BASHKIMI APO COPËTIMI SHPIRTËROR I SHQIPTARËVE!

Bashkimi shpirtëror i shqiptarëve vazhdon të jetë një çështje që rri pezull në etër dhe që as vërehet e as trajtohet. Kjo çështje, për shumë arsye, më së paku mund pritet të trajtohet nga politikanët tanë të shumtë, të cilët në këto 30 vjet pluralizmi më shumë janë interesuar për çështje personale, por edhe për çështje klanore. Ndërkaq më së shumti është pritur të trajtohet nga bota artistike shqiptare, e cila do të duhet të jetë e vetëdijshme se bashkimi shpirtëror i shqiptarëve do të ishte një bazë e shëndoshë për hapa të mëtejmë racional, por edhe të natyrshme.
Fatkeqësisht, ky komunitet vazhdon të ndjehet komod, duke mos e çarë fare kokën se i takon një populli, që e flet një gjuhë, por që, për shkak të rrethanave tashmë të njohura, pjesëtarët e saj kanë mbetur të shpërndarë edhe në disa shtete tjera, duke u kufizuar me vetveten. Pra, populli shqiptar është ndër të paktë popuj që kufizohet me vetveten.
Shembull jo i mirë i botës artistike shqiptare është edhe Çmimi Kombëtar për Letërsi (manifestimi do të mbahet më 20 dhjetor), një çmim ky që vlen vetëm për veprat e botuara nga botuesit shqiptar brenda Shqipërisë. Realisht bëhet fjalë për një përfshirje gjysmake, sepse mjaftë botues të suksesshëm shqiptarë ka edhe në Kosovë e në Maqedoninë e Veriut, të cilët gjithashtu botojnë romane, tregime, poezi, letërsi të përkthyer, ese dhe letërsi për fëmijë, për të cilat gjini në Tiranë do të ndahen çmime nga anëtarët e jurisë profesionale, të cilët, do t’i përzgjedhin më të mirat nga veprat tashmë të përzgjedhura.
Në fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, për fjalën KOMBËTAR, ndër të tjera jepet edhe ky shpjegim:
“Që shpreh veçoritë e një kombi, që karakterizon pjesëtarët e një kombi; që është krijuar nga pjesëtarët e një kombi. Kultura kombëtare. Gjuha kombëtare”.
Nëse deri këtu kjo çështje është e qartë, atëherë shtrohet pyetja po në ç’gjuhë botojnë jo vetëm shkrimtarët shqiptarë, por edhe botuesit shqiptarë jashtë Shqipërisë dhe a janë ata pjesë e kulturës shqiptare? Nëse po, përse nuk përfshihen në eveniment të ndryshme që mbajnë atributin KOMBËTAR.
Përderisa edhe në Kosovë vit për vit jepet çmim për letërsi, shkrimtarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut vazhdojnë të mbeten një komunitet pa çmim vjetor që do të ishte një lloj vlerësimi për veprimtarinë e tyre. Pra, ata vazhdojnë të mbeten pjesë e ndarë (dhe e pavlerësuar) e kulturës shqiptare, ndonëse, sidomos në Shqipëri, ka individë që mendojnë se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duhet të jenë pjesë e “kulturës maqedonase”.
E gjithë kjo tregon se komuniteti ynë artistik është një komunitet që nocionin bashkim shpirtëror akoma nuk është në gjendje ta kuptojë si një vlerë sublime të kulturës shqiptare, e cila është një dhe e veçantë nga kulturat e popujve tanë. Përderisa ky bashkim shpirtëror nuk kuptohet si një tërësi, si e vetme dhe e veçantë nga kulturat tjera, jo vetëm kultura jonë, por sidomos ky komunitet shpirtërisht do të jetë shumë i varfër, margjinal dhe pa peshë karshi kulturave tjera. Në vend të bashkimit, ne do të vazhdojmë të kemi copëtim shpirtëror të shqiptarëve, edhe atë në disa pjesë…/Shkelzen Halimi

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close