Me kërkesë të ministrit të Arsimit, Ramë Likaj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që gjysmë vjetori i parë në arsimin parauniversitar të përfundojë më 18 dhjetor dhe të rifillojë më 18 janar 2021. Ndërsa, ketë vendim po e kundërshtojnë Këshilli i Prindërve të Kosovë dhe njohës të çështjeve të arsimit, të cilët po e vlerësojnë këtë vendim si shumë të dëmshëm për nxënësit.

Për shkak të pandemisë Covid – 19, Qeveria e Kosovës  ka marrë vendim që gjysmë vjetori i parë në arsimin parauniversitar të përfundojë më 18 dhjetor. Por këtë vendim po e kundërshton Këshilli i Prindërve të Kosovës. Kryetari i këtij këshilli, Ymret Reshiti, në një përgjigje për Radio Kosovën, theksoi se ky vendim është i nxituar dhe shumë i  dëmshëm për nxënësit.

” Ky vendim i qeverisë për shkurtimin e procesit mësimor, që  të përfundojë me 18 dhjetor e jo sipas kalendarit shkollor, me 24,  është vendim i gabuar. Ky vendim  është shumë i dëmshëm për nxënësit”, tha ai.

Po ashtu, Reshiti tha se arsyeja e këtij vendimi për të pushuar një muaj nxënësit për shkak të infeksionit nuk është e qëndrueshme, për arsye se institucionet shkollore kanë numrin me të vogël të të infektuarve dhe se infektimet po ndodhin në hapësira të tjera.

“ Marrja e këtij vendimi nga ana e qeverisë, me arsyen se është rritur numri i të infektuarve në vend dhe fëmijët për ketë arsye të shkojnë në pushim për një muaj, nuk është i qëndrueshëm. Ky vendim është i gabuar për arsye se mësimdhënës dhe nxënës të infektuar ka shumë më pak sesa qytetarë të tjerë. Dhe se vatra të infeksioneve nuk janë shkollat por qendrat tregtare dhe hapësira të tjera”, tha Reshiti

Edhe njohës të çështjeve të arsimit, po vlerësojnë se mësimi duhet të realizohet dhe se vendimi për mbylljen e shkollave duhet të jetë i fundit, për arsye se infeksionet nuk po ndodhin brenda institucioneve arsimore.

Por, ndryshe mendojnë nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë (SBASHK). Kryetari Rrahman Jasharaj e ka përkrahur këtë vendim, i cili tha se ky vendim është marrë pas vlerësimit të situatës nga ana e Institutit  Kombëtar të Shëndetit Publik dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas kalendarit shkollor për vitin 2020/21 gjysmë vjetori i pari për këtë vit shkollor ishte planifikuar të përfundojë me 24 dhjetor 2020 dhe gjysmë vjetori i dytë të fillojë me 8 janar 2021.

 

Autor: Ardiana Hajzeri