Ultimate magazine theme for WordPress.

Situata e rënduar me COVID-19 në Krajë mobilizon diasporën

Ndihma emergjente për përballimin e situatës

Dr. Selatin Kraja, në “Gofundme.com” ka hapur fushatën “Emergency COVID-19 Relief for Kraja” (Ndihma emergjente COVID-19 për Krajën) për të ndihmuar të prekurit në Krajë. Synohet shuma prej 200 000 dollarë dhe deri në përmbylljen e këtij artikulli, mesazhin e kanë shpërndarë 423 veta, kanë kontribuar 307 donatorë dhe janë tubuar 63 716 dollarë, përfshirë edhe donacionin e Shoqatës“Kraja” prej 5 000 dollarë.

Hajrudin S. Muja

Urtësia popullore se “Zjarri djeg aty ku bie, kurse dhimbja përvëlon vetëm zemrat që prek”, mund të na paraqesë situatën me të cilën po përballemi sot. Quhet “Covid-19”, një virus i ri “SARS-CoV-2” i familjes së virusit “Corona”, shkaktar i sëmundjes respiratore akute. Disa nuk e dinë, disa e dinë por nuk duan ta besojnë, disa të tjerë thjesht e shohin larg vetes së tyre! Pavarësisht bindjeve tona, ai po bëhet gjithnjë më alarmant, më i përhapur, më i ndjerë, më i frikshëm kudo në botë.

Në situata të këtilla shqetësuese ndihet nevoja për marrjen e masave emergjente për të bërë çdo gjë të mundur në parandalimin e përhapjes së kësaj “murtaje”, e cila çdo ditë po na ndanë prej anëtarëve të familjeve tona. Në Krajë situata përballet edhe me vështirësitë ekonomike, të cilat e komplikojnë edhe më shumë situatën. Për këtë aryse bashkatdhetari ynë Dr. Selatin Kraja, në “Gofundme.com” ka hapur fushatën: “Emergency COVID-19 Relief for Kraja” (Ndihma emergjente COVID-19 për Krajën) për të ndihmuar të prekurit në Krajë. Synohet shuma prej 200 000 dollarë dhe deri në përmbylljen e këtij artikulli, mesazhin e kanë shpërndarë 423 veta, kanë kontribuar 307 donatorë dhe janë tubuar 63 716 dollarë, përfshirë edhe donacionin e Shoqatës“Kraja” prej 5 000 dollarë, për çka të gjithë i falënderojmë përzemërshisht.

Dr. Kraja ka lansuar një video në “Youtube” dhe ka dhënë një intervistë për Televizionin “Teuta”, ku flet për situatën emergjente, për simptomat dhe masat parandaluese që duhet të ndërmerren. Simptomat fillestare që shfaqen te personat e infektuar me COVID-19 kryesisht janë: ethet dhe temperatura e lartë, dhimbje fyti, ethe, kollitje e rëndë, vështirësi në frymëmarrje. Virusi mund të shkaktojë komplikime serioze të cilat mund të dëmtojnë funksionin e organeve të frymëmarrjes, të sistemit kardiovaskular dhe të veshkave. Fillon në forma të lehta, pastaj rëndohet dhe rrallë mund të përfundojë me pasoja fatale, veçanërisht për moshat e treta ose njerëzit me sëmundje të tjera të tilla si diabeti, sëmundjet e zemrës etj. Masat preventive që sugjerohen për të parandaluar infektimin janë: larja e duarve me ujë e sapun, përdorimi i mjeteve dezinfektuese, mbulimi i fytyrës gjatë kollitjes apo teshtimës dhe distanca, përkatësisht shmangia fizike në ambiente të mbyllura dhe të hapura me shumë njerëz (2m). Kjo e fundit është shumë e rëndësishme pasi periudha e inkubacionit të virusit është më së shumti 14 ditë, gjatë së cilës personat e infektuar nuk shfaqin simptoma, por mund ta shpërndajnë virusin te personat e tjerë, përmes gojës apo hundës, përkatësisht përmes frymëmarrjes që arrin deri në mushkëri.

Dr. Kraja rekomandon momentin e nevojshëm që secili të japë kontributin në ruajtjen e shëndetit dhe zvogëlimin e pasojave fatale, kërkon rritjen e solidaritetit dhe përkrahjen humanitare për të gjithë ata që kanë nevojë dhe vuajnë nga pasojat e këtij virusi.

Sipas Dr. Krajës, në lokalet e Ambulancës në Ostros (Krajë) është dedikuar një dhomë e veçantë për pacientët e dyshuar me Covid-19, në mënyrë që të mos përzihen me pacientët tjerë. Kjo do të shërbejë si një qendër e veçantë për menaxhimin e kësaj pandemie, një qendër me një shërbim cilësor dhe falas deri të na paraqitet mundësia. Stafi emergjent përbëhet prej Aishe Koliq (kryetare), Beqir Berjashi, Dr. Ganimete Hoxha, Dr. Blerta Gjoni – Arbneshi, Dr. Jasmina Gjençiq dhe Dr. Mehmet Gjenashi. Lokalin e ka vizituar edhe kryetari i Shtabit Emergjent të Malit të Zi – Nebojsha Kavariq, sipas të cilit në Krajë janë të infektuar rreth 100 individë, edhe pse vetëm 25 janë testuar pozitivë.

Falë organizatorit dhe stafit në Ostros janë blerë mjetet e nevojshme që i duhen klinikës, kurse testimi dhe trajtimi tashmë ka filluar falas. 100 teste i kanë marrë falas, janë porositur edhe 200 të tjera që kushtojnë 3 000 euro. Pacientët që dyshojnë për infektim po konsultohen me mjeken Ganimete Hoxha. Ata që testohen pozitivë por me simptoma të lehta, do të karantinohen për dy javë dhe do të mbikëqyren nga stafi falas falë kontributit të donatorëve. Kjo është e rëndësishme për mbajtjen e gjendjes nën kontroll. Ata me simptoma më të rënda respiratore do të dërgohen në Spitalin e Tivarit, ku vepron mjekja e respektuar krajane Dr. Blerta Gjoni – Arbneshi, e cila po bën çfarë është e mundur për t’u ndihmuar bashkëvendasve. Ata po përpiqen për të siguruar antiviralin Remdesivir, që mund të gjendet vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, edhe aty vetëm përmes ndërhyrjeve meqenëse nuk mund të gjendet nëpër farmacitë publike. Janë siguruar katër ampula nga 310 euro dhe janë porositur gjashtë të tjera nga 250 euro. Këto do të qëndrojnë në Shtëpinë e Shëndetit për raste të nevojshme.

Pavarësisht se kjo kohë e pandemisë është bërë edhe tregues i shumë çrregullimeve mendore të shoqërive moderne, sidomos të spektaklit politik kundër të cilit një masë e madhe turmash reagon në mënyrë agresive, ne mbetemi me shpresë që të gjithë të qëndrojmë në ballë të kësaj fatkeqësie që ka përfshirë botën, që secili të japë maksimumin e mundësive të veta në mënyrë që pasojat të mbeten sa më të kufizuara.

Organizatorin dhe stafin Zoti i ruajt nga çdo fatkeqësi, e neve na takon t’i njohim dhe t’i përkrahim ashtu si ata e meritojnë. Jemi të pakët që ua njohim vlerën e profesionit që posedojnë, nevojën që kemi për ta, kujdesin që tregojnë në fazat më kritike të jetëve tona. Nuk kemi kohë për të humbur. Autoritetet shëndetësore po bëjnë thirrje që t’u përmbahemi masave parandaluese, të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik me qëllim që secili prej nesh të ruaj veten dhe ata që ka më afër nga kjo sëmundje vrastare.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close