“Qeveria e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën”

ATSH/ Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti sot Forumin Ndërkombëtar të organizuar online nga Konfindustria Shqiptare për shpalljen e nismës së Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik të lumit Vjosa dhe pellgut ujëmbledhës të tij.

Duke iu drejtuar ambasadorëve, akademikëve, shkencëtarëve dhe profesorëve të universiteteve europiane, deputetëve, përfaqësuesve të qeverisë, të shoqatave mjedisore dhe të pushtetit vendor të Shqipërisë si dhe Greqisë – pjesëmarrës në këtë forum të rëndësishëm ndërkombëtar dhe me rëndësi të madhe për zhvillimin ekonomik, për turizmin dhe mbrojtjen e mjedisit, Presidenti i Republikës pasi falënderoi dhe përgëzoi Konfindustrinë për organizimin e Forumit Ndërkombëtar të sotëm, për shpalljen e Nismës së Strategjisë së Zhvillimit të Qëndrueshëm Ekonomik të Rajonit të Basenit të Vjosës, nga burimi në malet e Pindit në Greqi, deri në grykëderdhjen në detin Adriatik në Shqipëri, tha se, “mbështes plotësisht thelbin e Nismës së Konfindustrisë, që ekosistemi lumor i Vjosës, si lumi i vetëm me rrjedhje të lirë në Europë, ose, i thonë ndryshe, i vetmi lumë i mbetur ‘i egër’, me potenciale jo vetëm natyrore, por dhe ekonomike të jashtëzakonshme, duhet vënë në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm dhe mirëqenies së banorëve të basenit dhe vendit në tërësi”.

“Po ashtu, kjo nismë duhet t’i shërbejë edhe forcimit të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe të jetë shembull edhe për Rajone të tjera të Ballkanit Perëndimor”, shtoi Meta.

“Lumi Vjosa dhe pasuritë e paçmuara natyrore të tij nuk janë vetëm pasuri e Shqipërisë, por e gjithë Europës. Sikundër edhe Shqipëria i përket Bashkimit Europian”, nënvizoi Meta.

“Ndiej kënaqësi, sepse ri takoj vetëm pas disa javësh, shkencëtarët, profesorët e nderuar të universiteteve dhe organizatave mjedisore më të rëndësishme të Bashkimit Europian, në kushte të reja, kur me akte zyrtare, ka filluar të jetësohet shpëtimi i Lumit Vjosa, nga ndërtimet dhe projektet, që janë në kundërshtim me interesin publik afatgjatë. E kam fjalën pikërisht në mosdhënien e lejes mjedisore të HEC-it të Kalivaçit. Veprim, që unë personalisht, e kam kërkuar me forcë dhe e mbështes plotësisht”, tha Meta.

“Mosdhënia e lejes mjedisore të HEC-it të Kalivaçit është pa dyshim një shenjë e mirë e vendimmarrjes, në ndihmë të mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri, në përputhje dhe me mendimin e përparuar shkencor, dhe me kërkesat e përsëritura të shumë organizmave ndërkombëtare dhe të BE-së. Por unë do të këshilloja fort, që kjo nismë të vazhdonte më tej, për një mbrojtje të qëndrueshme të pjesës që është ende pa një status mbrojtje, dhe mbetet nën kërcënim”, u shpreh Meta.

Për këtë, shtoi ai, “qeveria shqiptare duhet të hedhë një hap të dytë në drejtim të mbrojtjes së lumit të Vjosës, atë të shpalljes Park Kombëtar Lumor të pjesës lumore të mesme, sidomos të pjesës Qesarat-Poçem. Kjo pjesë e lumit strehon vlera të larta biodiversiteti dhe habitatesh lumore, dhe njëkohësisht mbetet potencialisht e kërcënuar nga ndërtimi i digave. Unë kam gjithmonë bindjen se ekspertiza akademike vendase dhe ajo ndërkombëtare janë të gatshëm të bashkëpunojnë për këtë”.

“Nisma për ndërtimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik të Rajonit të Vjosës, është shumë më tepër se sa vetëm shpëtimi i saj nga digat e HEC-ve”, theksoi Meta.

“Strategjia e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Basenit të Lumit Vjosa krijon kushtet për rritjen e efektivitetit të përdorimit të fondeve buxhetore të qeverisë, bashkive, biznesit dhe individëve. Gjithashtu, Strategjia krijon kushtet më të mira të mundshme, që të tërhiqen financime dhe investime të rëndësishme nga donatorë, institucione financiare ndërkombëtare dhe të programeve të BE-së, sepse Vjosa nuk është vetëm e Shqipërisë, por e gjithë Europës”, shtoi Meta.

“Shqipëria, me shembullin e mbrojtjes së Vjosës dhe ndërtimin e strategjisë, sipas standardeve europiane, kryen detyrën e saj, duke ia lënë radhën vendeve mike të BE-së dhe Europës të japin ndihmesën e tyre. Suksesi i strategjisë për Rajonin e Vjosës mund të shërbejë si model ekonomik në të gjithë vendin tonë”, u shpreh Meta.

“Ndërtimi dhe zbatimi i strategjisë për Zhvillim të Qëndrueshëm të Basenit të Lumit Vjosa do të prodhojë pa dyshim mirëqenie për banorët e rajonit, të prekur rëndë nga emigracioni, varfëria dhe mungesa e shpresës. Ndërtimi i HEC-eve nuk mund të jetë kurrë sesi një rrugë ‘e blertë’, një rrugë e qëndrueshme për zhvillimin e vendit”, tha ai.

Pjesëmarrëse në këtë forum ishte edhe Zv/ministrja e Mjedisit Ornela Çuçi, e cila u shpreh se “vetëm disa javë më parë Kryeministri Rama shprehet: Qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme. Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë”.

“Sot gjatë Forumit të organizuar nga Konfindustria dhe bashkia Përmet, së bashku me deputeten Mirela Kumbaro, rikonfirmuam angazhimin maksimal të qeverisë për luginën e Vjosës dhe se jemi në fazën finale të shpalljes së Zonës së Mbrojtur të rrjedhjes së sipërme, nga hyrja deri në Memaliaj. Ndërkohë pjesa fundore e Vjosës është zonë e Mbrojtur deri në lagunën e Nartës ndërsa zona e Mbrojtur e Zagorisë prek edhe një tjetër pjesë të kësaj lugine”, tha ajo.

“Natyra është aseti më i madh ekonomik që kemi, andaj ruajtja e saj ka marrë këtë fokus të veçantë gjatë viteve të fundit”, tha Çuçi.

Zv/ministrja e Mjedisit, Ornela Çuçi reagoi më tej duke publikuar edhe deklaratën mjedisore për vlerësimin e ndikimit në mjedis për ndërtimin e HEC të Kalivaçit.

“Presidenti i Republikës është kujtuar vonë për kontratat koncesionare që futën në tuba rrjedha të tëra lumejsh në këtë vend. Ai nuk u kujtua atëherë kur drejtonte Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës që mbikëqyri dhënien me koncesion të qindra përrenjve dhe lumenjve në Shqipëri”, u shpreh ajo.

“Tashmë vendi ka një qeveri që ka qasje tjetër dhe që i ka dhënë së fundmi Vjosës lirinë e merituar nga tubat. Të 270 kilometrat e papërsëdytshme të këtij lumi do të vijojnë të rrjedhin të lira”, tha Çuçi.

“Në qeverisjen ku z.President ishte zëvendëskryeministër dhe për ca kohë edhe Ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës 2009-2013, u dhanë 386 leje për HEC”, shtoi ajo.

Në një reagim ndaj deklaratave të Presidentit Ilir Meta në 25 shtator Kryeministri Edi Rama tha se, “sa mirë do kishte qenë sikur Ilir Meta ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi, kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut”.

Rama tha se se ashtu siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen, Ilir Meta duhet të kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi.

“Jam dakord me Ilir Metën që e ardhmja nuk është shkatërrimi, po sa mirë do kishte qenë sikur ta kishte mbrojtur Valbonën nga shkatërrimi kur ishte zv.shef i qeverisë së Saliut, siç mbron sot Vjosën nga rreziku imagjinar i hidrocentraleve që nuk do të ndërtohen”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “qeveria jonë e ka shpallur Park Kombëtar Vjosën e lartme”. “Ministria jonë e Mjedisit ka refuzuar zyrtarisht të japë leje për projekte HEC-esh në Vjosën e poshtme që do të integrohet me Parkun! Vala shkatërruese e qeverisë së vjetër mbi lumenjtë në tërësi është zmbrapsur ka kohë”.

Comments are closed.

%d bloggers like this:

By continuing to use the site, you agree to the use of cookies. more information

The cookie settings on this website are set to "allow cookies" to give you the best browsing experience possible. If you continue to use this website without changing your cookie settings or you click "Accept" below then you are consenting to this.

Close