Ultimate magazine theme for WordPress.

SOCIALITETI DHE POLITIKA SI NËNTEKST (vargjet e Fatos Arapit)

Siç u tha në një trajtesë të mëparshme, Fatos Arapi i shërbeu vendit të tij jo duke i bërë lavde poetike shtetit në fuqi, apo kastës drejtuese, në disa dhjetëvjeçarë. Ai zgjodhi rrugën e pasqyrimit të realitetit duke dhënë pasojën negative të mangësive të një sistemi anakronik. Dhe e bëri këtë me metaforizmin e tij karakteristik, duke lëçitur figura artistike të tilla që pasqyronin lëngatën e shoqërisë, të shprehur nëpërmjet gjendjes së tij shpirtërore të trishtë.
Ky qëndrim e rreshtoi atë në vargun e krijuesve të realizmit kritik ndaj fenomeneve shoqërore e politike që nuk i jepnin dritë e përparim popullit. Pra, poeti jep socialitetin ekzistues, nëpërmjet pasojave, të cilat ishin të errëta për shkak të politikës. Refleksionet jepen nëpërmjet pasazheve natyrore dhe nocioneve njerëzore, të cilat shpalosin tablo të zymta.
Dua të zbres prej këtij kryqi !
Kështu thotë në një varg . Është pikërisht kryqëzimi që i ka bërë sistemi popullit. Pra, ai është kryqëzuar si Krishti. Pëllëmbët e duarve të tij i rrjedhin gjak nga gozhdët e ngulura në to. Figura përgjithëson në mënyrë madhështore. Kryqëzuesit dihet se kush ishin. Ky është nënkuptimi i figurës.
Qielli i Tiranës është gjithë llucë.
Kuptohet kush ishte qielli e kush lluca. Në këtë vend “gjysmën e shpirtit ma rrëzon dielli, gjysmën tjetër terri”. Pra, dielli janë shpresat, të cilat e sfilitin ëndrrën e poetit, e lodhin atë, sepse nuk realizohen. Gjysmën tjetër e rrëzon terri. Qartë: Sistemi i mbrapshtë… Të dy tallazet, drita dhe errësira, përplasen në shpirtin e tij. Errësira luan rolin çrrënjosës…
“Ata që sundojnë në Tiranë, janë tiranë”,- shkruan në një varg tjetër. Një homonimi domethënëse deri në sarkazëm. “Me fjalë tiranësh ndoten fjalët e mia”. Demagogjia e fjalimeve të politikanëve është ndotje në krahasim me fjalët e dritta të poetit. Vargjet e tij flisnin në heshtje, jo si gojët e politikanëve që gjëmonin e shkumonin nëpër mbledhje a plenume. A e kuptonin dot ata fjalën e artë? Më mirë që s’e kuptonin në thellësi, se pastaj …errësira do ta përndiqte poetin, edhe fizikisht. Por edhe u hakmorën: e lanë përgjithësisht në heshtje.
Më poshtë vargu ulëritës:
“Mushkëritë e drejtësisë janë qelbëzuar!
Më e sinqertë është hipokrizia”!
A nuk e hedhin aktualitetin këto fjalë edhe në këtë fillim-shekulli të ri? Kaq forcë kishin vargjet e tij kritike, që para më se gjysmë shekulli. Dhe vazhdon me thirrmorë gjëmues: “Të mjerët shqiptarë- me vdekjen në sy”! Diktatura është këmbë ë stërmadhe që “ shtyp zërat e dritshëm të vesës! Në Tiranë ka vetëm tiranë! Të vrasin të gjithë. Shpresat kanë sy tragjedie në Tiranë. Shpirti shkretan i Tiranës”! Sigurisht këto vargje revolte jepen të ndërthurura me të tjerat, në përbërje të vjershës, të tejngopur me ndriçime figurative.
“Hiqen Prometej tiranët në Tiranë,- thotë në një varg, -por ata s’ të japin asnjë kongjill zjarri, siç bënte Prometeu. Janë mbërthyer si gjysmë-perëndi në kolltukët e zyrave dhe veturave. Koha duket se mbarset gjithnjë me këta Prometej iluzivë”. Këta “Prometej” nuk janë gjë tjetër veçse anadollakë të rinj.
Po koha? Poeti trishton. Si instrument radioaktiv emeton valët e kohës. Nënvizon si personazhe nocionet abstrakte: dritën, lirinë dhe shpresën. Por edhe këto- të shtypura nga thundra e centaurëve monistë. Dhe centaurët dihet cilët ishin: në mitologjinë e lashtë – gjysmë-kuaj, gjysmë- njerëz. Po populli?
“Te shkallët e ministrisë
një atdhe i mërzisë…
“… Dielli i syrit shuhet. Kjo lloj lirie të vret. Dielli bën vdekjen nëpër shi. Vritet ëndrra kristalore e shpresës. Populli ka fytyrën e një druajtjeje sublime. Shterpë është koha! Këtu çdo gjë thahet. Idealet vdesin. Fytyrat trishtohen. Njeriu nuk di ku të vdesë!”
Realizëm therës. Piskamë qiell-çarëse!
Liria- skllave
Palimpest (mbivendosje kuptimesh): “Njerëz të mi, liri të mia! Ç’ punë e çuditshme na qenka liria! Ka vetëm një varr për tiranët: LIRIA ! Liria ime, mjafton edhe pa Fatosin. Liria lind skllave këtu”. Pra, poeti mendon më shumë për popullin e vuajtur se për veten e tij. Liria do të mbetet ëndërr e ankth edhe pas ikjes së poetit.
Mesazhet ndrijnë. Mungesa e lirisë i merr frymën këtij vendi. Ajo, e shumë-kërkuara në shekuj, liria, këtu mungon. Duhet Demokracia. Po edhe kjo- e kulluar e jo e turbullt. Trishtimi e zymton poetin, ashtu sikurse ëndrra për lirinë e vërtetë e ndrit atë. Po…kur? “Deri kur ma ? ”- do të ulërinte Migjeni…
Drita vritet
Ajo feks shumë herë në poezitë e Fatosit. Simbolizon aspiratën, idealin. Në jetën personale e të përgjithshme. Edhe ky nocion rrezaton si një personazh. Jepen reflekse, ngjyra e drithërime të saj.
“…Maji ecte para meje (drita dehëse e ëndërruar). Pyeti dita: Nga do shkojmë? Ti kërkon të jesh një pikë drite?-i thotë në përshpirtje vëllait të vdekur, Vllasit.- Jo, drita vritet!” Sërish ulëritës: “Drita vritet”! Dhe në gjithë këto cicërima personifikuese (në të vërtetë janë shkundullima) të dritës, ushton britma përlotuese migjeniane: “Pak dritë, pak dritë, o shok, o mik, o vlla”!
Piskama merr tingëllim filozofik. Etje për dritë në shekull, në shekuj. Por ajo…vritet! Kështu konkludon poeti Fatos. Dhe rreshtohet në vazhdën e poetëve të mëdhenj të realizmit.
Poetët ngjasojnë. Poetët hijeshojnë. Dhe, si fashë e refleksit shpirtëror, jepet gjendja:
“Unë dhe pritja,
Unë dhe mërzia!…
Sigurisht, përgjithëson një popull. Ëndrra është me eklips…
/përgatitur nga Idajet Jahaj

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close