Recension për romanin “Ferma e Kafshëve ” të George Orwell

“Ferma e kafshëve” është një nga kryeveprat letrare të shekullit XX. Ky roman mbetet edhe sot e kësaj dite aktual e i diskutuar. Është vepër fund e krye alegorike, roman që trajton vullnetin për pushtet dhe nënshtrimin e masës ndaj pushtetit.

Nga Ardit Mehmetaj

Tek “Ferma Menër” kafshët revoltohen ndaj pronarit të tyre, Xhonsit. Derrat, kuajt, qentë, delet e pulat janë të gatshme për revolucion. Ato dëshirojnë ndërrim të sistemit e ideatori i kësaj kryengritje është Majori plak, i cili u thotë se duhet të çlirohemi sa më shpejt nga raca njerëzore pasi të gjitha kafshët janë vetprodhuese përveç njeriut që fiton nga kafshët. Lopa bën qumësht që ta gëzojë njeriu, pula bën vezë që t’i gëzojë njeriu, deles leshin e saj ia merr njeriu. Kafshët duhet të jetojnë me dinjitet. Qumështin lopa duhet ta ruaj për të vegjëlit e saj, pula vezët duhet t’i ruaj për të bërë zogj të tjerë, leshin delja duhet ta ruaj për ngrohje. Tri ditë pas kësaj deklarate motivuese për kryengritje vdes Majori plak, por pas asaj çfarë ai mbolli dolën fryte. Revolucioni ndodhi, atë e udhëheqën dy derrat: Snoubolli dhe Napoloni.

Ditët e para të qeverisjes së tyre ishin mjaft të mira dhe shpresëdhënëse, por më pas gjithçka ndryshoi. Ata krijuan një himn të tyre që i këndonte lirisë, pavarësisë dhe vetëvendosjes së tyre. Ata krijuan edhe shtatë rregulla që kryesisht ishin për kafshët që asessi nuk duhet t’i ngjasojnë njerëzve, ato nuk duhet të veshin rroba, nuk duhet të bëjnë vrasje, pra për to çdo gjë njerëzore ishte e urryer e njeriu ishte armik. Rregulla e fundit ishte “Të gjitha kafshët janë të barabarta”.
Pabarazia fillon kur dy derrat udhëheqës, Napoloni dhe Snoubolli i ndajnë mollat në mënyrë të pabarabartë dhe delet e kafshët e tjera edhe pse të çuditura nga ky veprim prapë se prapë heshtin e kjo heshtje që bëhet është miratim dhe pajtim me padrejtësinë si dhe legjitimim i pabarazisë për udhëheqësinë. Heshtja i jep liri derrave të vazhdojnë padrejtësinë, heshtja bëhet shkak për vazhdimin dhe trashjen e tiranisë. Pas një kohe Napoloni e Snoubolli kanë mospajtime rreth çdo gjëje, por në luftën kundër racës njeri është Snoubolli që shpërblehet me mirënjohje për kontribut në luftë, e, pikërisht Snoubolli shpallet tradhtar dhe bashkëpunëtor i armikut pas një kohe kur Napoloni e merr pushtetin. Napoloni me marrjen e pushtetit së pari e ndërron himnin që në këtë rast himni është metonimi e kulturës, pra ndryshimi i himnit është ndryshim i kulturës.
E, hapi i parë që sistemet bëjnë për përmbytjen e sistemit paraprak është rrënimi i kulturës ekzistuese dhe ndërtimi i një kulture të re. Qëllim është zhdukja e kulturës pasi kultura është identitet dhe po e humbe kulturën, e humbe vetveten. Napoloni thyen të gjitha rregullat dhe për të gjitha sekseri i tij i quajtur Skuiler ka një arsye. Napoloni kur pi alkool, Skuileri e arsyeton atë dhe thotë se rregulla nuk ka qenë “Asnjë kafshë nuk duhet të pijë alkool”, por ka qenë “Asnjë kafshë nuk duhet të pijë alkool gjithmonë”, pra ia shton këtë ‘gjithmonë’ dhe e mashtron masën. Napoloni gjithashtu e fillon bashkëpunimin me njerëz, vret kafshë, e shet kalin më të fuqishëm, Boksierin e dërgon tek kasapi, ai zgjat orarin e punës për të gjitha kafshët ndërsa ai bashkë me qentë e tij dhe derrat e tjerë nuk punojnë, pra Napoloni i përqafon ato që i përqeshte dikur, ai bëhet edhe më i tmerrshëm se drejtuesit e sistemit paraprak. Rregulla e fundit që thyhet është rregulla e shtatë, nga “Të gjitha kafshët janë të barabarta” bëhet “TË GJITHA KAFSHËT JANË TË BARABARTA, POR DISA JANË MË TË BARABARTA SE TË TJERAT”, që i bie se derrat janë më të barabartë (lexo: më të privilegjuar).

Njëjtë si në shoqëritë tona ku thuhet se të gjithë janë të barabartë para ligjit, por realisht disa po dalin të jenë më të barabartë se të tjerët.
Personazhet janë të gjitha përfaqësuese të kategorive njerëzore, të gjitha përfaqësojnë dikë e diçka. Delet e përfaqësojnë popullin që janë të urtë e të nënshtruar, qentë i përfaqësojnë njerëzit besnik që e rrethojnë udhëheqësin e pushtetit dhe i besojnë atij verbërisht, kuajt (Boksieri në këtë rast) e përfaqësojnë fuqinë punëtore dhe nga ta fitojnë vetëm lideri dhe partia, ndërsa fuqia punëtore marrin veç sa për bukën e gojës. Snoubolli e përfaqëson idealistin që shpallet tradhtar nga sistemi e pastaj përndiqet nga po ata.

Skuileri përfaqëson sekserët e liderëve dhe partive që gjithmonë kanë një arsye për gjërat që ata bëjnë, qofshin ato të këqija.
Majori plak është ideatori, Snoubolli është idealisti, kurse Napoloni është udhëheqësi manipulator. Idealisti këtu shpallet tradhtar siç ndodh rëndom në të gjitha sistemet autoritare, të cilat shpikin një armik të jashtëm vetëm për t’i mbajtur të bashkuar e unik në mendim antarët përbrenda.
Vullneti për pushtet i njeriut e njeriu i heshtur që nuk lufton për të drejtat e tij është ndeshja e madhe që e përcjellë gjithë romanin. Pushteti i fituar shkakton uri të madhe e nevojë për forcim dhe rritje të pushtetit edhe më tej. Dorëzimi i kafshëve që janë nën udhëheqjen e derrave nuk ndodh përnjëherë, dorëzimi vjen nga përditshmëria e tyre, kështu që devijimi i pushtetit ndodh gradualisht. Aq sa lëshojnë pe të qeverisurit, poaq e shfrytëzon qeveria.

Slavoj Zizek për romanin “Procesi” të Franz Kafkes thotë se fuqia e një sistemi burokratik më shumë bazohet në pikëpamjet dhe bindjet tona në plotëfuqinë e pushtetit, i cili në realitet më shumë është rezultat i kësaj përshtypje se sa i gjendjes faktike të tij. E njëjta është edhe tek “Ferma e kafshëve”, ku fuqia e pushtetit të Napolonit nuk është aq sa shihet në sytë e kafshëve tjera, pikërisht pikëpamja hiperbolizuese e kafshëve të tjera mbi pushtetin e Napolonit shfaq frikë tek ta dhe kjo frikë është terren për rritjen e pushtetit në realitet. Janë kafshët ato që edhe kur pushteti është i vogël faktikisht ato e shohin si pushtet të madh dhe kjo ia shkakton frikën, heshtjen ndaj padrejtësive dhe nënshtrimin ndaj pushtetit.

Nga këndvështrimi kohë dhe hapësirë vepra është alegorike që e sulmon dhe e shpërfaq lakuriq sistemin autoritar – komunizmin e asaj kohe të Leninit e Stalinit.
Sado tekst i trishtë, Orwelli bën thirrje për t’i mbrojtur vlerat tona si dinjitetin e krenarinë, por këto vlera mbrohen kur ne guxojmë t’i themi gjërat në kohën e duhur, t’i themi në vendin e duhur, ndaj njerëzve të duhur. Pra, të dimë të protestojmë. Nëpërmjet zgjedhjes t’i vlerësojmë të duhurit e t’i ndëshkojmë të këqijtë. Kështu, pra, nëpërmes zgjedhjes të arrijmë tek zgjidhja./ ObserverKult/

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close