Kryeministri Rama:Vrasja e 25-vjeçarit, lajm tronditës për shoqërinë

ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se “humbja e jetës së një djali 25-vjeçar, nga tejkalimi ekstrem i forcës së një efektivi policie, ishte një tragjedi për familjen dhe një lajm tronditës për të gjithë shoqërinë”.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve për këtë ngjarje të rëndë, Rama tha se “pamundësia fizike për të qenë këtu i pranishëm, ma imponoi shtyrjen në kohë të këtij mesazhi, sepse nuk mund ta bëja thjesht me germa, pa zë, pa sytë drejtuar nga të gjithë ju”.

“Kështu ky mesazh sot nuk mbetet pa prekur ngjarjet e dhunshme të pasdites së djeshme, të cilat nga tragjedia morën sebepin, për t’u shpalosur me të gjithë vulgaritetin brutal të frymëzuesve të tyre. Por në radhë të parë jeta e humbur nga akti fatal i efektivit të policisë”, tha ai.

Kryeministri theksoi se “sapo kam zbritur në Tiranë, kam shkuar në familjen e të ndjerit. Jam prekur pamasë nga pritja e tyre dhe urtësia e fjalëve të babait të Klodianit. “Asnjë lule e vetme nuk mund të preket në Tiranë në emrin e tim biri! Ne duam drejtësi, jo zhurmë politike”, më tha ai”.

“Po dua t’ia drejtoj familjes, të afërmve e miqve të djalit jetëhumbur, edhe publikisht shprehjen e ndjesës e të keqardhjes sime të thellë, bashkë me ngushëllimet e mia të ndjera, për humbjen e tyre të patregueshme. E kam fare të qartë se fjalët në këtë rast janë krejt të pafuqishme përballë dhimbjes e boshllëkut që përjetojnë babai, nëna, motra, vëllezërit e Klodianit, xhaxhallarët, dajat e djemtë dhe vajzat e tyre”, shtoi Kryeministri.

Por, vijoi Rama, përveç fjalëve të ndjesës e të ngushëllimit, drejtësisë për viktimën dhe reflektimit mbi ngjarjen, qëndrimit afër familjes e marrjes pjesë në dhimbjen e tyre, asgjë tjetër nuk mbetet fatkeqësisht pas jetës së humbur befasisht.

Kryeministri tha se “efektivi i policisë ka vrarë një njeri, në mënyrën më të pashpjegueshme deri më tani dhe krejt pa asnjë lidhje me ndonjë mision, operacion apo objektiv të lidhur me aktivitetin e Policisë së Shtetit në atë vend e në atë orë shumë të vonë”.

Por, tha Rama, “pavarësisht faktit se vrasja e njeriut është kryer thjesht e vetëm nga një njeri tjetër, arma ishte e shtetit”.

Prandaj, theksoi Kryeministri, “edhe ndjesa i takon shtetit, bashkë me angazhimin e zbardhjes së plotë e të ndëshkimit ligjor të autorit”.

“Autori i ka kaluar menjëherë duarve të drejtësisë dhe me patjetër do të hetohet e do të gjykohet nga organet e drejtësisë, në pavarësi e paanësi të plotë. Akti i tij ngjan fare i pakuptueshëm, përveçse krejt i paarsyetueshëm për aq sa dimë. Por sigurisht, nuk jemi ne po drejtësia që ka barrën e fjalës së fundit, për shkallën e fajësisë së autorit përpara ligjit. Sado i madh është në këtë rast padurimi për ta vënë në vend drejtësinë, drejtësia ka nevojë për të hetuar gjithçka. Sado e padiskutueshme të jetë fajësia e efektivit të Policisë në sytë tanë, drejtësia ka nevojë ta dëgjojë edhe atë. Drejtësisë i duhet koha e saj”, shtoi Rama.

Por në ndërkohë, Rama tha se “sado e natyrshme është që në një rast të tillë, sa absurd, aq edhe ekstrem kur e dëgjon, emocioni të jetë i fortë dhe po ashtu ndjenja e revoltës e menjëhershme, është tejet e domosdoshme që të mos e humbasim kthjelltësinë, e të mos i lejojmë emocionet apo më keq akoma, kundërshtitë e shëmtuara politike, të ngatërrojnë rrugën e reflektimit tonë”.

“Lejomëni ta ribëj reflektimin tim me zë të lartë, pasi e kam bërë disa herë me vete, qyshse mora lajmin e vdekjes tragjike të djalit 25-vjeçar nga arma e Policisë së Shtetit. A është kjo ngjarje krejt e shkëputur nga vija e sjelljes së Policisë së Shtetit, apo është vallë kulmimi i një devijimi të mëparshëm prej binarëve të ligjshmërisë nga Policia e Shtetit? A ka qenë vërtetë Policia e Shtetit e prirur të tejkalojë të drejtën e ushtrimit të forcës në vitin a në vitet e fundit, sikundër u akuzua për shembull nga zoti President i Republikës – e jo vetëm nga ai për fat të keq?”, tha Rama.

“A janë drejtuesit e sotëm të Policisë së Shtetit, ose qoftë edhe Ministri i Brendshëm, personazhe të lidhur me krimin, individë të korruptuar apo të mbingarkuar politikisht në kryerjen e detyrës së tyre dhe a kanë shfaqur ata, shenja vetëkënaqësie, brutaliteti apo papërgjegjshmërie në detyrë, duke ndikuar negativisht në moralin e në sjelljen e trupës së uniformave blu?” – vijoi ai.

Përgjigja objektive e këtyre pyetjeve, sipas Kryeministrit, “ndihmon këdo që dëshiron të jetë objektiv; ose për të nxjerrë mësime nga ngjarja tragjike, nëse ajo lidhet negativisht me të paktën një nga tre pikëpyetjet që sapo ngrita, ose për të konfirmuar moslidhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë, qoftë me kursin e Policisë së Shtetit, qoftë me integritetin moral e profesional të drejtuesve të saj më të lartë, përshirë edhe Ministrin e Brendshëm”.

“Kthehuni ju lutem pak në kohë me sytë e kujtesës suaj dhe shikojeni vajzën e Shqiponjave, Ina Nukën, studenten e shkëlqyer të Akademisë së Policisë, e cila humbi gishtat e dorës sapo kishte nisur punën e shumëëndërruar, nga goditja kriminale e një protestuesi të dhunshëm tek Parlamenti i Shqipërisë”, – tha Rama.

“Shikoni kolegët e saj, plot 76 të plagosur, me kartelë spitalore, e mbi 100 të tjerë të lënduar e trajtuar me ndihmë të shpejtë mjekësore, nga goditjet me gurë e me sende të forta; pranë Kryeministrisë, Ministrisë së Brendshme, Kuvendit e nëpër pika të tjera, përgjatë ofensivës seriale të protestave të dhunshme të dy viteve të fundit, të cilat e sprovuan pafundësisht maturinë e Policisë së Shtetit”, – vijoi ai.

“Shikoni edhe efektivin e uniformave blu, i cili sot, tani, rrezikon të humbë shikimin, nga një goditje kriminale gjatë protestës së dhunshme mbrëmë, që i ka shqyer kokërdhokun e syrit”, – tha Kryeministri.

“Shikojeni pak veten tuaj, bllokuar deri para pak kohësh me muaj e muaj, çdo pasdite, në hyrje e dalje të Tiranës, nga një tjetër ofensivë protestash, të cilat e sprovuan pafundësisht durimin e Policisë së Shtetit. Shikoni edhe episode të tjera nëpër hartën e skenave të nxitura politikisht dhe më thoni ku, kur, si e sa, në tërë zinxhirët e ngjarjeve provokuese, dhunënxitëse e dhunëushtruese mbi uniformat blu, Policia e Shtetit e tejkaloi të drejtën e saj të ushtrimit të forcës që i jep ligji?” – kujtoi Rama.

Kreu i ekzekutivit tha se janë “qindra e qindra episode, mijëra e mijëra gurë e kapsolla, e shishe me benzinë, e dreqër me brirë mbi kokat e policëve, qindra prej të cilëve janë lënduar fizikisht dhe nga ana tjetër laj e thaj një rast i vetëm, ai tek Parlamenti, ku Policia e Shtetit nuk bëri në fakt asgjë më shumë, sesa çdo polici e planetit demokratik, ndaj një provokatori famoz, antik dhe politik”.

Natyrisht, vijoi ai, “nuk mund të llogaris këtu farsat me aktorë e me provokatorë, që kanë luajtur para kamerave rolin e viktimave imagjinare të dhunës policore mbi trupat e tyre, pasi e kanë qëlluar, shtyrë e sharë policinë sa u ka dashur qejfi”.

“E pra, kjo e jona, e Shqipërisë së sotme, prej plot shtatë vjetësh, nuk është një polici që e ka kollaj të të tregojë shkopin edhe kur ia sjell në majë të hundës, e jo më një trupë e yshtur që ta çojë nëpër mend të të tregojë armën e zjarrit, kur ti nuk i ndalon një patrulle lagjeje”, tha Rama.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close