Ultimate magazine theme for WordPress.

Kosovë: I vështirë konsensusi për emrin e presidentit të ri

Çështja e presidentit është vendimtare nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet e reja në Kosovë, sipas analistëve. Por me këtë përbërje të kuvendit, duket se konsensusi për presidentin është i vështirë.

Partnerët e koalicionit qeverisës në Kosovë thonë se në këtë fazë duhet të gjendet një zgjidhje për postin e presidentit. Por partitë opozitare kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga posti i presidentit, pas akuzave për krime lufte nga Dhomat e Specializuara, ushtruese e detyrës në këtë pozitë sipas kushtetutës u zyrtarizua Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit.

Por në këtë pozitë Vjosa Osmani nuk mund të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj, siç parashihet në nenin 90 të kushtetutës së Kosovës. “Në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij/saj, ajo/ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij/saj, Kryetarit të Kuvendit, i cili do të jetë ushtrues i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës.” Aty specifikohet se kjo “nuk mund të zgjasë më shumë se gjashtë muaj”. Ndryshe vendi duhet të shkojë në zgjedhje për një përbërje të re të kuvendit.

Kryeministri Hoti optimist për zgjidhje

Pra partitë politike në Kosovë duhet të merren vesh për emrin e presidentit të ri, nëse nuk duan që vendi të shkojë në zgjedhje. Njohësit e çështjeve politike theksojnë se çështja e presidentit është vendimtare nëse do të mbahen ose jo zgjedhjet e reja në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, thotë se “bisedat për postin e presidentit do të fillojnë së shpejti, ngase edhe rruga kushtetuese sipas tij për këtë çështje është e qartë”. “Besoj që kjo çështje do të marrë udhë, për disa ditë fillojmë bisedat me gjithë spektrin politik, për ta parë se si mund ta kalojmë këtë situatë. Rruga kushtetuese është e qartë, besojmë në një zgjidhje që është më e mira për vendin”, thotë kryeministri Hoti.

Albin Kurti kërkon zgjedhje të reja

Reagime ka nga lideri i lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti që udhëheq partinë më të madhe parlamentare. Sipas Kurtit për momentin Kosova e ka presidenten e saj, ndërsa, sipas tij vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe pastaj parlamenti ta zgjedhë një president legjitim. “Nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet. Presidenti a presidentja e re duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit. Nuk mund të bëhet në kushte kur kemi qeveri të paligjshme. Nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ka ushtruese detyre te presidentit, nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku gjashtë muaj teorikisht në bazë të kushtetutës sonë. Pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri dhe Qeveria e vjetër nuk ka as legjitimitetin as autoritetin e as kredibilitetin për iniciativa të reja”, thotë Albin Kurti.

Nuk ka zgjidhje pa votën e opozitës

Bazuar në numrat në Kuvendin e Kosovës, partitë në pushtet që kanë jo më shumë se 61 vota, e kanë të pamundur të sigurojnë kuorumin prej 80 deputetësh, sa duhet të jenë në sallë për të zgjedhur presidentin. Në këtë situatë, njohësi i rrethanave politike, Arton Demhasaj nga Instituti i Prishtinës për Studime të Politikave (PIPS) i tha DW se “një zgjidhje brenda koalicionit aktual është e pamundur pa votën e opozitës”.

“Duke marrë parasysh që Vetëvendosje është kundër zgjedhjes së presidentit në çfarëdo varianti dhe kërkon vetëm zgjedhje, atëherë mundësia e gjetjes së një zgjidhje konsensuale brenda koalicionit aktual është e pamundur. Andaj me patjetër duhet të kërkohet edhe vota e PDK-së parti në opozitë, e kjo për arsye se duhet me qenë 80 deputet në sallën e kuvendit ditën kur votohet presidenti. Andaj unë e shoh të mundshme arritjen e një kompromisi në mes të LDK, PDK, AAK dhe NISMA me AKR, dhe minoritetet, dhe kjo për arsye se asnjë nga partitë politike e sidomos LDK dhe PDK nuk do të rrezikojnë të shkojnë në zgjedhje të parakohshme”, thotë Demhasaj.

Inatet e mëdha pengojnë konsesusin

Një analist tjetër politik, Blerim Burjani i tha DW-së, se ka pak shpresë që në këtë fazë dhe më këtë përbërje të kuvendit të gjendet një konsensus për emrin e presidentit të Kosovës. “Pra gjasat janë të vogla, duke pasur parasysh inatet e mëdha të akumuluara në këtë periudhë kohore. Qeveria e VV u shkarkua, PDK mbeti pa udhëheqës të partisë, në PDK nuk ka guxim individual për konsultime dhe nuk mund të ketë pa kreun e saj partiak që tashmë është i akuzuar nga Dhomat e Specializuara. Në anën tjetër LDK nuk është gatshme t’ia falë postin e presidentit Ramush Haradinajt, sepse këtë e do për vete”, thotë Blerim Burjani.

Sipas analistit Burjani, në këtë situatë, më shumë ka gjasa për zgjedhje të reja, sesa për një konsensus për të parin e vendit. “Në këtë situatë gjasat janë më përpara për zgjedhje të reja sesa zgjedhje të presidentit me konsensus. Inatet partiake dhe egoizmi individual në këto parti kanë bërë që kurrë Kosova mos të ketë madje as një qeveri teknike. Ishte rastësi njëherë zgjedhja e një presidenteje jashtë partiake”, thotë Blerim Burjani.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që është pjesë e koalicionit qeverisës tashmë publikisht ka kërkuar që në postin e presidentit të zgjidhet Ramush Haradinaj./dw

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close