Corona – beteja e fundit e kancelares Merkel

Debati aktual për buxhetin e vitit të ardhshëm do të duhej të ishte një bilanc i kënaqshëm i punës 15-vjeçare të saj, por pandemia ia ndryshoi planet kancelares.

Çfarë fjalimi! Me thirrje, paralajmërime, lutje, kërkesa. Kancelarja gjermane Angela Merkel, si kurrë më pare, bëri thirrje për masa më të forta në betejën me koronën. Madje gati sa nuk kaloi në sarkazëm: Nëse para krishtlindjeve do të vijojmë të kemi kaq  shumë kontakte dhe më pas do të kalojmë festën e fundit me gjyshet e gjyshërit, atëherë me siguri që do të pendohemi.”

Festa e fundit, sepse nipërit dhe mbesat, veç dhuratave, mund të sjellin edhe virusin. Merkel përmendi numrin e vdekjeve të raportuara zyrtarisht në Gjermani atë mëngjes: 590 brenda 24 orëve – një rekord i trishtë. Dhe sikurse edhe shkencëtarët e Leopoldinës dhe ekspertët e tjerë, ajo kërkoi mbyllje para Krishtlindjeve dhe mundësisht edhe mbylljen para kohe të shkollave. Sa më pak kontakte, madje më mirë asnjë kontakt jashtë familjes. Disipline. Më shumë disiplinë se më parë.

Fundi i borxhit zero

Në fakt kjo ishte deri diku kalim kompetencash: kryeministrat janë sovranët e landeve dhe janë ata që i rregullojnë detajet e masave kundër koronës në landet e tyre. Kancelarja, e cila zakonisht është objektive, po lufton tani në Bundestag me të gjithë autoritetin e saj kundër pandemisë dhe në mbrojtje të atyre që janë më të kërcënuar, grupet e rrezikuara. Fjalimi i saj u prit me duartrokitje të gjata nga deputetët e Unionit.

Në të vërtetë ky fjalim kishte një si atmosferë ndarjeje. Si Kancelare  Federale, Angela Merkel, ka dalë 16 herë në këtë foltore për të shpjeguar, mbrojtur, promovuar dhe miratuar buxhetin federal. Pas gjase, të mërkurën ajo mbajti fjalimin e fundit. Këtë aspekt e përmendën vetëm folësit e populistes së djathtë, AfD. Secila dhe secili prej tyre janë të gëzuar, që Merkel nuk do të jetë më përgjegjëse për buxhetin. Por vetëm ata janë të gëzuar për këtë fakt.

Për disa vite me radhë, buxheti i Gjermanisë ishte pa borxhe. Për një kohë të gjatë, Merkel kishte koalicione të ndryshme që punonin drejt kësaj pike, dhe që nga viti 2014, ish-fizikantja gjermano-lindore ishte ajo që me krenari do të deklaronte se e kishte menaxhuar buxhetin si një amvisë shvabiane: pa borxhe të reja. Pastaj erdhi pandemia. Dhe ato kohëra ikën. Erdhi buxheti i koronës. Me 180 miliardë euro borxh, nga 498,6 miliardë euro gjithsej.

Sfidat e Europës

Por nuk është vetëm buxheti i Gjermanisë ai që do të dalë nga drejtimi që kishte dashur t’i jepte kancelarja Merkel. Është edhe Evropa, që ajo e ka aq për zemër, që gjithashtu po tronditet. Gjermania deri në fund të vitit do të ketë kryesinë e radhës së BE-së, dhe këtë javë ajo do të drejtojë samitin e fundit të saj në Këshillin e BE-së. Këtu ka një sërë çështjesh që e presin: Si do të funksionojë Brexit, dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga tregu i brendshëm i BE-së në fund të vitit – kjo është ende e hapur. Si do të duket buxheti i BE-së në të ardhshmen – deri në momentet e fundit ishte ende i rrezikuar nga Polonia dhe Hungaria.

Dhe së fundi, është edhe politika globale që po riorganizohet, me një Kinë gjithnjë e më të fortë, me një Rusi si gjithmonë kundër, me SHBA-të aleate të paparashikueshme për momentin, me Turqinë, si partnere e tjetërsuar e Evropës. Dhe presidenca gjermane e Këshillit të BE-së nuk i ndryshon dot asnjërën nga këto.

Respekt për këtë raund të fundit

Mund të kishte shkuar shumë më mirë ky dhjetor për kryetaren e qeverisë gjermane: Kancelarja do të shkruante një fjalim fushate parazgjedhore, ku do  të raportonte me krenari për zeron e buxhetit, Por në këtë moment, nuk dihet madje as se  kush do ta drejtojë partinë e saj, CDU-në. E megjithatë, ishte mbresëlënëse se si 66-vjeçarja u prezantua në parlament: me empati, emocione dhe – kur njëra nga gratë e AfD-së, i ndërhyri me thirrje nga salla, – edhe me patos.

Kjo tregon se ajo po lufton! Merkel po lufton kundër pandemisë edhe për jetën e mijëra njerëzve të moshuar. Ajo po lufton për të ardhmen e këtij vendi. Ajo po lufton sepse dëshiron të bindë jo vetëm kryeministrat e landeve, por edhe qytetarët e saj që ende ndalen në stendat e verës së nxehtë duke bërë muhabet. Respekt për këtë betejë të fundit.

  • Data 10.12.2020
  • Autor Christoph Strack/dw

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close