Nushi: Hotelet mund të përdoren si spitale të përkohshme

Nënkryetari i Prishtinës, Muhedin Nushi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se numri i të infektuarve me Coronavirus në Kosovës do të vazhdojë të rritet ditëve në vazhdim. Tutje, ai shtoi se 40 për qind e të infektuarve në nivel vendi është numwr i madh krahasuar me vendet e tjera.

Sipas tij, e vetmja mundësi e mbrojtjes nga ky virus është mbajtja e distancën dhe vendosja e maskës.

“Rritja e numrit të infektuarve ka qenë e pritur dhe ky nuk është fundi. Ne besojmë që do të jetë numri ende më i madh duke u bazuar edhe në rritjen e numrit të testimeve i cili po kryhet në nivel të Kosovës. Afër 30 për qind i kemi raste të infektuara në territorit të Prishtinës, por që 40 përqindëshi është në nivel vendi. Është përqindja e madhe krahasuar me shtete tjera. Ne kemi kërkuar që të bëhen më shumë testime edhe në komuna të tjera. E vetmja mundësi e mbrojtjes nga ky virus është mbajtja e distancën dhe vendosja e maskës. Nuk kemi strategji të caktuar se çka do të ndodh me personat e infektuar nëse kemi 0 deri 500 veta të infektuar, 1 000 deri në 2 000 apo edhe 3 000”.

Nushi shtoi se shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal duhet të bëjnë përzgjedhjen e hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të shtroheshin personat e infektuar.

“Në shtete të tjera po selektohen edhe hotelet për të shërbyer si spitale të përkohshme. Pse kjo të mos aplikohet edhe në Kosovë. Mendoj se shtabi i përgjithshëm në nivel qeveritar me atë komunal që të bëjë përzgjedhjen e këtyre hoteleve ose vendeve të tjera ku do të mund të strehohem ose të vendosen personat e infektuar. Çështja më kryesore është që kapacitetet shëndetësore vetëm në QKUK duke përfshirë edhe klinika të tjera si ajo e Pulmologjisë mund të jenë të stërmbushura dhe duhet të gjendet rrugëdalje nga kjo situatë e cila nuk do të jetë e lehtë dhe e shkurtër”, shtoi ai.

Nënkryetari Nushi tha se kanë nevojë për furnizim me barna dhe vaksina kundër gripit sezonal.

“Ne kemi nevojë për furnizime vazhdimisht. Tashmë me barna jemi të furnizuar mirë por që duhet të furnizohet Qendrat e Mjekësisë Familjare. Por nuk jemi të furnizuar me vaksina kundër gripit sezonal. Ende nuk kemi furnizim nga niveli qendror”.

Nushi potencoi se është mbyllur Drejtoria e Urbanizimit dhe janë anuluar takimet me qytetarë, raporton EO.

Ai tha se edhe në Drejtorin e Arsimit ka të infektuar me Coronavirus, mirëpo shërbimet vazhdojnë vetëm në raste emergjente.