50 vjet lidhje diplomatike Shqipëri-Zvicër

ATSH/ Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Zvicrës, që këtë vit shënojnë 50 vite, dëshmojnë lidhjet e hershme mes dy popujve, bazuar në histori njerëzore e dokumente arkivore, të cilat shkojnë përtej këtij gjysmëshekulli.

Zvicra e ka mbështetur vazhdimisht Shqipërinë drejt konsolidimit të institucioneve shqiptare dhe qeverisjes demokratike; zhvillimet e bëra në sektorë të tillë si ekonomia, infrastruktura dhe energjia, si dhe sistemi i kujdesit shëndetësor.

Një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve ka luajtur edhe diaspora shqiptare në Zvicër, ku përfaqësues nga fusha të ndryshme të saj në këtë 50 vjetor kanë përcjellë disa mesazhe urimi për këtë përvjetor, si dhe për festën e pavarësisë.

Ishte një iniciativë e ambasadës së Shqipërisë në Bernë, Zvicër, ku përmes video-mesazheve disa përfaqësues të diasporës kanë rrëfyer për jetën e tyre profesionale në Zvicër, kanë shprehur dëshirën për rritjen e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve në fusha të ndryshme, si dhe urimet e tyre për 50-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve Shqipëri-Zvicër dhe festën e 108-vjetorit të Pavarësisë.

Albana Krasniqi Malaj, drejtoreshë e Universitetit Popullor shqiptar në Gjenevë dhe anëtare e Komisionit Federal për Migracionin, tha se “është një moment historik për ne shqiptarët e Zvicrës, jam shumë e kënaqur që në kuadër të këtyre marrëdhënieve bilaterale 50-vjeçare diaspora jonë ka pasur një rol të rëndësishëm për të luajtur”.

“Në ditët e sotme kjo merr edhe me tepër kuptim se Universiteti Popullor Shqiptar i vetmi i llojit të tij në Zvicër dhe Europë është përfaqësues i 80 kulturave të ndryshme ku kemi një personel prej 30 personalitetesh të ndryshme që përfaqësojnë fytyrën e Gjenevës ndërkombëtare të sotme”, – theksoi Krasniqi Malaj.

Si anëtare e Komisionit Federal për Migracionin, komision që është instanca më e lartë konsultative e Parlamentit zviceran dhe e qeverisë zvicerane Krasniqi Malaj shprehet se “diaspora jonë këtu nuk ka nevojë të ketë atë ndasinë identitare shqiptare zvicerane sepse identiteti ynë është i përbërë prej përkatësive të shumta e të ndryshme dhe këto përkatësi në këtë Universitet Popullor shqiptar kultivohen dhe u jepet një rëndësi edhe më e madhe”.

Në klasat e këtij Universiteti zhvillohen gjithashtu aktivitete të larmishme gjatë gjithë vitit.

“Mund të hidhni edhe një sy në klasat tona në aktivitetet tona, për të parë larmishmërinë e tij. Kjo është Gjeneva ndërkombëtare, ky është Universiteti Popullor Shqiptar, kjo është e ardhmja e shoqërisë tonë multikulturore, ku të gjithë mund të jetojmë së bashku në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Kjo është edhe fryma shqiptare që ne sjellim në këtë mjedis multikulturor”, – tha ajo.

Një tjetër mesazh urimi vjen nga Suela Jorgaqi, drejtuese e bibliotekës “Pestalozzi” në Zyrih, që është një bibliotekë interkulturore me libra shqip.

“Jam shumë e lumtur që isha pjesë e 50 vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri-Zvicër, shpresoj që të zhvillohen aktivitete edhe më të bukura mes dy vendeve , të ketë sa më shumë pozitivitet sidomos në kohët e vështira që po jetojmë”, thekson në urimin e saj Jorgaqi.

Ermira Gasser Hoti, mjeke psikiatre në Lozanë, uroi që Shqipëria dhe Zvicra të kenë një rritje të bashkëpunimit mes tyre.

“Ky bashkëpunim i deritanishëm i ka dhënë mundësinë shumë shqiptarëve në Zvicër të realizohen si nga ana profesionale dhe ajo personale. Uroj më shumë procese të demokratizimit në Shqipëri, me rastin e 108 vjetorit të pavarësisë”, – tha Hoti.

Një urim i veçantë vjen edhe nga artistët që rrugëtimin e tyre artistik e kanë vijuar në Zvicër, siç janë këngëtarja Enkeleda Basha, pianistja Ermira Lefort dhe balerini Igli Mezini.

Enkeleda Basha, këngëtare që jeton në Lozanë prej 16 vitesh, thekson se “jam munduar të përcjell në çdo aktivitet timin vlerat e muzikës tonë sepse ato janë pasaporta jonë janë vlerat që na identifikojnë kush jemi dhe nga vijmë”.

Duke përshëndetur marrëdhëniet diplomatike Shqipëri –Zvicër, Basha shpreh krenarinë për Zvicrën që sipas saj “qëndron përkrah vendit tim në momente të vështira”.

Ndërsa pianistja Ermira Lefort, falënderon Shqipërinë dhe Zvicrën për integrimin dhe besimin e të bërit qytetare zvicerane.

I lumtur që e ushtron aktivitetin e tij artistik në një vend si Zvicra, Igli Mezini balern solist në teatrin e Lucernit shprehet se “jam shumë i lumtur që aktivitetin tim artistike ushtroj në një vend si Zvicra, me një mendje shumë të hapur dhe njërëz pranues e bashkëpunues mes kulturave të ndryshme. Jam i sigurt që gjëra shumë të mira do të dalin nga bashkimi i dy kulturave tona”.

Ajna Hoti që jeton në Zvicër prej 5 vitesh , me profesion specialist marketing dhe menaxhimi , është integruar më së miri në jetën zvicerane.

“Kam krijuar shoqatën “Swiss Albania event”, në Lozanë, shoqatë kulturore ku promovojnë kulturën dhe traditën shqiptare. Në 50 vjetorin e diplomacisë Shqipëri –Zvicër doja të falenderoja shtetin zviceran që na ka dhënë mundësinë që të jetojmë e të punojmë, të integrohemi në këtë vend nga ana profesionale dhe personale. Do vazhdojmë të promovojmë vlerat tona”, – nënvizoi Hoti.

Një tjetër shqiptar që e ka ndërtuar jetën profesionale në Zvicër është edhe Bledar Koçibelli, kuzhinier, i cili jeton e punon prej 3 vitesh në Bazel, një qytet në veri të Zvicrës .

“Drejtoj kuzhinën e një prej hoteleve më në emër këtu. Dua me këtë rast të uroj e për festat e nëntorit gjithë bashkatdhetarët kudo që ndodhen brenda e jashtë trojeve që të jemi të lirë të ndihemi të lirë e gjithmonë bashkë. Do ta kalojmë të gjithë së bashku këtë situatë të vështirë”, – tha Koçibelli.

Ndërsa për Brikena Andrea, drejtoresha e bibliotekës shqipe në Bernë, Shqipëria dhe Zvicra janë të dyja vendet të rëndësishme.

“Është një çift i pandashëm nga njëri-tjetri për mua si nga ana profesionale dhe ajo personale. Gjatë rrugës sime të integrimit kam pasur mundësinë të merrem me profesione e punë të tjera siç është ajo e mësimdhënies për të rritur dhe në fushën e moderimit”, – tha Andrea.

Nexhmije Nussbaumer, e cila pas diplomimit ka punuar si mësuese për një kohë të gjatë në Shqipëri, tashmë jeton e punon në Zvicër.

“Në Zvicër organizova projektin “Drita”, i cili kishte qëllim integrimin e grave shqiptare në shoqërinë zvicerane. Këtu punova si mësuese e gjuhës gjermane dhe drejtuese e projektit. Mbi 2 mijë gra përfituan nga ky projekt, i cili mori edhe çmimin UNESCO”, tregoi Nussbaumer.

Ndërsa Arjan Peço, ekonomist dhe trajner futbolli në Bazel, rrëfen se ka ardhur në Zvicër në 1997, kam qenë futbollist profesionist dhe kam qenë anëtar i ekipit kombëtar të futbolli shqiptar dhe pata mundësi të firmosja një kontratë futbolli këtu në Zvicër.

“Pas përfundimit të karrierës fillova studimet ne fakultetin e Ekonomisë dhe Shkencave të aplikuara në Bazel . Kam punuar si audit i brendshëm në një kompani energjetike dhe momentalisht drejtoj një projekt IT në financë. Ka ndikuar edhe karriera ime si trajner futbolli. Në 50 vjetorin e marrëdhënieve Zvicër-Shqipëri. Dua të falënderoj Zvicrën për mbështetjen që i jep komunitetit shqiptar”, – tha Peço.

Një urim i bukur vjen edhe nga Mimoza Dako, mësuese e gjuhës shqipe në shkollën shqipe “Glatburgg” bashkë me nxënësit e saj që uruan në gjuhën shqipe “Gëzuar festat”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close