Ultimate magazine theme for WordPress.

ARAPI I VJETËR

/Nga Julian Lici

Ishte janar dhe bënte ftohtë. Binte dhe një shi atë mbrëmje. Kishin filluar dhitë të pillnin dhe njëra nuk e pranonte kecin. E lidha jashtë vathës nën strehën e kasolles që shiu mos ta zinte dhe keci të pinte. Ishte radha ime të rrija në stan, por u mendova dhe thashë me vete “Do iki ne shtëpi! Qentë janë këtu, kush guxon të afrohet?!”
Arapi i vjetër, Arapi i ri, Murrua, Lupi, njëri më i madh se tjetri, vërtetë të bëshëm dhe Xeba që nuk kishte buçe më të mirë për të ndierë, për ujk e për çdo gjë. Lupi dhe Xeba më shoqëruan deri në fillim të fshatit e pastaj u kthyen në stan.
Në mëngjes u ngrita herët dhe u nisa për në stan. Kishte rënë shumë shi me erë. Në mes te rrugës më doli para Lupi me Xebën. I pashë mirë dhe nuk ishin si zakonisht. Nuk po gëzonin siç bënin gjithmonë kur më shihnin apo kur më dilnin para. Kokën ulur e nuk më panë në sy, madje as bishtin nuk e tundnin, sikur kishin bërë ndojë faj. “Diçka paska ndodhur sonte”, mendova me vete ndërkohë që fillova tu jepja këmbëve.
Mbërrita në stan dhe kishte ndodhur ajo që ishte e pritshme, madje rrugës po e mendoja disa herë. Kishte rënë ujku dhe kishte mbytur dhinë që kisha lënë nën strehë. Nga shiu, qentë kishin kërkuar strehim dhe prej erës së madhe, e kishin ndierë me vonesë ujkun, sepse dhia ishte e mbytur, por nuk kishin arritur ta hanin.
Të gjithë qentë rrinin si në faj e asnjëri nuk guxonte ta ngrinte kryet, por e mbanin varur. A kisha ç’ju thoja apo si ti dënoja? A nuk ishte vërtetë një natë e acartë e me reshje ku shiu i rrëmbyeshëm dhe era ishin në favor të armikut grabitqar? A duhej lënë stani vetëm pikërisht atë natë?
Në mbrëmje, pasi hëngrën qullin, Arapi i vjetër po vështronte sikur diçka po kërkonte. E soditi vendin mirë dhe e kuptova se po kërkonte një vend për të qëndruar. Hipi mbi kasolle, ngriti veshët e prerë lart dhe aty bëri vend. U ul me një vendosmëri të madhe, sikur aty të ishte ngrohtë e asnjë faktor i jashtëm të mos e shqetësonte, por shiu po binte litar.
Që nga ajo mbrëmje e deri në fund të jetës, Arapi qëndroi në majë të kasolles. Shi, erë dëborë, ai ishte atje sipër në pjesën më të madhe të kohës. Ajo qe besnikëria e tij, madje ishte dhe një dënim që i dha vetes padrejtësisht për atë që ndodhi. Mori përsipër edhe fajin tim, duke sakrifikuar në kushte të vështira për bagëtinë. Nuk ndodhi më asgjë që nga ajo natë, se zëri i tij i fortë e kumbues, u dridhte tokën nën këmbë grabitqarëve e u tregonte që fati nuk do të ishte gjithmonë në anën e tyre.
Pata shumë dëshirë që këtë ngjarje ta ndaj me dashamirët e kesaj race. E tregova në vetën e parë, por i ka ndodhur babait tim që sot gëzon shëndet të plotë. Do kemi ngjarje të tjera, të cilat do t’ua tregojmë më vonë, meqë edhe dimri po vjen dhe rrëfenjat, netëve të dimrit janë më të bukura. Ju përshëndes!
Fotoja ilustruse e para shumë viteve, realizuar në Janinë.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close