FATOS ARAPI- NJË NGA KRENARITË E POEZISË SHQIPE

-në mbyllje të librit studimor për veprën e tij-

Fatos Arapi ka shkëlqyer në poezinë shqipe në gjysmën e dytë të shekullit XX e në fillim të shek. XXI. Poezia e tij kap një larmi temash: vendlindjen, universin familjar, socialitetin e politikën, dashurinë, atdheun,etj. Karakteristikë e tij është operimi me nocionet abstrakte në poezi. Këto nocione janë: malli, dashuria, pikëllimi, mërzia, etj. Po ashtu edhe me shumë objekte natyrore. Disa prej nocioneve abstrakte si: liria, vetmia, drita, trishtimi, etj . i përdor shpesh, sikur të ishin personazhe. Personifikimi i tyre, metaforizimi i dendur, janë natyrë e metodës së tij poetike. Ato shprehin aspiratat e poetit, të popullit, të njeriut në përgjithësi.
Me të tilla veçori poezia e Fatosit ka karakter modern. Është larg folklorizmit e historizmit tradicional. Ai është i rrymës së realizmit kritik ndaj fenomeneve negative në jetën e shoqërisë. Në pikturimin e tablove poetike ai përdor elementë nga fusha e mitologjisë, religjionit, filozofisë, etj. Dyzimi i personit të tij (biseda me vetveten) është tipar i qenësishëm i komunikimit si poet. Nëpërmjet botës subjektive ai pasqyron tablotë e realitetit objektiv. Këtë e shpreh në vargun : “Eci jashtë kohës e brenda vetes”. Kështu ai e rrit shumë mundësinë psikologjike të shprehjes në poezitë e tij. Bëhet më i thellë, mendor e meditativ.
Ka dhënë mozaik figurash të rralla, për simbolikën dhe universalitetin e pasqyrimit. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XX, ai është vlerësuar ndër dy-tre poetët më të mirë të Shqipërisë. Po ashtu është vlerësuar lart edhe në mozaikun e poezisë evropiane. Sot ai vlerësohet si përfaqësuesi më i madh i kahut modernist të poezisë shqipe, krahas De Radës e Migjenit.
Poezia e tij ka komunikim intim me lexuesin. Ajo ngjan si një pëshpërimë e pafund dialoguese me objektet abstrakte e konkrete, me të cilat transmeton mesazhe të rëndësishme. Poezia e tij në tërësi është e qetë, si zëri i tij në jetë, por me thellësi mendimi e nënteksti. Eposet poetikë: ai i vendlindjes dhe trungu familjar theksojnë nota elegjiake prekëse. Këndon e qan njëherësh për atë dritë lbyrëse malli e brenge. Lëçit pa fund për këto dy substanca jetësore.
Poezitë e vendlindjes i ka të spërkatura me “valët Adriatike”. Ato paralelizojnë detin në zemrën e tij. Figurat cijatin, këndojnë, meditojnë. Jo më pak mban iso në këngët për Atdheun, apo dallgëzon për motivet sociale. Pahet mitike e filozofike marrin drita të ëmbla në sfondet poetike.
Fatos Arapi dhe Ali Asllani, dy vlonjatë, janë nga poetët më të mëdhenj të panteonit të poezisë shqipe. Ata shkëlqejnë krahas De Radës, Naim Frashërit, Migjenit, Poradecit, Kadaresë, Agollit e ndonjë tjetri. Natyrisht, me kahjet tematike të ndryshme, në kohë të ndryshme e në mozaik figurativ të ndryshëm.
Një ndryshim: Në se poezia e Ali Asllanit është një lumë ndjenje që rrjedh përroin e mendimit, poezia e Fatos Arapit është një lumë mendimi që pjell e buron përroin e ndjenjës.
Ndër poetët e njohur të botës moderniste në poezi Fatos Arapi rreshtohet me Janis Ricosin (grek), Nazim Hikmetin (turk), Pablo Nerudën (kilian), Uitmanin (amerikan), Georg Traklin (austriak), etj.

/Idajet Jahaj

 

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close