Kristo Frashëri, tetë dekada krijimtari e veprimtari shkencore

ATSH/ Akademia e Shkencave kujton me nderim dhe përulje, në ditën e 100-vjetorit të tij të lindjes, personalitetin unik, njeriun me karakter dhe konsekuent, parimor dhe besnik i së vërtetës, akademikun Kristo Frashëri.
Kristo Frashëri e botoi shkrimin e tij të parë, kur ishte fare i ri, në muajt e parë të vitit 1933. Të fundmin e botoi në vitin 2015. Pa llogaritur pjesën e pabotuar të studimeve të tij, që është e konsiderueshme dhe do të vijojë të botohet edhe për shumë vite në vijim, ai shkroi e botoi për mbi tetë dekada me radhë, në katër periudha historike: gjatë mbretërisë, në periudhën e luftës antifashiste, gjatë totalitarizmit ideologjik e shtetëror dhe në më shumë se njëzet e pesë vjet të shoqërisë së lirë.
Nuk ekziston në historinë e letrave dhe në historinë e mendimit shqiptar një rast i ngjashëm sa i takon kohës produktive të një studiuesi. Përveç Jeronim de Radës dhe ndoshta edhe Dhimitër S. Shuteriqit, pakkush tjetër iu afrua.
Gjatë më shumë se tetë dekadave Kristo Frashëri lundroi nëpër shkrime pa iu druajtur kufijve që i dalin vazhdimisht përpara dijetarit: kufijve të fushave, kufijve të llojeve e nënllojeve, kufijve të periudhave historike e kufijve të ndalimeve dhe refuzimeve ideologjike. Ai e realizoi vetveten ashtu siç deshi.
I shqiptoi kumtet e para publike në letërsi, si poet sentimental e romantik (çështje që mbetet për t’u studiuar); për t’u shfaqur së shpejti si publicist me bindje antifashiste dhe revolucionare, në shtypin e komunistëve, për çka, megjithëse i përjashtuar nga partia e vet për shkaqe ideologjike, nuk shprehu kurrë pendim. Më vonë, në një mënyrë krejt të beftë, ritakohet me lexuesin si autor tekstesh shkollore për kreditin bankar, për të zënë vend më pas përfundimisht në fushën e historisë kombëtare.
Kristo Frashëri ka një bibliografi të pasur e cila përmban vjersha, skica e tregime, reportazhe, shkrime përkujtimorë, polemika shkencore, çështje të debatueshme, tekste shkollore për politeknikumin, albume, libra popullarizues me ilustrime, synopse, prospekte, artikuj shkencorë në shqip e gjuhë të huaj, projekte tekstesh akademike-universitare, libra për njohjen e Shqipërisë nga të huajt, studime për çështje të identitetit shqiptar, për periudhizimin e historisë kombëtare dhe tipologjinë e qytetërimit iliro-shqiptar, monografi kushtuar personaliteteve dhe ngjarjeve me karakter parësor në mbijetesën ndërshekullore të shqiptarëve, përmbledhje artikujsh e studimesh në prerje tematologjike e kronologjike, letërsi memoaristike, bioshkrime dhe autobioshkrime, bibliografi e autobibliografi, recensione e autorecensione, kritikë dokumentare dhe kritikë shkencore.
Veprimtaria e Kristo Frashërit shtrihet në të gjitha periudhat e historiografisë shqiptare. Ai është i pari hartues i një historie të qytetërimit shqiptar dhe mund të quhet gjithashtu i pari studiues shqiptar që tentoi ta shpërngulte vëmendjen e historianit nga lufta tek kultura, nga konflikti tek mbijetesa përmes punës dhe zhvillimit, nga meritat e shpatës tek meritat e mendjes.
Kristo Frashëri shkroi studime të rëndësishme me peshë në historinë e besimit (sidomos të paleokrishterimit dhe të bashkëjetesës ndërfetare), në antropologjinë kulturore dhe në etnogjenezën e shqiptarëve, në mitologji e rite, në historinë e shkrimit dhe të alfabetit, në traditën e dorëshkrimeve dhe në filologji teksti, në folkloristikë e në traditën etnojuridike.
Gjatë 25 viteve të fundme të jetës së tij Kristo Frashëri ishte një zë parësor në çështjet më të rëndësishme të diskutimeve shqiptare, duke përfshirë atë të debatit për tipologjinë e identitetit shqiptar, të etnicitetit të popullsive dygjuhëshe në Jug të Shqipërisë dhe të shumë të fshehtave të tjera dinake të historisë shqiptare. Në këtë kategori të kontributeve të tij u bashkuan në një përgjegjësia e historianit dhe ajo e dëshmitarit, duke u dhënë besueshmëri shumë të lartë përfundimeve të paraqitura.
Kristo Frashëri (1920-2016) lindi në Stamboll. U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë më 1927. Më 1940, pasi kreu shkollën e mesme, u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe më 1943 kaloi në rreshtat partizane. Në vitin 1945–1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (sektori i kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955).
Prej vitit 1953 punonjës shkencor në Institutin e Shkencave, më 1955 në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më 1957 në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të UT. Më 1966 u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit; më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990). Më 1997 u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, më 1999 përsëri në pension. Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore, që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe Koha e Sotme.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close