Qeveria Hoti nën ‘llupën’ e Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese po mban seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje për shpalljen të pavlefshme të votimit për zgjedhjen e qeverisë Hoti më 3 qershor, pasi për këtë qeveri kishte votuar edhe ish-deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim përfundimtar nga Gjykata e Apelit, më 20 gusht 2019, ku ishte dënuar me 1 vjet e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

“Ne si Grup Parlamentar, mendojmë që, z. Arifi, që nga fshehja e informatave e deri te votimi i qeverisë, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Vota e Etem Arifit duhet të shpallet e pavlefshme dhe vendimi i kuvendit kundërkushtetues”, ka thënë përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë seancë, Blerim Sallahu.

Ai shtoi se vota e ish-deputetit Arifi, nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, ka qenë vendimtare, ndërkaq në bazë të dokumentacionit të ofruar, “konstatohet se ish-deputeti Arifi ka gënjyer dhe e ka mbajtur të fshehur faktin se ka aktgjykim të formës së prerë”.

Ndërkaq përfaqësuesi ligjor i Qeverisë së Kosovës, avokati Besnik Berisha e cilësoi të pabazë kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje, pasi në këndvështrimin e tij, deputeti Arifi nuk kishte dënim që ia mohonte të drejtën e zgjedhjes dhe se vendimi i gjykatës ishte subjekt i legjislaturës së kaluar.

“Ish-deputeti Arifi e ka humbur mandatin e deputetit në legjislaturën e gjashtë. Pasojat e këtij vendimi janë ekzekutuar dhe kanë pasur fuqi në mandatin e gjashtë. Është e parëndësishme kur është njoftuar kuvendi”, tha avokati Berisha.

Përfaqësuesi i Kuvendit të Kosovës në këtë seancë dëgjimore, Artan Murati, tha se kuvendi është njoftuar për vendimin e gjykatës për ish-deputetin Etem Arifi në prill të këtij viti dhe se më tej janë ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme. Sipas tij, mungesa e informimit në kohë po shkakton telashe të tilla.

Shkëmb Manaj, kryetar i Komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës kishte qëndrim të njëjtë me përfaqësuesin e qeverisë, duke thënë se vlerësimi i tij, i dhënë edhe në mbledhjet e Komisionit, është se “një deputet humb mandatin vetëm nëse dënohet me burgim gjatë atij mandati”, gjë që sipas tij nuk është rasti tek Arifi.

Ndërkaq, Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tha se ka qenë e pamundur për këtë institucion që të verifikojë secilën deklaratë të deputetëve të cilët aplikuan për zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit, për shkak të afateve të shkurtuara kohore. Sidoqoftë, Daka tha se KQZ-ja nuk kishte pranuar një njoftim nga Gjykata e Apelit që ia ndalonte ish-deputetit Arifi, certifikimin për pjesëmarrje në zgjedhje. Ajo tha se ish-deputeti Arifi nuk ka pasur të drejtë kandidimi.

Por, përfaqësuesi i Këshillit Gjyqësor, Astrit Hoti tha se KQZ-ja nuk i kishte kërkuar këtë informacion.

Kjo seancë dëgjimore u mbajt online, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Nga 29 shtator, deputeti i Partisë së Ashkalinjëve për Integrim, Etem Arifi, është duke vuajtur dënimin pasi ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Sipas vendimit të gjykatës, Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore lëshoi urdhërarrest, por Arifi arriti që t’i shmangej arrestimit. Ai iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim për ligjshmërinë e dënimit ndaj tij, por më 23 shtator, Kushtetuesja njoftoi se nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Arifit, pasi e konsideroi si të papranueshme.

Ndryshe, sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pjesëmarrjen në votim të deputetit Arifi si dhe ligjshmërinë e qeverisë së drejtuar nga Avdullah Hoti e kontestoi Lëvizja Vetëvendosje e cila e ka dërguar këtë rast në Kushtetuese./REL

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close