e sektorit të sigurimeve arritën vlerën në 215 milionë euro që paraqet një rritje vjetore për 9.3 përqind.
Gjithashtu, vlen të theksohet fakti se vetëm gjatë vitit 2020, vlera e shtuar e kapitalit në këtë sektor është rreth 12 milionë euro duke rritur raportin e kapitalit ndaj aseteve nga 25.4 përqind në 26.8 përqind.
Institucionet mikrofinanciare dhe ato financiare jo-bankare (IMF-IFJB) gjithashtu vazhduan të kenë rritje të konsiderueshme të aseteve, gjegjësisht aktivitetit kreditues. Në shtator 2020, vlera e gjithsej kredive arriti në 218.8 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 2.0 përqind
Duke pasur parasysh vazhdimin e pandemisë dhe rrjedhimisht edhe efektet e mundshme negative për ekonominë, ne si Bankë Qendrore jemi të përkushtuar që të ndërmarrim masa të mëtejme në mbështetje të ekonomisë përmes lehtësimit të rrjedhës së kreditimit drejt sektorit privat. Në këtë kontekst, ne po planifikojmë ndërmarrjen e një mase të re, të ngjashme me masat e ndërmarra nga Banka Qendrore Evropiane, përmes së cilës do të ulet përkohësisht kërkesa rregullatorë për kapital ndaj bankave, gjë e cila pritet të lirojë një pjesë të konsiderueshme të kapitalit që mund të përdoret për kreditimin e ekonomisë. Kërkesa rregullatore për kapital do të rikthehet pastaj gradualisht në nivelin e kërkuar në kushte normale në përputhje me ritmin e kthimit të ekonomisë drejt normalitetit. Në diskutimet fillestare me Shoqatën e Bankave të Kosovës dhe përfaqësuesit e bankave, kjo qasje e jona kundrejt pandemisë është mirëpritur dhe vlerësuar lartë, gjë që na bënë të besojmë se do të jetë efektive në arritjen e qëllimit tonë për ta mbështetur ekonominë e vendit.
Kontributi i sektorit bankar në rimëkëmbjen ekonomike pritet të rritet edhe më tutje pas kalimit eventual të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike në Kuvendin e Kosovës, duke pasur parasysh faktin se një pjesë e konsiderueshme e pakos së rimëkëmbjes ekonomike bazohet në masat për lehtësimin e qasjes në financa. Më konkretisht, subvencionimi i normave të interesit dhe garantimi i kredive pritet të kenë rol shumë të rëndësishëm në rritjen e financimit kreditor në ekonominë tonë. Sidoqoftë, këtu duhet të përkujdesemi që këtë skemë të mbështetjes ekonomike ta bëjmë sa më efektive duke përcaktuar me kujdes kriteret kualifikuese për përfituesit. Me këtë rast, duhet pasur parasysh faktin se pozita financiare e një pjese të konsiderueshme të bizneseve dhe individëve është prekur negativisht nga kriza, por kjo nuk duhet t’i përjashtoj ata nga përfitimi i lehtësimeve të qasjes në financa për shkak se mund të jenë kategorizuar si kredimarrës jo të mirë. Nëse Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të pranonte vetëm garantimin e kredive të klientëve që nuk kanë pasur ndonjë problem me kthimin e kredisë, atëherë do të përfundonim duke përkrahur klientët që edhe pa një skemë të tillë do të mund të siguronin qasje në kredi, ndërsa do të përjashtonim ata që më së shumti kanë nevojë për një skemë të tillë për t’i ndihmuar në rimëkëmbjen e tyre.

Similar Posts

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close