Ultimate magazine theme for WordPress.

Tërheqja e trupave amerikane nga Iraku dhe Afganistani shqetëson aleatët dhe republikanët

Zyrtarët republikanë dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara janë shqetësuar nga njoftimi se një numër i madh i trupave amerikane do të largohen nga Afganistani dhe Iraku.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte paralajmëruar më parë se do të shkurtonte prezencën ushtarake amerikane në të dyja vendet.

Ky reduktim do të bëhet përpara se presidenti Trump të largohet nga zyra.

Udhëheqësi i shumicës në Senatin amerikan, Mitch McConnell, një mbrojtës i devotshëm i politikave të presidentit Trump, e quajti planin “të gabuar”.

Ai gjithashtu e paralajmëroi presidentin kundër marrjes së çfarëdo vendimi “në lidhje me mbrojtjen dhe politikën e jashtme përpara se të largohej nga Shtëpia e Bardhë”.

Trump ende nuk e ka pranuar fitoren e demokratit, Joe Biden, në zgjedhjet presidenciale dhe shkurtimet janë planifikuar të ndodhin pesë ditë para se Biden të marrë detyrën më 20 janar 2021.

Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi për një “çmim shumë të lartë” nëse trupat tërhiqen shumë shpejt.

“Tani, përballemi me një vendim të vështirë. Ne kemi qenë në Afganistan për gati 20 vjet dhe asnjë aleat i NATO-s nuk dëshiron të qëndrojë më gjatë sesa është e nevojshme. Por, në të njëjtën kohë nëse largohemi shumë shpejt ose në një mënyrë të pakoordinuar, çmimi mund të jetë shumë i lartë”, tha Stoltenberg në një deklaratë më 17 nëntor.

Ai tha se Afganistani “rrezikon të bëhet edhe një herë një platformë për terroristët ndërkombëtarë për të planifikuar dhe organizuar sulme në vendlindjet tona”.

“Dhe IS (Shteti Islamik) mund të rindërtojë në Afganistan kalifatin terrorist që humbi në Siri dhe Irak”, tha ai.

Por, një politikan demokrat mbështeti vendimin e presidentit Trump. Adam Smith – kryetar i Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve – tha se ky ishte “vendimi i duhur i politik”.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka thënë se ai është “me të drejtë i lodhur nga lufta jonë më e gjatë” në Afganistan, por gjithashtu ka thënë se kjo luftë ka nevojë për “përfundim me përgjegjësi, në një mënyrë që siguron që ruhemi nga kërcënimet ndaj atdheut tonë”.

Ekipi i tranzicionit të Bidenit ende nuk e ka komentuar njoftimin për reduktimin e trupave në Irak dhe Afganistan.

Në Irak, numri i trupave amerikane do të shkurtohet për 500 në 2,500, ndërsa numri i personelit të shërbimit në Afganistan do të bjerë nga 4,500 në rreth 2,500.

Pentagoni thotë se janë bërë konsultime
Sekretari në detyrë i Mbrojtjes në SHBA, Chris Miller – i cili u emërua javën e kaluar pasi Trump shkarkoi papritur Mark Esper – tha se vendimi pasqyron politikën e presidentit “për të sjellë luftërat në Afganistan dhe Irak në një përfundim të suksesshëm dhe të përgjegjshëm dhe për të sjellë ushtarët tanë trima në shtëpi”.

“Ne do t’i mbrojmë fëmijët tanë nga barra e rëndë dhe lufta e përhershme dhe do të nderojmë sakrificat e bëra në shërbimet e paqes dhe stabilitetit në Afganistan, Irak dhe në të gjithë botën”, tha ai.

Ai nuk konfirmoi nëse plani i tërheqjes ishte mbështetur nga gjenerali Mark Milley, shef i përgjithshëm i Ushtrisë amerikane, por tha se vendimi pasoi “angazhimin e vazhdueshëm me kabinetin e sigurimit kombëtar të presidentit”.

Miller tha se SHBA kishin përmbushur qëllimin e tyre për të mposhtur ekstremistët dhe për të ndihmuar “partnerët dhe aleatët lokalë të marrin udhëheqjen e luftës”.

Zyrtarët amerikanë thanë se planet e tërheqjes ende nuk ishin përpiluar në detaje dhe nuk ishte ende e qartë se cilat trupa do të tërhiqeshin, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Menjëherë pas njoftimit, disa raketa qëlluan Zonën e Gjelbër në Bagdad ku ndodhen ambasadat dhe misionet e huaja përfshirë edhe atë amerikane.

Forcat amerikane në Irak dhe Afganistan
Forcat amerikane kanë qenë në Afganistan që nga viti 2001. Një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja rrëzoi talibanët nga pushteti disa javë pas sulmeve teroriste të 11 shtatorit, 2001 në SHBA nga Al-Kaida, e cila atëherë ishte e vendosur në Afganistan.
Talibanët u rigrupuan dhe u bënë një forcë kryengritëse që deri në vitin 2018 ishte aktive në më shumë se dy të tretat e vendit.
SHBA-ja filloi tërheqjen e trupave nga Afganistani si pjesë e një marrëveshjeje të nënshkruar nga amerikanët dhe militantët talibanë në shkurt të këtij viti. Por, dhuna në vend është rritur kohët e fundit ndërsa grupi ka shtuar ofensivat e tij. Negociatat brenda afgane nuk kanë shënuar ndonjë përparim.
Mijëra forca amerikane janë në Irak si pjesë e një koalicioni ndërkombëtar për të luftuar kundër grupit Shteti Islamik (IS)
Bisedimet për paqen në Afganistan ende pa rezultate
Në muajin shkurt të këtij viti SHBA-ja arriti marrëveshje me talibanët për tërheqjen graduale të trupave të huaja nga Afganistani, mirëpo vetëm pasi talibanët paraqitën garanci se nuk do të kryejnë sulme terroriste dhe nuk do të lejojnë që grupe sikurse Shteti Islamik apo tjera të përdorin Afganistanin si terroritor për të kryer sulme.

Marrëveshja parashihte negociata ndërmjet Qeverisë afgane dhe talibanëve, të cilat kanë filluar në muajin shtator në Doha të Katarit, mirëpo nuk kanë arritur ndonjë përparim deri më tani.

Shumë njerëz në Afganistan kanë frikë nga arritja e një marrëveshjeje e cila do të kthente talibanët në qeverisje. Talibanët, në kohën kur kanë udhëhequr me Afganistanin, janë akuzuar për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut./rel

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close