AFORIZMAT POPULLORË NË VARGJE

Dihet se aforizmat janë thënie të shkurtra, me fuqi shprehëse e mendim të përgjithësuar. Ato kanë dalë nga përvoja e gjatë e jetës e janë përdorur nga njerëz të ndryshëm, të prirur për të tilla pasqyrime. Kemi shkruar edhe më parë për këtë lloj artikulimi në vargje, të cilët janë përdorur për të sintetizuar dukuri, kryesisht të sferës dramatike të jetës.

E shikojmë të nevojshme të shtjellojmë të tjera artikulime të tilla, pasi është një lloj letrar i patrajtuar më parë në tekstet e antologjive studimore apo të niveleve të ndryshme të shkollave. Kjo dukuri e të shprehurit me vargje të përvojës njerëzore është veçanti e zonave jugore të vendit, kryesisht e Labërisë.
Ato kumtojnë me vargje, pra, kanë karakter poetik. Integrojnë gjithashtu edhe në filozofi, duke nënvizuar esenca mendimi të përgjithshëm. Janë të rralla, pra , jo të shpeshta, por me një bukuri befasuese në koncentratin e tyre të informacionit e mesazhit. Zakonisht thuhen në dy vargje, por edhe në tre e katër, ndonëse në këta- më rrallë. Janë diçka si mikro-poezi, vjershërim, me rimë e ritëm, me numër vargjesh të caktuar, kryesisht 8-rrokësh. Transmetojnë ngjarje personale, por duke e përgjithësuar konkluzionin edhe në shkallë sociale.

Temat kryesore që kapin janë ato të halleve të njeriut, të derteve, të vuajtjeve. Ato që bëjnë fjalë për varfërinë, për fatin e keq në jetë. Por japin edhe dukuri të tilla si jeta e vdekja (si nocione filozofike), pleqëria, punët, ndërprerja e jetës, etj.
Aforizmat për hallet janë grupi më i madh që kanë lëçitur rapsodët apo njerëzit e thjeshtë, në të kumtuarit e mungesës së të mirave në jetë.

O mor halle, mos u soçi,
U bëfshi sa mos u njoçi !

I shkruajmë fjalët në formën e tyre të hershme, për të ruajtur lëndën kohore. Të tilla si: u soçi- mos u mbarofshi; njoçi- njohshi ( të mos njiheni), etj. D.m.th. ju halle, mos pushofshi kurrë. Dhe u bëfshi sa të mos njiheni! Rapsodi i mallkon në këtë mënyrë hallet, dënon fatin e tij të keq. U bëfshi diçka si te miti i Babilonisë që nuk njiheshin më gjuhët e shumta që fliteshin…

Rima e tyre kumbon:
… Halle, o halle,
Vini si në valle.
…Halle, o halle,
Si dallgë e si male…
…Hiqe jetën bran e bran,
Halli – hallit nuk i ngjan.

Rima i jep kadencë brengës njerëzore. A thua se zanoret e rrokjeve fundore pluskojnë me rënkimin njerëzor. Ose i mbajnë iso vajtimit…
Këto aforizma janë të thjeshta si ndërtim, po ashtu edhe në figura letrare. Nuk janë të ngjeshura apo të rënduara. Plani kryesor figurativ i tyre është ai i ballafaqimit (krahasimit) të tablove: halle-valle; male, etj. Synimi i tyre është dhënia e mesazhit tronditës nëpërmjet përqasjes së tablove. Krahasohen gjendjet njerëzore me ato natyrore: me dallgë e me lumë, det, borë, etj.

Disa prej tyre pasqyrojnë fatin e gruas në jetë:
Hall me burrë, hall pa burrë,
Hall të mos martohesh kurrë…
Hallet dhe dertet e mia
S’i gjykon as perëndia !

Nganjëherë transparenca e vargjeve bëhet edhe me detaje fare të thjeshta, si p.sh. produkti blegtoral i dhallës në jetën e varfër të fshatarit të dikurshëm. Por sa me hollësi e finesë e përdor rapsodi këtë detaj:
Dhallë, o dhallë,
unë hidh ujë
e ti- e bardhë !…

D.m.th. përsëri ashtu, mashtrimi i varfërisë ! Një thirrmor i thjeshtë, një detaj (dhalla), veprimi (uji), dhe… po ajo gjendje ! Të varfrit i lëkundet sërish perdja e bardhë e asgjësë në mendim.
Me hallet lidhen edhe “kusuret”, fatkeqësitë. Ato shpesh e shoqërojnë njeriun gjatë gjithë jetës. Ja njëri nga aforizmat për to, bile me një figuracion poetik:
O kusur, more kusur,
qe me gardh, u bë me mur;
Këto kusuret-ë tona
lëshojnë lule të njoma…

Figuracioni është prekës, fin. Rapsodi bëhet kështu poet. Ai mediton për fatkeqësitë, por edhe i dënon ato me sarkazmë, nëpërmjet “luleve” që ato rritin ! Pra, përgjithësimi e meditimi janë dy tiparet kryesore të aforizmave popullore.
Në një detaj tjetër shprehet nocioni filozofik i kapërcimit në jetën tjetër. Vdekja simbolizohet me një gur me brimë (vrimë). Pra, diçka si Vrima e Zezë në qiell që thith planetët. Po kështu edhe “Guri- Vdekje” që me vrimën e tij thith çdo njeri për në tej-jetë.

Atje te Guri me Vërë
një nga një shkojnë të tërë…

Ndërprerja e jetës në moshë të re, ndoshta nga një aksident apo sëmundje, figurativizohet me zjarrin, që, pas një kohe të shkurtër, shuhet:
U ndez një zjarr në përrua,
prëmë u ndez e sot u shua !…

Edhe moshën e pasme të njeriut, pleqërinë, e paraqit si një segment të jetës, por të padëshiruar me keqësimet që ajo ka. Njeriu nuk e do atë, por… rinia nuk zgjat pafundësisht, prandaj:
Pleqëri, me kusure,
unë s’ të desha,
ti më zure !

Një grup tjetër aforizmash janë ato për fatin e njeriut në jetë. Këtu përdoren edhe mjete poetike si lulja, etj. Fjalët janë të hershme, disa prej tyre- arkaizma, por të lëmuara gjatë përdorimit nga brezat.

More fat, a plaç më lule,
As të zura e as më zure,
Sos të vrava me kobure !

Qorton fatin, mirësinë që nuk i vjen, por edhe e stigmatizon atë, duke “e mallkuar”. Duke përdorur mono-dialogun, pëshpërimën me vetveten, bashkëbisedimi bëhet i gjallë, dertues, si një gjëmim e brendshëm i ndjenjës. Edhe në një dialog të shkurtër të nënës me vajzën e saj, vërehet meditimi aforistik:

Ti rri e fati rri,
Fatin tënd s’e merr njeri !
Nënvizohet një çudi, që s’ duhej të ndodhte:
I miri të mirë s’ ka,
I ligu me nakafa !
(fat)

Njerëzit e thjeshtë të popullit, më anë të këtyre aforizmave, kanë skalitur tablo e mesazhe të bukura. Shpesh ato i kanë paraqitur edhe me dyvargësh të thjeshtë, të ngjashëm me fjalët e urta: “Gjumi, lumi e turpe-shumi” (kritikohet dembelizmi).
Ja edhe një tjetër, në formën e një shprehjeje frazeologjike, por me meditim: I thotë vajza nënës së vet: “Rri dhe pak, o nënë, rri”! E ajo i përgjigjet: “Unë rri e thika rri” ! D.m.th. shqetësimi për punët e shumta nuk e le të qetë.
Mendimi i popullit është interesant. Paraqet me vargëzim edhe fenomenin e luftërave që ndodhin afër ose larg:

Sa bën zemëra për luftë,
Perëndia aq e pruftë !

D.m.th. kurrë nuk e do njeriu luftën. Zoti kurrë mos e sjelltë atë.
Aforizmat janë pasqyrim përjetues e krijues i njerëzve të thjeshtë të popullit. Tipari tyre është meditimi për ngjarjet e fenomenet e jetës. Kryesore janë ato që lidhen me fatin e individit, por ato pasqyrojnë edhe gjendje nga historia e kolektivitetit e popullit në përgjithësi.

/Nga Idajet Jahaj

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close