LDK, PDK dhe AAK mirëpresin votimin e Rimëkëmbjes Ekonomike

Pas miratimi në Kuvend të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike partitë politike kanë shprehur qëndrime të kundërta për këtë projektligj. Derisa, LDK, PDK dhe AAK e kanë mirëpritur miratimin e këtij ligji, është Lëvizja Vetëvendosje ajo që këtë projektligj e ka kritikuar duke thënë se ka defekte të mëdha dhe se favorizon oligarkët.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Bedri Hamza, tha se inkorporimi i propozimeve të PDK-së e kanë bërë substancën e këtij ligji.

Ai tha se Ligji nuk është për votuesit e një subjekti politik ose një tjetri, por është ligj për të gjithë qytetarët e Republikës dhe për bizneset që operojnë në Republikën e Kosovës.

Ky ligj, sipas tij, i përkrah të punësuarit në sektorin privat, përfitojnë mbi 50 mijë biznese si rezultat i granteve, përfitojnë dhjetëra mijëra të punësuar në sektorin privat që kanë humbur vendet e punës nga pandemia, përfitojnë qytetarët e Kosovës me mjetet e tërhequra nga Trusti dhe qytetarët me bazë ekonomike më të ulët do të rimbursohen nga shteti, lënda e parë e prodhuar nuk do të ngarkohet me TVSH.

I pyetur se a po ia zgjasin jetën qeverisë Hoti me votimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike dhe se a do të përfshihen në Qeveri, Hamza tha se ky veprim i tyre nuk ndërlidhet me asnjë zhvillim tjetër politik që mund të ndodh.

“Unë po e them se është qeveri e dobët, për se është qeveri e dobët po tregon edhe fuqia politike në Kuvend. Me i pas numrat nuk kish pas nevojë me u vonua kaq shumë, po shihet që nuk i kanë numrat me i kalua as ligjet të cilat kërkojnë shumicën e thjeshtë, e lërmë marrëveshjet financiare ndërkombëtare dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Ne kemi qenë konstruktiv prej fillimit, e kemi votuar edhe vendimin për zgjatjen e shfrytëzimit të ndarjeve buxhetore edhe në qeverinë Kurti që nuk ka qenë praktikë më herët edhe pse kemi qenë ngushtë për vota…Votimi i këtij projektligji nuk ndërlidhet me asnjë zhvillim tjetër politik që mund të ndodh në periudhën e ardhshme dhe nuk ndërlidhet me asnjë iniciativë ligjore e cila është në procedurë”, tha ai.

Ai nuk ka treguar nëse do të votojnë buxhetin për vitin 2021, po theksoi se qeveria duhet të punojë shumë që të aprovohet buxheti pa vonesa.

Shefi i grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi, tha se ky ligj nuk është i LDK-së apo i PDK-së, por është ligj i qytetarëve të Kosovës.

“Ky ligj nuk është ligj i LDK-së, nuk është ligj i PDK-së, nuk është ligj i Qeverisë, është ligj i qytetarëve të Kosovës. Pra, ne sot kemi kaluar një ligj për qytetarët e Kosovës, i cili ka për qëllim lehtësimin e kushteve jetësore për të gjithë qytetarët, avancimin dhe tejkalimin e krizës nga bizneset. Mendoj se është një arritje për Kuvendin e Republikës së Kosovës për dy arsye, e para sepse Ligji kalojë dhe e dyta sepse ky ligj nuk arriti që të shantazhohet as nga Lista Serbe e as nga askush tjetër. Pra, mendoj që sot është një arritje për qytetarët e Kosovës dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Deputeti i AAK-së Gazmend Abrashi, ka përgëzuar deputetët e pozitës dhe të opozitës, për siç tha ai, rolin destruktiv që e kanë treguar sot në Kuvendin e Kosovës dhe që e kanë kuptuar që sektori privat është bartësi i ekonomisë së Kosovës

“Sot më në fund Parlamenti i Kosovës reflektojë me atë që më në fund e votojë projektligjin për rimëkëmbje të Kosovës. Prej kësaj dite qytetarët e Kosovës e sidomos komuniteti i biznesit duhet me e ndje vetën më konform për shkak se shteti i Kosovës do t’i tregon përkujdesje maksimale të tyre. Ky parlament sot e ka rikonfirmuar detyrën parësore që e ka komuniteti i biznesit e sidomos kompanitë private të cilat janë ato që e mbushin arkën e Kosovës. Ka qenë totalisht e padrejtë gjatë gjithë kohës së pandemisë që punëtorët e sektorit publik kanë qenë të orientuar që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre gjersa komuniteti i biznesit ka qenë i instruktuar për shkak të pasojave nga COVID-19 që kryesisht i mbyll bizneset e tyre dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre”, tha ai.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se ky projektligj është me defekte të mëdha dhe se favorizon oligarkët.

Deputeti i LVV-së Hekuran Murati, tha se qëllim i kësaj qeverie është që paratë që janë në buxhet të mos i shfrytëzojë për t’i ndihmuar qytetarët, por ato para që janë në buxhet t’i ndihmojë oligarkët dhe bizneset e afërta me ta.

“E kemi pa në të kaluarën 60 milionëshi që është shpërnda kryesisht shumicën e mjeteve kanë përfituar kompanitë, korporatat e mëdha të cilat jo domosdoshmërisht kanë qenë të mbyllura gjatë pandemisë, po përkundrazi kanë pasur fitime rekorde siç janë supermarketet. Tash me këto amendamentet e fundit e pamë që janë të dizajnuara, pra ky projektligj i dedikohet një oligarku, një kompanie e cila operon në Kosovë e që për më tepër kanë kërkuar këto amendamente të lirohet nga apo renta minerare që është në shumë milionëshe dhe po ashtu të lirohet edhe nga pagesa e energjisë së ripërtëritshme. Këto dy kosto do t’i bartë taksapaguesi i varfër i Republikës së Kosovës. Kjo assesi nuk mund të quhet rimëkëmbje ekonomike, ky ligj ka tepër shumë defekte, ka pabarazi dhe me fjalë të tjera mund të quhet si një ligj që merr para prej taksapaguesve të varfër dhe i orienton ato drejtë të pasurve dhe oligarkëve, kurse qytetarëve tjerë u thuhet merrni paratë nga Trusti”, tha ai.

Ndërsa, deputetja tjetër e LVV-së Mimoza Kusari-Lila, tha se është për keqardhje që Kuvendi i Kosovës sot ka kaluar një projektligj me shumë defekte, derisa tha se ky projektligj vetëm për

rimëkëmbje ekonomike nuk është.

“Është për keqardhje që në një situatë të rëndë të krizës në një kohë pandemie, kur shumica e vendeve dhe të rajonit dhe të Bashkimit Evropian kanë përdorur mekanizmat shtetëror për të bërë reforma të mirëfillta në shtet, Kuvendi i Republikës së Kosovës me partitë në pushtet dhe PDK-në kanë ndikuar dhe po ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e pabarazisë dhe në rritjen e favorizimit të atyre që deri më tash kanë qenë të favorizuar nga të gjitha pushtet me radhë”, tha ajo.

Në seancën e sotme, Kuvendi i Kosovës me 72 vota për ka miratuar Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close