Basha: Trillime dhe gënjeshtra kundër meje

ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha i përgjigjet Ramës në lidhje me kërkesën për të sqaruar pozicionin ndaj akuzave që vijnë për filmimet e masakrës së Krushës së Madhe dhe rolin e Bashës në hetimin e UÇK-së, duke u shprehur se vendi ndodhet në kolaps shëndetësor dhe ekonomik.

Ai shton se Rama merret me trillime e gënjeshtra, kur për 7 vite me radhë shkatërroi ekonominë.

“Ndërsa Rama merret vetëm me trillime dhe gënjeshtra kundër meje, ekonomia jonë është në kolaps. Studimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar tregon se Shqipëria është ekonomia më pak e kredituar në Ballkan. Për 7 vite me radhë Rama e shkatërroi ekonominë. Kjo është arsyeja pse Rama nuk jep ndihmë financiare për familjet që vuajnë nga kriza. Shqipëria është vendi që u jep më pak ndihmë ekonomike qytetarëve të saj”, shprehet Basha.

Po ashtu, Basha shprehet se “ne do ta ndryshojmë këtë”.

“Ne do ndihmojmë të gjithë qytetarët, biznesin, të vetëpunësuarit, dhe do të sigurojmë ndihmë financiare për çdo familje. Bashkë do sjellim shpresë të re për Shqipërinë”, tha Basha. /