1972, Bekim Fehmiu në shtëpinë e familjes së Bajram Currit .

Me 24 korrik kalova ditën në Shkodër dhe veç qejfeve tjera i bëra një vizitë (tjetër) Muzeut Nacional të Fotografisë Marubi, ku përpos ekspozitës së përhershme, nga 20 qershori po qëndron e hapur edhe ekspozita e fotografit shkodran Angjelin Nenshati (1929-2008), “Nenshati – dëshmitar mes dy kohëve”, e cila përmban në vete kryesisht fotografi dokumentuese të jetës kulturore nën ombrellën socrealiste si dhe disa sosh nga fillimet e demokracisë shqiptare (1990/1991) ku mund të veçohen 3-4 kompozicione fotografike me përmbajtje religjioze të cilat mund të konsiderohen si të vetmet fotografi estetikisht të qëndrueshme dhe me vlera të theksuara artistike.

Nga pjesa tjetër e fotografive të “zakonshme” bie në sy njëra që mund të konsiderohet me interes edhe për publikun kosovar. Fotografia me numrin rendor 7, në fletushkën e legjendave të ekspozitës ka këtë përshkrim: “7. Vizitë e Bekim Fehmiut në familjen e Bajram Currit, 1972”.

Në vitin 1972, nga data 20 prill deri me 4 maj, aktori ynë i madh Bekim Fehmiu po qëndronte për vizitë në Shqipëri, me ftesën e bërë nga Kino Studio “Shqipëria e Re”. Për dy javë resht aktori kosovar me famë botërore u mirëprit nga shumë institucione kulturore dhe individë të jetës kulturore në Shqipëri duke ndarë me të gjithë përshtypjet e tij për artin dhe kulturën shqiptare. Gjatë kësaj vizite historike Bekim Fehmiu veç Tiranës vizitoi edhe Gjirokastrën, Butrintin, Krujën dhe Shkodrën e fëmijërisë së tij, ku sipas rrëfimeve të vet aktorit, kishte përjetuar edhe dashurinë e parë jetësore. Në Shkodër ai duhej të përmbushte edhe një amanet nga nana e tij: ta vizitonte Dervishe Hanmin, gruan e patriotit Bajram Curri.

Fotografia e shkrepur nga Angjelin Nenshati ku shifet Bekim Fehmiu duke i shtrenguar dorën bashkëshortes së heroit Bajram Curri është realizuar me 29 ose 30 prill të vitit 1972 dhe nuk është publikuar ndonjëherë në mediat e Kosovës. Në fotografi, në krahun e majtë të aktorit kosovar shihet vajza e Bajram Currit, Hajria, si dhe anëtarë tjerë të familjes së ngushtë./

/Postuar nga Irakli Dedi në FORUMI.SHQIPTAR.ITA

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close